“I ka ndërtuar vetes një monument”/ Blendi Fevziu: Ja biseda ime e fundit me Ismail Kadarenë

kadarenë

Gazetari Blendi Fevziu në një prononcim për RTSH, tregoi për miqësinë e ngushtë që ka pasur me Ismail Kadarenë si dhe ka treguar detaje nga takimi i fundit që ka zhvilluar me të në mars.

“Ismail Kadarenë e kam pasur mik! Kam pasur raporte shumë të mira me atë…”

Kadareja, nënvizon Fevziu, ka bërë shumë për Shqipërinë, “por nuk mendoj se ne kemi bërë ndonjë gjë të madhe për Kadarenë”.

“Kadare është nga ata që i ka ndërruar vetes një monument, një monument që ndoshta nuk ka nevojë për diçka tjetër nga ne” tha gazetari i njohur.

Duke vlerësuar pjesëmarrjen e madhe në homazhet që u zhvilluan (dje) në nder të veprës dhe figurës së kolosit të letrave Ismail Kadare, Fevziu u shpreh se kjo është gjeja më normale sepse përcjellim intelektualin më të madh që historia e Shqipërisë ka pasur ndonjënjëherë, shqiptarin më të njohur në botë dhe njeriun e vetëm që ka lartësuar gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe si askush tjetër.

Fevziu tregon dhe takimin e fundit që ka pasur me njeriun më të famshëm të letrave shqiptare.

“2 apo 3 vite e fundit nuk ka qenë mirë fizikisht. Për herë të fundit e kam takuar në fund të marsit dhe dukej që nuk ishte mirë. Në fakt kishte një hije mortore dhe biseda jonë ishte e tillë.

-E pyeta, Ismail si je?

-Nuk jam mirë më tha: Jam bërë si personazhet e mi!

 -I thashë që asnjë nga personazhet e tu nuk i arrin dot as ti dhe as ne. Ndaj qëndro i qetë për këtë gjë!

Pra refuzonte të bisedonte dhe nuk donte të fliste shumë”, përfundon Blendi Fevziu.

ObserverKult


Lexo edhe:

VDEKJA E KADARESË/ SKULPTORI MUNTAZ DHRAMI: SIKUR E PARANDJEVA, NISA T’I BËJ NJË MONUMENT