Ilir Meta vlerëson personalitete të Malësisë së Gjakovës dhe Dukagjinit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi disa figura të shquara atdhetare të zonës së Malësisë së Gjakovës dhe të Dukagjinit, të propozuara nga Shoqata “Nikaj-Mërtur”.

Kreu i Shtetit shqiptar çmoi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Nikollë Vatnikajn (pas vdekjes) me motivacionin “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së shquar në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, në shërbim të komunitetit si punonjës i Policisë së Shtetit dhe drejtues i lartë i saj në disa rrethe të vendit; duke dëshmuar profesionalizmin, korrektësinë dhe humanizmin e tij.”.

Me Dekoratën “Nderi i Kombit” u nderua At Gegë Lumaj (pas vdekjes) me motivacionin “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur dhe shembullin e tij të rrallë në forcimin e lidhjeve vëllazërore dhe ndërfetare mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme të Malësisë së Gjakovës, Dukagjinit, Pukës, Hasit dhe Kosovës.
Ai mbetet një ndër prijësit fetarë, të cilët ndikuan bindshëm në këto zona që të mbizotërojë besimi në Zot, liri e demokraci, si dhe harmonia e mirëkuptimi fetar e vëllazëror te kombi ynë, pushteti komunist për qëndrimin e tij patriotik në shërbim të kombit dhe të fesë, e persekutoi me 30 vite në burg”.

Me dekoratën “Nderi i Kombit”u nderua edhe Jakup Jakup Dushën (Hoxhë Dusha) (pas vdekjes): “Në vlerësim dhe mirënjohje për kontributin e spikatur dhe shembullin e tij të rrallë në forcimin e lidhjeve vëllazërore e ndërfetarë mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme në Malësinë e Gjakovës, Dukagjinit, Pukës, Hasit dhe Kosovës. Ai mbetet një ndër prijësit fetarë, të cilët ndikuan bindshëm në këto zona që të mbizotërojë besimi në Zot, liri e demokraci, si dhe harmonia e mirëkuptimi ndër fetar e vëllazëror te kombi ynë, duke u shuar në burgun e Shkodrës në moshën 72-vjeçare nga dhuna e ushtruar gjatë hetuesisë komuniste.”

Mjeku humanist Mhill Gecaj u çmua me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Për kontributin e shquar si mjek, në ndihmën e dhënë për qytetarët e Kosovës të larguar me forcë nga trojet e tyre gjatë luftës gjatë viteve 1998-1999. Me mirënjohje për ndihmën e pakursyer mjekësore dhe humaniste, të dëshmuar sidomos gjatë pandemisë COVID-19, për të gjithë komunitetin e zonës ku shërben si dhe për meritat në promovimin dhe ndihmën e pakursyer për zhvillimin e zonës së Nikaj-Mërturit dhe të gjithë Malësisë së Gjakovës.”

Atdhetari Zef Avdija u dekorua (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Me vlerësim ndaj kontributit të shquar në luftë me pushtuesit turq dhe më vonë, me ata serbo-malazezë, në mbrojtje të zonës së Dukagjinit dhe të trojeve të tjera shqiptare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mbrojti vendin nga pushtuesit e huaj, ndërsa në pleqërinë e tij, pushteti komunist e persekutoi dhe e dënoi me burg të rëndë për qëndrimin nacionalist dhe kombëtar.”

Ndërsa Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekorua Kolë Progni (pas vdekjes):“Në vlerësim për punën e tij profesionale dhe kontributin e dhënë si historian dhe gjeograf i talentuar, botanist dhe zoolog i pasionuar dhe gjeolog i spikatur; i cili ka shkruar disa monografi dhe qindra artikuj shkencorë për zonën e Alpeve tona, duke u shndërruar në studiuesin më të njohur të Alpeve Lindore, Alpeve Verilindore dhe Veriore nga Vermoshi në Jezercë e deri në Luginën e Drinit”.

Në fjalën e tij drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të nderuara të Shoqatës “Nikaj-Mërtur”, pjesëmarrës në ceremoninë e dekorimeve, Presidenti Meta u shpreh se “
Malësia e Gjakovës apo siç i thonë edhe Malësia e mirë si dhe Dukagjini, por dhe malësoret e këtyre zonave kanë dhënë shumë për kulturën, traditën dhe mbi të gjitha për lirinë, pavarësinë, por edhe demokracinë dhe të gjitha trojet tona kombëtare”.

“Dy burra të veçantë që i kanë bërë nder dhe i kanë dhënë emër Malësisë së Gjakovës, janë At Gegë Lumaj dhe Hoxhë Dusha. Këta dy prijës fetarë dhe kombëtar, dy miq dhe shokë të pandarë, janë shembulli i mirëkuptimit dhe harmonisë fetare, i luftës për shkollim e dije, përparim, liri dhe demokraci. Hoxhë Dusha dhe At Gegë Lumaj, me shembullin e tyre treguan se shqiptarët e të gjitha besimeve janë vëllezër të një gjaku në radhë të parë dhe të një gjuhe.

Ata të dy, së bashku ishin kudo kur e kërkonte e mira e kombit, në Nikaj-Mërtur, Dukagjin, Gash, Krasniqe, Pukë, Has e Kosovë. Këta dy burra trima, të urtë, të dijshëm dhe patriot, jetën e tyre për fat të keq e mbyllen në burgjet komuniste, në vend që të vlerësoheshin dhe të çmoheshin për çdo gjë që bën për të mirën e kombit tonë”, nënvizoi Meta.

Më tej Meta tha se “me propozim të Shoqatës ‘Nikaj-Mërtur’, kam kënaqësinë që të vlerësojmë: Zef Avdijajn, malësorin trim dhe të paepur në luftë kundër osmanëve dhe serbo-malazezëve, i cili çdo herë ishte në ballë të betejave në mbrojtje të zonës së Dukagjinit dhe më gjerë, i cili për fat të keq e mbylli jetën duke i kaluar 30 vite në burgjet e komunizmit”.

“Kolë Prognin, studiuesin e pasionuar të Alpeve tona, i cili të gjithë jetën ua kushtojë Alpeve shqiptare, duke i studiuar ato deri në detaje dhe duke i bërë të njohura për të gjithë shqiptaret dhe më gjerë si dhe për të gjithë studiuesit e huaj që janë të pasionuar për njohjen e Alpeve tona. Nikollë Vatnikajn, drejtuesin shembullor dhe emër mirë të Policisë së Shtetit, një personalitet që më punën e tij profesionale dhe integritetin me sjelljen shembullore dhe njerëzore, edhe pse ai, iku shumë i ri nga kjo botë kudo që punoj në çdo cep të Shqipërisë la një emër të mirë.Si dhe doktor Mhill Gecaj, mjekun e përkushtuar, i njohur për kontributet që nga Lëvizja Studentore në Dhjetor ’90-të, gjatë luftës së për çlirimin e Kosovës, shërbimin ndaj komunitetit të zonës ku punon në përballimin e pasojave të Covid-19 dhe kontributin gjithashtu për gjallërimin e zonës e Nikaj-Mërturit, e sidomos për vendlindjen e tij në Currajt e Epërm”, theksoi Meta.

Këto vlerësime, tha Meta, janë një shenjë vlerësimi për malësorët dhe Malësinë e Gjakovës dhe Dukagjinin, e në veçanti për Nikaj-Mërturin, për kontributin e dhënë ndër breza për kombin dhe për atdheun./ATSH


Lexo edhe:

FIRMËTARI I PAVARËSISË, LEF NOSI, QË EKZEKUTUA NGA DIKTATURA

ObserverKult