Ibrahim Kodra, postkubisti i fundit në Evropë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Shqipëri Blendi Gonxhja, ka përkujtuar sot piktorin e njohur dhe të rëndësishëm shqiptar, Ibrahim Kodra në përvjetorin e lindjes.

Këtë e ka bërë përmes një statusi dhe videoje në llogarinë e tij në Facebook.

“Përkujtojmë një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptar, i njohur ndërkombëtarisht si “postkubisti i fundit në Evropë”, Ibrahim Kodrën, në përvjetorin e tij të lindjes. Ndonëse u largua i ri nga Shqipëria, Ibrahim Kodra e ruajti dashurinë për vendlindjen të shprehur përmes penelatave shumëngjyrëshe, ku vepra e tij e mirënjohur “Shqipëria fantastike” e realizuar në vitin e trazuar 1997, portretizonte Shqipërinë si një parajsë mesdhetare “, ka shkruar Gonxhja.

Tutje Gonxhja ka shprehur nderim e respekt për artistin e jashtëzakonshëm, të ndjerin Ibrahim Kodra.

Ibrahim Kodra lindi më 22 prill të vitit 1918 në Ishëm. Pas një fëmijërie të vështirë, arriti të merrte një bursë nga Mbretëria e Shqipërisë, e të studionte në Milano, në një nga akademitë më të mira të kohës, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brera-s.

Në 1944 hapi studion e tij të parë në Milano. Në 1948, çeli ekspozitë personale dhe në grup, në “Klubin e Artit”, në Romë, ku takoi dhe u bë mik me Pablo Pikason.

Në 1950 ai pikturoi afreske në muzetë dhe ndërtesat më të rëndësishme të Milanos. Më pas, Ibrahim Kodra, mori pjesë në ekspozita si dhe vendosi raporte të ngushta përveç Pikasos, me Henri Matis, Modiljanin e të tjerë emra që kanë bërë historinë e pikturës botërore.

Kodra ka qenë një piktor shumë prodhimtar. Ai ka lënë më shumë se 6 mijë piktura, të cilat gjenden në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve, në Parlamentin Italian, në Muzeun Kodra në Lugano (Zvicër), në Muzeun Kodra në Milano (Itali), në muzeume të tjera si dhe koleksione private anembanë botës.

Disa nga ekspozitat e tij:

Ekspozitë kolektive në “Paradise” me Pablo Picasso, Dali, Matta, Ernst, Levi, Panseca, Braque, etj.
Ekspozitë kolektive në “Stone Gallery” në Newcastle me Corneille, Gear, Gleghorn, Michaux, Millares, etj.
Ekspozita në Milan, The Stone Gallery në Newcastle, “Senator” në Stuttgart, poashtu edhe në “New Art Center” në Zurich.
Ekspozitë personale në Galerinë e Artit Modern në Prishtinë.
Ekspozitë personale në Princess Hall në New York, “2D Gallery” në Sassari.

Kodra ka ndërruar jetë më 7 shkurt të vitit 2006.

Videon mund ta shikoni duke klikuar KËTU:

ObserverKult


Lexo edhe:

IBRAHIM KODRA: “SA MË TË MËDHENJ JANË NJERËZIT AQ MË KOKËULUR JANË”

“Sa më të mëdhenj janë njerëzit aq më kokëulur janë”,- thënie kjo që piktori Ibrahim Kodra e pëlqente ta përsëriste shpesh.

Kështu e nis rrëfimin e tij për maestron Fatos Faslliu, drejtuesi i fondacionit “Ibrahim Kodra”, të cilit i pëlqen të nënvizojë se pavarësisht talentit dhe njohjes ndërkombëtare, Kodra mbetej një njeri i thjeshtë. Mjaft i komunikueshëm, i gatshëm për të ndihmuar gjithnjë të tjerët.

Dhe shumë i shqetësuar për fatin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Kubisti shqiptar, Ibrahim Kodra

Dy nga njerëzit që i kanë qëndruar më afër deri në fund të jetës ndalen në shumë nga momentet e jetës së Kodrës, nga fëmijëria e hershme e deri në ditët para se të mbyllte sytë. 

Miqësitë e tij me disa nga artistët më të famshëm të kohës, lidhjet e ngushta shpirtërore me Durrësin dhe Shqipërinë, vlerësimet nga personalitete të atyre viteve.

Por dhe pasionet që e shoqëruan gjatë gjithë jetës janë disa nga etapat më të rëndësishme të jetës dhe krijimtarisë së Kodrës, që Fatos dhe Luljeta Faslliu i zbardhin për gazetën “Dyrrah”.
Piktori i ardhshëm

“I mbetur jetim që në moshën 3-vjeçare, Ibrahimi detyrohet në moshën 8-vjeçare të largohet nga shtëpia prindërore në fshatin Likmetaj të Ishmit, pasi nuk e duronte dot njerkën e tij”. Kështu tregon Fatos Faslliu. Babai i tij, Murati, ishte kapiten i një anijeje tregtare, e meqë ishte gjithnjë në udhëtim, ai kalonte shumë kohë me njerkën e tij.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult