Ibrahim Rugova: Për shpalljen e pavarësisë dhe aktin e Ismail Qemalit

Fahredin Spahija: Ibrahim Rugova

Nga Ibrahim Rugova

Gjithmonë e kemi ndier në veten tonë këtë Ditë të bardhë, kemi jetuar me të, me gjakun e saj të kuq, që qe i ndrydhur fort ndër zemrat tona, si në zemrën e Plakut mjekerbardhë që e zbardhëlloi më 1912.

O, po si të mos e ndjejmë këtë Ditë që është njëra ndër ditët më të bardha, ndër ditët më të kuqe të historisë sonë të vrullshme plot e përplot shtrëngata e pak më pak me bardhësi të këndshme.

Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e nje trungu në çdo stinë të kohës.

Zinë e lëngatës së një populli e ndiejnë më së miri dhe më së shumti bijtë më të mirë të tij. Ata shkrumohen sa s’ka më. Mundohen që ta zhdukin atë dhe të sjellin fatbardhësisnë e ëndërruar. Të ngrenë tempullin e lirisë në mesin e Atdheut – vendit të shenjtë, vendit që është simbol i njeriut në mbarë jetën dhe lavdinë. Ata bëjnë çdo gjë. Digjen si qiriri. E me atë dritë që del nga trungu i tyre i djegur shëndrisin tokën e rituar me gjak ndër shekuj. Shumë ka pasur gjaku ynë kësi bijsh, të ndershëm, madhështorë dhe burrërorë. Vargu i tyre ndër faqet e së kaluarës sonë është i gjatë sa të gjithë ne. Më i gjatë është vargu i lavdive dhe trimërive të tyre të paskajshme.

I pari që e shpuri në vend porosinë e stërgjyshërve, ai që e ngriti atë që e mbanin lart ndër duar dhe mbi koka e që marshonin përpara me të, qe njëri ndër bijtë më të mirënjohur të kombit tonë – Ismail Qemali, Plaku mjekërbardhë. E ngriti Ai, e mbajtëm ne dhe do ta mbajmë ngaherë dhe do të ecim përpara në histori.

E mbajtëm në zemra, në shpirt. E kemi edhe në dorë. Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë.

(Marrë nga: “Bota e re”, Prishtinë, 28.XI.1968)

ObserevrKult


Lexo edhe:

ÇKA THOSHTE IBRAHIM RUGOVA PËR KARAKTERIN, NATYRËN E LETËRSISË…

Ibrahim Rugova i përket brezit të 68-tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës. Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës.

Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit përnjëherësh, shkruan Sabri Hamiti…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU