Ibrahim Rugova: Ja kur i kemi shenjat e para të censurës në letërsinë evropiane

Foto: Hazir Reka

Ibrahim Rugova i përket brezit të 68-tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës. Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës.

Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë.

Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit përnjëherësh, shkruan Sabri Hamiti.

Sipas tij, njëri nga më përfaqësuesit e kësaj lëvizje është Ibrahim Rugova, me përcaktim kritik letrar e studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare.

Rreth librit “Refuzimi estetik”

Sipas akademik Sabri Hamiti “Refuzimi estetik”, është libri i fundit kritik i Ibrahim Rugovës, ndërsa në trajtën e ndërtimit formal duket të jetë vazhdim i librit të mëhershëm Strategjia e kuptimit.

“Kjo jo vetëm sepse e përbëjnë kryesisht tekste kritike që lidhen me autorë bashkëkohorë dhe vepra e ide letrare aktuale, por edhe pse kapitujt e tij nuk emërtohen në bazë të çështjeve të shqyrtuara, por në bazë të klasifikimit të formave të kritikës së autorit. Në këtë vështrim, kemi një vetëklasifikim të shkrimit të autorit”.

Ndërsa vetë autori, Ibrahim Rugova, në parathënien e këtij libri tregon se në këtë libër janë përfshirë disa ese, kritika, vështrime e studime të botuara brenda viteve 1980 – 1986.

“Klasifikimin e tyre e bëmë sipas zhanreve të kritikës dhe të studimit në tri pjesë: Teori e kritikës, Ese e kritikë dhe Vështrime e studime, ngjashëm me një klasifikim që patëm bërë në librin Strategjia e kuptimit (1980), do të thotë se në njëfarë dore edhe ky libër do konsideruar si vazhdim i tij në planin tematik dhe në atë të prosedeut kritik”.

Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga libri “Refuzimi estetik”:

Kontrollimi i veprave

Jo vetëm në autorët, të cilët si person publikë u përzien në lëvizjet ideore e kulturore të shoqërive të epokave të ndryshme, po pushteti në kohë të ndryshme, përpjekjen më të madhe e përqëndroi në kontrollimin e prodhimit shpirtëror e sidomos të letërsisë. Kështu për këtë qëllim ai shpiku censurën, metodën e kontrollimit dhe të ndalimit të veprave shkencore, filozofike e letrare.

Shenjat e para të censurës në letërsinë evropiane i kemi që në antikë. Këshilli i qytetit të Atinës, vendosi ta përpunojë në shumë pjesë veprën e Homerit, madje t’ia ndryshojë edhe titullin.

Vepra e Homerit “Zemërimi i Akilit” u titullua me titull të ri “Iliada” dhe u ndryshua koncepti themelor i saj, ku këndohej në të mirë të trojanëve e jo të grekëve. Këto pjesë u kthyen në të mirë të grekëve.

Pastaj nuk u pranua që emri i Akilit të mbetej në titull, meqë ky ishte një trim jo i pastër grek, meqë ishte nga Epiri ilir, që po e paraqesim si tezë të mundshme interpretimi, e që e mbështesim në të dhënat historike për origjinën e Akilit siç njihen në historiografinë e antikës.

Censura vazhdoi me të madhe në mesjetë, sa që u kurorëzua me inkuzicionin kishtar që u mor edhe me djegien dhe zhdukjen e veprave të mendimit shkencor e filozofik. Kështu sot, në kuadër të institucionit të censurës, inkuizicioni merret si forma më e lartë, që përfaqësohet nga tipet e sistemeve dhe nga pushtetet e ndryshme.

Në epokën moderne, në përsosjen e veprimit të ideologjive dhe të sistemeve shoqërore e politike, nga veprimi i vazhdueshëm i censurës, pra i presionit të shtetit dhe të pushtetit u shfaq edhe autocensura, term i Sartrit, me të cilin kuptohet censurimi nga ana e vetë shkrimtarit.

Pra ai vetë e bën kontrollimin e mendimeve dhe të veprës së vet. Kjo, mendojnë shumë studiues të këtij fenomeni, është forma më e dëmshme në ngushtimin e lirisë së mendimit dhe të vetë letërsisë, meqë autocensura, siç konstatojnë historianët dhe sociologët e kulturës, madje edhe psikologët, është formë jolegale, e brendshme me një veprim të pakufizuar në personën e autorit, krijuesit.

*Shkëputur nga libri “Refuzimi estetik” i botuar nga Sh. B. “Faik Konica” më 2005

E përgatiti: A. S. – ObserverKult


Lexo edhe:

IBRAHIM RUGOVA, PRIJËSI QË SFIDOI REGJIMIN KOMUNIST