Një jetë pas kamerës, një sy vëzhgues që studionte, përzgjidhte e zbulonte talente, një artist gjithnjë në lëvizje që punonte papushim, një mik i mirë që ka qenë gjithnjë pranë nesh në çdo aktivitet të Arkivit të Filmit me kamerën ose aparatin e tij fotografik që nuk e ndante nga dora. Një humbje e madhe për ne dhe të gjithë kolegët artistë.
Ilia Terpini ishte një operator i shquar i filmit shqiptar, një artist me syrin e artë, që xhiroi me mijëra kilometra film, që fiksoi në celuloid, artistët më të mëdhenj shqiptarë, xhiroi ngjarjet më të mëdha dhe krijoi artin dhe vlera të padiskutueshme në 40 e ca vjet karrierë artistike.
Me 26 filma artistikë dhe me dyfishin e ca të filmave dokumentarë Ilia Terpini, që kurrë nuk e uli kamerën nga supi plot kallo, ishte jo vetem një artist i kompletuar, por u bë shkollë për dhjetra të tjerë që vijojnë rrugën drejt artit.
Për artin e tij flasin jo vetëm çmimet, vlerësimet kombëtare, artikujt e shumtë në medien e shkruar dhe kronikat e televizioneve, kolegët që kanë pasur fatin dhe kënaqësinë të punojnë me të ndër vite.
Ilia rriti dhe edukoi me dashurinë për artin dhe atdheun dy djemtë e tij, Zhanin dhe Klevisin, të cilët vijojnë me pasion këtë udhë të bukur të nisur vite e dekada më parë. Të dy djemtë, kanë hapur ekspozita, kanë xhiruar dokumentarë e kanë fituar edhe çmime duke qenë garanci për atë udhë të bukur të nisur në mesin e shekullit XIX./Aktoret Shqiptare