Mister: Ku mbetën dy fëmijët që u zhdukën pa gjurmë…

fëmijët deshnicë

Ata ishin 17 dhe 15 vjeç, apo edhe më pak.Fëmijët po ktheheshin nga puna, kur partizanët i ndaluan dhe i kërcënuan se ishin ballistë. Kjo nuk ishte e vërtetë. Dy vëllezërit arritën të largoheshin për mos t’u kthyer më kurrë pranë familjes së tyre, vuajtjet e së cilës sapo kishin nisur. 

Nga Xhafer Sadiku

Në dhjetor 1943, në Dëshnicë u vendos pushteti ushtarak dhe katër-pesë batalione partizane qëndruan për katër muaj. Ushqeheshin nga popullsia e krahinës. Një batalion i Brigadës së Parë ishte vendosur në Zhepovë.

Ditët e para të janarit 1944, dy vëllezër nga fshati Zhepovë, fëmijët Hodo dhe Azis Guçe, ktheheshin në shtëpi nga një fshat tjetër disa orë larg. Ishin punëtorë sezonalë. Në hyrje të fshatit u ndaluan nga dy korrierë partizanë, të cilët shkonin në komandën e shtabit, të vendosur asokohe në Fratar.

Partizanët dyshuan se ata mund të ishin ballistë. I urdhëruan të zhvishnin rrobat dhe këpucët. Vëllezërit u përpoqën t’i sqaronin se nuk kishin lidhje me Ballin. Se ishin banorë të fshatit, çka mund ta verifikonin. Treguan edhe se vëllai i tyre, Isai, ishte partizan. Pati një përleshje trup me trup midis tyre. Njëri nga partizanët mbeti i plagosur me një teh thike.

Vëllezërit u larguan në drejtim të paditur. Komanda e batalionit mblodhi burrat e fshatit duke u dhënë ultimatumin se do t’i ekzekutonte nëse nuk dorëzonin autorët e incidentit. Vetëm kur një banor i fshatit, që i kishte takuar, tregoi se si kishte ndodhur ngjarja, çka u pranua edhe nga dy partizanët, komanda e batalionit i liroi burrat e fshatit.
Dogji shtëpinë e Hajro Guçes, babait të tyre. Familja e varfër mbeti pa strehë, në mes të dimrit.

Për të ditur për fatin e bijve të tij, Hajro dërgoi në Berat djalin tjetër, Lazen, të kërkonte ndihmën e bashkëfshatarëve, Karafil Osmanit, komandant i Ballit dhe Gani Jasharit, rrethkomandant i xhandarmërisë së Beratit. Ata bënë hetimet e nevojshme nëpër strukturat e forcave vullnetare. Megjithë kërkimet, nuk pati asnjë gjurmë të tyre.

Pasi nuk u gjetën gjurmë për vëllezërit e zhdukur, ata u interesuan të kthenin pranë familjes të riun. Por Jugu ishte përfshirë nga lufta civile dhe nuk kishin asnjë garanci se mund të kthehej i sigurt pranë familjes.

Karafil Osmani dhe Gani Jashari i kërkuan toger Kiço Mbrezhdanit ta merrte të riun me forcat e xhandarmërisë lëvizëse. Kur t’i krijohej mundësia ta dërgonte deri në Këlcyrë, për t’u kthyer pranë familjes, në Zhepovë.

Më 25 korrik 1944, në Dukaj të Tepelenës, kompania u rrethua nga dy batalione të Brigadës VI. Ata ekzekutuan dhjetëra xhandarë, midis tyre edhe togerin Kiço Mbrezhdani. Në radhët e të vrarëve ndodhej edhe i riu Laze Hajro Guçe.

Ishte vetëm 18 vjeç. Familja e varfër nga Zhepova humbi tre djem.

Në një raport të vitit 1985, të Degës së Punëve të Brendshme Përmet drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, jepeshin të dhëna për përmetarët e arratisur.

Aty lexohet se Hodo Guçe dhe Azis Guçe, i pari 17 dhe i dyti 15 vjeç, në 1944, ishin larguar për në Greqi, për të mbërritur në SHBA. Sipas të njëjtit raport, ata kishin vdekur. Nuk dihet saktësia e burimit në fjalë. Ajo që dihet me siguri nga familja, ata u zhdukën pa lënë gjurmë./kujto.al

*Marrë nga libri “Skenarë të përgjakur” (Përmeti, 1943-1990), i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK

ObserverKult

Lexo edhe:

“MË KE PARË GRUAN NGA KËMBËT”, BUJAR ASQERIU: SI MË AKUZOI SHOKU I FËMIJËRISË PASI PA FILMIN “JETA NË DUART E TJETRIT”