Ibrahim Rugova: …Vetëm jam në dhomë

Fahredin Spahija: Ibrahim Rugova

Nga Ibrahim Rugova

(Pablo Neruda, 1904)

***
…Vetëm jam në dhomë. Diçka më ngroh, më nxit. Po. Më jep fuqi fryma e një burri të rryeshëm në jetë. Me afsh zë të flas me të, me shpirtin e tij, me veprën, me ne. I falem që me të flas për atë që mua më përshkon e s’mund ta them…Ziej kështu më vete. Ziej në mugëtirën e mbrëmjes dhe papandehur, nga thellë e ndiej frymën e dalë tërë e një ashk: ,,Ne shkruajmë për njerëzit e rëndomtë. Për njerëzit që janë aqë të përvujtë, sa dendur s’dinë as të lexojnë. E poezia gjëllinte në tokë para shkrimit dhe fjalës së shtypur-ndaj e dimë se poezia, ashtu si buka, duhet të jetë e të gjithëve, e mbarë vatrës sonë të madhe dhe tejet të bukur njerëzore”. E posa t’i këndojmë këto fjalë të Pablo Nerudës, para nesh ngrihet një fytyrë e madhërishme poeti, i cili gjithë shpirtin e derdhi për të mirën e njerëzve të rëndomtë, për të mirën e atyre që përmbushin botën. Dhe kur ta shijojmë veprën e tij poetike, kurrsesi s’mund t’i shqitemi, sepse është e jona. Kësodore na ngjet me poetët e hollë, me shpirtrat e mëdhenj, me ata që të pushtojnë me çiltërtinë e tyre të kulluar.
Shpirti i madh i Nerudës, prej se u bë të dijë për vete, edhe sot, rrahu furishëm e me plot guxim në fërtymën e lirisë, në fërtymën e jetës dhe të dashurisë, në fërtymën e të mirave më të ardhura të njeriut. Ai këtyre nuk u këndon himne, nuk u thur lavdi e kurorë, por i merr siç i marrin të gjithë: se pa to nuk ka të rrojtur, s’vlen që për tjetër të gazmohesh e të kërkosh dritë, pasi dritë është vetë.
Lirika nerudiane që në fillim zu t’i ëmbëlsojë njerëzit, që atëherë kur delte nga një zemër e pikëlluar me vesë rinoshe. Ajo u rrit dhe u përkye bashkë me kohën në të rëndomtën. Është ndër lirikat e rralla, që ndjeu aq fort tik-takun e kohës sonë. Këtë veti të poetit e hetoi shumë mirë Lorka, kur në Universitetin e Madridit, duke e bërë të njohur tha se është: ,,Poet që kundërmon më shumë vdekje se sa filozofi, më shumë dhembje se sa mendje, më shumë gjak se sa ngjyrë”. Kjo do të thotë se ky është poet i tokës, e jo i shterzimeve të kota.

***
Dhe tash, t’i ndiejmë rrahjet e zemrës së Nerudës, asosh çfarë janë. Pra, prej ditëve të hershme e këndej, t’i kërkojmë siç duhet, si e do puna.
Kur këndellet në këngë për dashurinë, gati gati, i tëri drithëron si gjethi në degë para puhisë mëngjesore, e nga ëmbëlsia e saj i jepet të pikë, të mbarojë të veten në atë fillim të këndshëm. S’i mbetet tjetër pos psherëtimës: ,,O trup i këngës sime, do të rri në ëmbëlsinë tënde”! Këtë ëmbëlsi e merr si afëri, si njësim shpirtrash. Edhe atëherë kur ajo hesht, i fanitet me bukurinë e vet, pa: ,,Heshtja jote është aqë e largët dhe e padjallëzi”. Padjallëzitë janë të dashura dhe të çiltëra ato na bëjnë njerëz. Ato u duhen dhe u përkasin njerëzve. Ke gruaja, ke bashkudhëtari i jetës, heton fuqinë përgjëllim të mbarë:

Ke ti mblidhen betejat dhe fluturimet.
Ke ti ngriten krahët e zogjve këngëtarë.

Sa i freskët dhe i ngrohtë është dorëzimi i femrës, e cila për atë orë gjason me lulen, që për t’u freskuar, së paku, do të ndihet e fortë në diellin e ditës, në diellin përvëlues të dashurisë. Afshin e saj drithërimtar e ndiejnë vetëm ata që janë dashnorë me gjithë zemër, që nuk duan veç epshe të shpërdredhura, pra që duan dashurinë, njeriun, ndiesinë e fisnikërimit. Jeta pa miken, i vjen e shkretë, e djerrë, e urët, se, ç’e thotë edhe vetë, përkrah bukës njeriu ka dashurinë. Dashurinë e sinqertë e vlerëson si shpëtim, si feks në hullinë e jetës, si stinë të bukur e të mirë që sjell mbushullim ndër shpirtra të dhënë njëri tjetrit. E do gruan, femrën. Ndien nevojë t’ja qajë dikujt hallin, brengat, t’ja çelë dikujt zemrën, ta lehtësojë veten. Me zemër të çelur ndihesh më i lirë, shkurt, ndihesh njeri.

Kejet janë të pikëlluara me pushtimin e natës.
Më ka lodhur jeta e urët që s’hyn gjë në punë
Dua atë që s’e kam, e ti je larg, shumë larg…


Të njerëzishme dhe ngashnjyese janë dëshirat e tij për të dashurën. Ja ka ëndja të ketë dorën e natyrës së butë, dorën mitare: ,,Me gjithë shpirt do të bëja nga ti atë që pranvera bën me qershitë”, ta shikojë me të bardhë, me ngjyrë çfarë e do dashnori, në lulëri ku prehen sytë, ku bulon adhurimi, përqasjet pas asaj që ,,Çel e mbyllet si kurora e lules”. Si shumë dashuri, ashtu edhe kjo e Nerudës, në lulen e vet, zë të vyshket, të fishket nga ahet, që lindin vetvetiu. Ngryset fort më vete. I ndodh ajo që në çastet e lumturisë s’e ka ndier dhe as që e ka marrë me mend, pasi në lumëri nuk parandihet e kobshmja. Orët e këndshme të përkëdheljeve i kanë mbetur vetëm kujtime që e kallin dhe e shpiejnë në derën e ditëve të venitura. Ajo i del si ,,Zymbyl i nxirë që pështjell shpirtin e dashuruar”, si bletë e bardhë, që pas thithjes ka ikur duke i lënë pranë zukamën e plagosjes. Më tepër se shumë herë e ndien plagën:

Vaj për mua, vaj për ne, e dashur.
E deshëm vetëm dashurinë, të duhemi,
dhe midis aqë dhembjesh ra shorti
që vetëm ne të dy të mbesim me plagë.

i bëhet mendja gjithunji se, s’i ka mbetur asgjë, veç të shkruajë vargje dhembshurie, të cilat i vesojnë shpirtin.
E ndjeu fare qartë se ,,aqë e shkurtë është dashuria dhe aqë e shkretë harresa”. Bën be se s’do të këndojë më vargje për atë që e vrau. E pas sa e sa vitesh, ju kthye prapë dashurisë. Deshi të përtërihet e të lahet edhe një herë në ëndërrimet dhe përjetimet e rinisë. Nuk shpreson më, si atëherë, se në rrugën e jetës do ta gjejë lumturinë, gëzimin, puthitjen. Dëshirë e përmotshme:

Kur të vdes t’i kem duart e tua në sytë e mi;
të më prekë edhe një herë njomësia e tyre,
ta ndiej butësinë që fatit m’i dha tjetër rrugë.

E ajo që i dha tjetër rrugë jetës dhe fatit të tij, ishte Matilda Urrutia. Bën që përkundër dhembjeve të tjera kjo, ta ketë plagosur më së shumti. Me gjakimin e fundm këlthet: ,,O dashuri, të dua sepse je e ndritshme dhe e errët”.

*Shkëputur nga libri i Ibrahim Rugovës: “Prehje lirike”

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

IBRAHIM RUGOVA: ESTETIKA DHE POLITIKA