I nominuar për “Poetin Laureat”, Visar Zhiti letër të hapur Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit: Ju lutem hiqni emrin tim!

Poeti Visar Zhiti është përzgjedhur në listën e poetëve për “Poetin Laureat” që jepet nga Qendra Kombëtare e librit.

Nëpërmjet një letre të hapur ai kërkon që emri i tij të hiqet nga lista.

Letra e hapur

Qendrës Kombëtare të librit

Dhe leximit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit

Duke u dëshiruar mbarëvajtje librit dhe lexuesit, një marrëdhënie të pandarë midis tyre, të dashur dhe të bukur, i drejtohem Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Arsyeja është se kjo qendër në Facebook po nxjerr radhazi emrat e kandidatëve për poetin laureat të vitit.

Sot pashë emrin tim. Nuk e di a ka juri të caktuar për përzgjedhjen, që t’i drejtohesha dhe nëse vetë autorët e kërkojnë këtë  titull a duhet të paralajmërohen.

Unë kërkoj që emri im të mos jetë në këtë konkurim, duke falënderuar për konsideratën.

Arsyeja nuk është vetëm pse tani nuk jam në atdhe dhe largësia duket se do të krijonte pengesa, edhe pse të tejkalueshme për botën moderne sot. Por dhe nëse do të emërohesha vërtet, sepse më thonë që kështu veprohet, unë nuk e di se cila është detyra, të paktën në Shqipëri.

Se e kanë dhe SHBA e vende të tjera dhe e di çfarë bëhet, por ç’synim dhe impakt arrin në jetën tonë kulturore? Nuk e kuptoj, them me modesti, për të mos thënë që më duket pa kuptim për gjendjen.

Nuk konkurojnë autorët, sipas meje, por konkurojnë veprat. Pra, vlerësohen me çmime botimet në poezi, prozë, ese, etj, ku subjektiviteti është i pashmangshëm, etj.

Përfitoj nga rasti ta falenderoj Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, jurinë e saj që libri im me poezi, “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” mori vitin që shkoi, çmimin e lartë kombëtar. Ky çmim u mirëprit nga kritikë letrarë dhe si një akt moral.

Pra, që të mirëkuptohemi, thjesht kërkoj që emri im të mos jetë në listën për kandidat të poetit laureat. Nëse duhet për të krijuar një traditë të re, ai le të merret nga gjeneratat më të reja.

Kjo me shpresën për të bërë mirë atë që duhet, shpalosje të vlerave, jetës shoqërore t’i japin sa më shumë poezi, aq sa të jetë e mundur, se vendi ynë ka poetë.

Sinqerisht,

Visar Zhiti

Chicago, 16.02.2023

ObserverKult


visar zhiti
Visar Zhiti

Lexo edhe:

VISAR ZHITI TREGON SI ZGJIDHESHIN POETËT QË DËNONTE DIKTATURA: VAZHDON ENDE REVANSHI…

Shkrimtari dhe poeti i njohur, Visar Zhiti, ka treguar sesi zgjidheshin poetët që dënonte diktatura.

Në një letër përgjigje për dy bashkëqytetarët e tij, ai thotë se nuk është dënuar nga shokët, por u dënua për poezitë që ai bënte nga shokët e partisë-shtet të diktaturës komuniste.

Sipas tij, vazhdon ende revanshi kundër “poezisë së burgjeve”, por në mënyrë të ndryshme.

“Poezia ishte dënimi im dhe mbrojtja ime, qëndresa ime dhe hakmarrja ime. Dhe vazhdon ende revanshi kundër “poezisë së burgjeve” me shumë mënyra, harresë, dredhi, shtrembërime të të vërtetave, duke lartësuar vetet e dikurshme kot. Me tekste e media, etj, etj. Por ne vazhduam të bëjmë poezinë e lirisë. Rëndësi ka jeta në poezi”, shprehet Zhiti.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult