Thatësira është një problem që prek pjesën më të madhe të botës. Mungesa e reshjeve përfaqëson një problem të madh për botën tonë. Por, nga ana tjetër, ka sjellë edhe mundësinë për të zbuluar mbetjet e një qyteti nga epoka e Perandorisë Mittani, rreth 3400 vjet i vjetër dhe i vendosur në Lumin Tigër.
Një vendbanim që doli nga rezervuari në Mosul, Irak, në fillim të këtij viti, kur një thatësirë e madhe bëri që niveli i ujit në vend të bjerë ndjeshëm.
Më pas, ujërat u tërhoqën dhe u zbulua prania e asaj që mund të ishte Zakhiku i lashtë, një qytet i madh me ndërtesa mbresëlënëse dhe që besohet të ketë qenë një qendër e shquar e Perandorisë Mittani, afërsisht midis viteve 1550 dhe 1350 para Krishtit.
“Qyteti i përhapur me një pallat dhe disa ndërtesa të mëdha mund të jetë Zakhiku i lashtë”, thonë nga Universiteti i Tübingen, transmeton ‘a2news.com’.
Vendi në Lindjen e Mesme është një nga ata që po vuan më së shumti nga ndryshimet klimatike, sidomos muajt e fundit, ku në jug është shënuar thatësirë ekstreme. Kjo motivoi nxjerrjen e ujit nga rezervuari, në mënyrë që të mbjellat të mos thaheshin.
Dhe, bashkë me të, u gjetën mbetjet e qytetit të epokës së bronzit, i zhytur nën ujë për dekada dhe për të cilin nuk kishte pasur hetime të mëparshme arkeologjike.
E vendosur në Kemune, në rajonin Kurdistan të Irak, situata i detyroi arkeologët të punonin nën presion për të gërmuar dhe dokumentuar sa më shumë nga ky qytet i rëndësishëm, përpara se të zhytej sërish nën ujin e rezervuarit.
Presidenti i Organizatës së Arkeologjisë së Kurdistanit, Ahmed Qasim dhe arkeologët gjermanë Ivana Puljiz dhe Peter Pfälzner morën vendimin për të kryer gërmime shpëtimi, të cilat u kryen në muajt e parë të këtij viti.
Gërmimet nuk vonuan shumë për të filluar, pasi nuk ishte e qartë se kur niveli i ujit të rezervuarit mund të ngrihej sërish. Në një kohë të shkurtër, studiuesit hartuan pjesën më të madhe të qytetit, duke gjetur një pallat (të dokumentuar më parë në 2018), një fortifikim masiv me mure e kulla dhe një ndërtesë e madhe si magazinë.
“Ndërtesa është e një rëndësie të veçantë sepse në të duhet të jenë ruajtur sasi të mëdha mallrash, ndoshta të sjella nga i gjithë rajoni”, thotë Ivana Puljiz.
Lexo edhe:
PETRA, TË GJITHA SEKRETET E QYTETIT TË JASHTËZAKONSHËM TË LASHTËSISË
ObserverKult