Arkeologët kanë zbuluar një arenë romake në Turqi, që ishte e ngjashme me Koloseun e Romës dhe mendohet se ka organizuar luftime mes gladiatorëve për rreth 20 mijë spektatorë. Zbulimi u bë pas disa gërmimesh në Mastaura, një qytet antik në provincën Aydin.
Arena ishte e ‘varrosur’ pjesërisht dhe e mbuluar nga bimësia. Ajo është ndërtuar në formë të rrumbullakët, në ndryshim nga shumë amfiteatër antikë që janë në formën e gjysmë hënës.
Megjithatë, kjo arenë është më e vogël se Koloseu, që filloi të ndërtohej në vitin 70 pas Krishtit dhe mund të strehonte 50 mijë deri në 80 mijë spektatorë në total.
Zbulimi u konsiderua shumë i rrallë dhe i rëndësishëm nga arkeologu Sedat Akkurnaz.
“Nuk ka asnjë shembull të mëparshëm të një amfiteatri të tillë në Anadoll dhe përreth tij. Është shembulli i vetëm që ka mbijetuar në këtë mënyrë shumë solide.
Ndërtesa nuk është e dukshme për shkak të shkurreve, ndërsa pjesa më e madhe e amfiteatrit është nën tokë. Seksionet nën tokë janë ruajtur shumë mirë. Është e fortë sikur sapo është ndërtuar”, tha ai./shqiptarja.com