(Adem Mikullovci 1937-2020)
Nga Halil Matoshi
1.
Doli nga skena e quajtur rrnesë, aktori Adem Mikullovci, (i lindur në Vushtrri më 1937) i cili shekullin e tij jetësor e ka kaluar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku ka jetësu 45 role dhe rreth 70 performime.
Pati një karrierë prej shoumeni, komediani e regjisori. Ka luajtur edhe në film.
2.
Në dy raste ishte rreshtu me politikën: Më 1990 si delegat i Kuvendit të Kosovës që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Kaçanikut (7 shtator) për t’iu rikthy asaj, së fundi, kur mori një mandat në Kuvendin e Republikës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në Kuvend (ishte më i vjetri) kur nuk i jepte vetës zorin të bënte ndonjë kritikë ndaj pushtetit, vizatonte ose hante keksa!?
3.
Mikullovci mbahet mend për mishërimin e tij me komiken, përbrendësimin e anës së idhtë të realitetit, porse shquhej edhe për depërtime me ndonjë nga rolet e tij psikologjike.
Në thelb, ai përmes karaktereve të tij i fliste anës komike të tragjedisë.
4.
Sipas Aristotelit, komedia antike filloi me një spektakël, si “rutinë e ngritjës” në një rrafsh etik, ku në fund aktorët dalin të gjallë nga skena, ndonëse me lotë e të qaraveshur.
Si rregull, tragjeditë ndodhin në fushën e betejës ose në sallën e madhe të një pallati; Si pasojë kemi të bëjmë me një shthurrje shakespeare dramatike, me helm, shpata e vrasje makabré, ndërsa mjedisi më i mundshëm për komedi është dhoma e gjumit, një mejhane ose banjo.
Pse jo, një fshat i humbur ose edhe një vend i tërë në situata delirante!?
Porse komedia brenda tragjedisë ndodhë në një shpirt të trazuar, të vetmuar.
Një fund i lumtur është gjithçka që kërkohet.
Apo shthurrja dramatike Chehoviane.
5.
Ademi kësaj herë u bë serioz, doli nga skena me vdekjën e tij krahaqafe.
Qetë e pa bujë, ai la Teatrin e komedisë njerëzore për me lypë azil në ndonjerën nga shtresat e Komedisë Hyjnore të Dantes.
Me gjasë ai do të jetë në rrethin e parë të ferrit, si shtëpi e të pafajshmëve, paganëve të papagëzuar dhe virtuoz.
“Nuk është Parajsa, por për sa i përket Ferrit, nuk është shumë keq: (…)
Hipokrati dhe Aristoteli do të jenë fqinjët tuaj, kështu që çdo përpjekje për biseda të vogla ndoshta do të kthehet, nxitueshëm, në Biseda të Mëdha”-shkruan Matt Staggs.
6.
Mikullovci iku në kohë Pandemie kur njerëzve ka nisë t’u mungojë vdekja e dinjitetshme, ajo “festë” e çmendur nga serioziteti i rastit, me miq, që ta hedhin një grusht dhé përmbi…
7.
Më pati ftuar pas lufte në emisionin e tij “Pa dorëza” nga i cili më mbetët në kujtesë një hyrje e tij prej shoumenk, që ishte një burleskë e vërtetë.
Pasi u kullundris para kamerave, m’u drejtua: “Pashë Zotin Halil Matoshi, kush dreqin je ti, asgjë nuk di për ty, e hallku shumë po flasin…”!???
…isha shtangur. Këtë e mbaj mend.
Nemitjën si mimezis.
Asgjë fare nuk di as unë për dramën e njeriut që së bashku me Plejaden e aktorëve ‘60-‘70, i dha identitet e emër kësaj Republike.
8.
Pushoftë në paqen e pasosun tu i numëru plagët e trupit e vrragët e shpirtit. Do të vijnë pas tij plot aktorë që tallen me jetën e qajnë me dënesje përbrenda./ ObserverKult