reklamë

“Ibrahim Kodra – Deti dhe Muzika”, 41 vepra të mjeshtrit shqiptar ekspozohen në Tiranë

Ibrahim Kodra

Më 23 shtator, në Tiranë hapet ekspozita e kushtuar një prej emrave më të rëndësishëm të artit shqiptar të shekullit XX, Ibrahim Kodra.

“Ibrahim Kodra – Deti dhe Muzika” do të prezantohet në ambientet e Bankës së Shqipërisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 23 nëntor.

Ekspozita sjell 41 vepra të realizuara nga Kodra gjatë viteve 1947–1999, duke vendosur në qendër të saj universin artistik të piktorit shqiptar, ku ndërthuren deti, muzika, figuracioni dhe mitologjia.

Përmes ngjyrave, formave dhe kompozimeve të tij karakteristike, ekspozita synon të rikthejë në vëmendje një krijimtari që e vendosi Ibrahim Kodrën në skenën e artit modern evropian dhe e bëri atë një nga përfaqësuesit më të veçantë të postkubizmit.

Ekspozita është kuruar nga Anila Mema dhe bashkon vepra nga fondi i Shtëpisë-Muze të Ibrahim Kodrës në Milano, koleksione private, si dhe materiale dokumentare që plotësojnë portretin e artistit.

Përveç pikturave, ekspozita shoqërohet edhe me fotografi, dokumente, botime, çmime, veshje dhe instrumente muzikore, duke krijuar një rrëfim më të gjerë mbi jetën dhe krijimtarinë e Kodrës.

“Deti dhe Muzika” vjen kështu si një udhëtim në botën e artistit, aty ku kujtesa, arti dhe imagjinata bashkohen në një gjuhë të veçantë, përmes së cilës Kodra ndërtoi një urë mes identitetit shqiptar dhe artit evropian./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

“Festivali është një event që po e krijojnë ca njerëz të paditur”, shpërthen Mevlan Shanaj kundër Festivalit të Filmit