I përjashtova nga jeta ime njerëzit që kam dashur dhe jam penduar për këtë…

Nga Clarice Lispector

E fsheha një dashuri nga frika se mos e humbisja. E humba një dashuri, sepse e fsheha. Nga frika, e sigurova në duart e dikujt. Isha aq e frikësuar, sa të mos e ndjeja në duart e mia.

I përjashtova nga jeta ime njerëzit që kam dashur dhe jam penduar për këtë. Kalova net duke qarë deri sa më mbyti gjumi. Dhe shkova të fle aq i lumtur, deri në atë pikë sa nuk mund të mbyllja sytë. Besova në dashurinë e përsosur, por zbulova se ajo nuk ekziston.

Njerëzit që më kanë zhgënjyer i kam dashur shumë pastaj zhgënjeva njerëzit që më deshën shumë.
Kalova orë të tëra para pasqyrës duke u përpjekur të kuptoj se kush jam. Pata aq siguri te vetja ime, deri sa desha të zhdukesha. Gënjeva dhe më vonë u pendova. Thash të vërtetën dhe gjithashtu u pendova.

Bëra sikur nuk u kushtoja rëndësi njerëzve që doja dhe pastaj qava në heshtje në një qoshe. Buzëqesha duke qarë lot trishtimi, qava nga të qeshurat e shumta. Besova te njerëzit që nuk ia vlente dhe nuk besova më tek ata që ia vlente vërtet. U shkriva së qeshuri kur nuk duhej të qeshja. Theva pjata, gota dhe vazo, nga inati. Më merrte malli aq shumë për dikë, por nuk ia thashë kurrë.

Bërtita kur duhet të heshtja dhe heshta, kur duhet të bërtisja. Shumë herë, për të kënaqur dikë, nuk e thashë atë që mendoja, herë të tjera fola dhe thashë atë që nuk mendoja, duke i mërzitur të tjerët.

Shpesh jam shtirë, pra nuk jam treguar ajo që jam, për t’u pëlqyer disave. Shpesh kam bërë shaka, vetëm për të parë një mik të lumtur. Kam sajuar histori me fund të lumtur, për t’u dhënë shpresë atyre që kishin nevojë. Kam ëndërruar shumë, deri në pikën e ngatërrimit të realitetit. Kam pasur frikë nga errësira dhe sot e gjej veten në errësirë, kësisoj, strukem dhe rri atje.

Jam rrëzuar shumë herë duke menduar se nuk do të ngrihesha dhe jam ngritur shumë herë duke menduar se nuk do të rrëzohesha më.

Kam thirrur atë që nuk doja, vetëm për të mos thirrur atë që doja vërtet. Kam vrapuar pas një makine, për t’u larguar prej atij që doja. Nga një makth, në mes të natës kam bërtitur: O nëna ime! Por nëna nuk u shfaq dhe përjetova një makth edhe më të keq. Kur i quajta “miq” njerëzit që kisha pranë, zbulova se nuk ishin të tillë… Ndërsa disa njerëz që nuk i quajta kurrë miq, ata qenë dhe do të jenë gjithmonë të veçantë për mua…

Mos me trego çfarë pret nga unë sepse do te ndjek zemrën time! Mos më bëj të jem ajo që nuk jam, mos më fto të jem e njëjta, sepse sinqerisht jam ndryshe!

Nuk di të dua përgjysmë, nuk di të jetoj me gënjeshtra, nuk di të fluturoj me këmbët në tokë. Unë jam gjithmonë vetvetja, por sigurisht që nuk do të jem përgjithmonë e njëjta!

Më pëlqejnë helmet më të ngadalta, pijet më të hidhura, drogat më të fuqishme, idetë më të çmendura, mendimet më komplekse, ndjenjat më të forta.

Kam një oreks përpirës dhe iluzionet më të çmendura. Mund të më shtyjnë nga një shkëmb dhe unë do të them: “Çfarë ndryshimi ka? Më pëlqen të fluturoj!”

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

NDIHEM PËRHERË MË E PËRKRYER, KUR ASGJË NUK KUPTOJ…

Nga Clarice Lispector

Të mos kuptosh, është diçka fort më e gjerë, përtej çdo botëkuptimi të mirëfilltë.

Ngase të kuptuarit, gjithmonë është diçka tejet e kufizuar, kurse të mos kuptosh, me gjasë është krejt e pakufishme.
Ndihem përherë më e përkryer, kur asgjë nuk kuptoj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult