Ikona e “Ungjëllizimit”, vepra e ikonografit Athanas Zografi e realizuar në vitet 1760-1780

Ikona e “Ungjëllizimit”  me origjinë nga kisha me të njëjtin emër në Tiranë, i atribohet ikonografit Athanas Zografit me origjinë nga Korça dhe mendohet të jetë realizuar në vitet 1760-1780.
Muzeu i Artit Mesjetar Korçë bën të ditur se ikona e “Ungjëllizimit” është shembulli tipik i dobësisë që kishin piktorët në atë kohë për modelet perëndimore në stilizim dhe frymën e barokut. Virgjëresha është e ulur në një fron të dekoruar dhe të gdhendur sipas stilit barok.
Kryeëngjëlli Gabriel me veshjen e tij të shndritshme që rrjedh nga pas, qëndron mbi një re duke zbritur me këmbën e majtë për të krijuar një atmosferë të bukur. Ai mban në dorën e djathtë një zambak të bardhë për tia dhuruar atë Virgjëreshës Mari dhe duke treguar me dorën e majtë Shpirtin e Shenjtë (në formën e pëllumbit).
Veshjet luksoze dhe materialet me dantella tregojnë preferencat e autorit për dekoracione të pasura. Në ballkonet e ndërtesave të larta qëndrojnë profetët David dhe Solomon që shpesh janë prezentë në skenat e ungjëllizimit./ATSH