Ikja e një labi të mençur

Dje u nda papritur nga jeta në moshën 78 vjeçare profesori dhe mjeku i njohur Sabit Brokaj.

Për doktor Sabitin kanë shkruar: Ksenofon Krisafi, Xhevdet Shehu, Namik Dokle, Bardhyl Agasi, Xhelal Gjeçovi dhe Xheladin Çeka…

Prof. Ksenofon Krisafi

Mëngjesi i djeshëm më erdhi i trishtë. Një telefonate nga miku im, gazetari i mirënjohur, Xhevdet Shehu, e pazakontë për nga orari, të cilës nuk munda t’i përgjigjesha, u pasua nga  sms e mëposhtme: “Mirëmëngjesi Profesor. Si jeni? Profesor Sabiti na la.” Ma dërgonte miku im, mjeku nga Lekbibaj, Lekë Hyseni, koleg dhe mik shumë i afërt me prof. Sabit Brokajt. Një krisje e fortë dëshpërimi për lajmin e pabesueshëm për ikjen e një miku, e një njeriu të madh e shumë të mirë. Zemra e mjekut të talentuar të zemrës, një prej kardiologëve më të mirë të vendit, pushoi së rrahuri, duke shpërndarë ngado një valë të madhe dhimbjeje.

Sepse Profesor Sabit Brokaj ishte dhe do të mbetet një lab trim dhe i mençur, një njeri me parime të palëkundura dhe virtyte të larta.

Profesor, profesionist i shkëlqyer i kardiologjisë, personalitet i spikatur i mjekësisë shqiptare, erudit,  me njohuri të gjera e të thella në çdo aspekt të kulturës në përgjithësi, të historisë, atdhetar i përkushtuar, luftëtar i paepur, vizionar për progres në fushat e tij të interesit dhe çdo fushë tjetër të zhvillimit. Mendimin e tij politik, social e qytetar e gjen të shprehur,  në disa qindra faqe të shkruara me mjeshtëri e art, të botuara në organet e ndryshme të medias.

Orator, elegant, elokuent në të shprehur e në të shkruar, i thellë e bindës në arsyetimet dhe qëndrimet e tij.

Intelektual i kulturuar, i përkorë në qytetari e në  sjellje njerëzore, i guximshëm, trim e kurajoz.

Jemi njohur rreth 50 vjet me parë, në mjediset e universitetit të Tiranes, në zbore ushtarake dhe aksionet e punës vullnetare.

Tek ai dallohej buzëqeshja e bukur e një njeriu të mirë, të cilit e qeshura nuk i vinte nga jashtë, por i buronte nga thellësia e shpirtit. Prandaj e lëshonte pa kursim te njerëzit e tij, miqtë, kolegët, pacientët, të njohurit e shumtë në terë Shqipërinë.

Shqipëria humbi sot (dje) një personalitet të rëndësishëm me vlera dhe kontribute të mëdha, veçanërisht në zhvillimet e tridhjetë vjetëve të fundit, humbi një mjek të shkëlqyer, një politikan human dhe një njëri të rralle. Ai do t’i mungoje familjes se vet të mrekullueshme, vendit, shqiptarëve dhe ne miqve që e deshëm dhe na deshi.

Ikja e tij e befasishme na la një boshllëk të madh.

Ngushëllimi në rastin e të mirit Sabit Brokaj na vjen nga krenaria që patëm privilegjin të ishim në rrethin e tij miqësor.

*President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës