Ilirian Zhupa: Fjalët e mia për ty

Ilirian Zhupa hajne

Nga Ilirian Zhupa


Gjithmonë ke qenë e fshehur në vargjet dhe fjalët e mia, siç fshihet uji në mugullimën e barit,
Siç fshihet gjethi dhe lulja nën lëvoren e rreshkur të pemës, njollë e zezë nën degët e mpira.
Flokët e tu me krela që më mbulonin fytyrën, kanë qenë dallgët e shkumëzuara të detit dhe ajrit,
Drita dhe errësira.

Krahët e shpendëve nuk fërfërijnë nëpër natë, s’i besojnë pamjeve të veshura nga heshtja dhe terri,
Me kokat e tulatura nën pupla, bëjnë gjumin e bukur të çlodhjes dhe lagen nga ëndërra të bardha ndijimi,
Gjersa të ç’mpikset agu, si një alkimi e fshehtë nga brufullon dita me linja dhe ngjyra ylberi,
Triumfi dhe flijimi.

Po unë nuk jam dita, e dashura ime, as nata. Ashtu siç nuk jam mëngjesi, mesdita dhe mbrëmja,
Unë jam një shtjellë e beftë dëshirash, midis klithmës dhe mekjes, midis zgjimit të beftë dhe gjumit,
Midis lëndës së gjallë dhe gjendjes, midis epshit të ndezur dhe stepjes, si midis jetës dhe vdekjes,
Diçka midis zjarrit dhe brumit.

Kështu janë dhe fjalët e mia që t’i nis përditë, si mesazhe që hidhen në det, mbyllur mirë në shishet e vargjeve,
Në mos mbërrifshin te ty, me siguri do të mbërrijnë në rrjetat e peshkatarëve.

ObserverKult

———————————–

Lexo edhe:

ILIRIAN ZHUPA: JEMI LARGUAR TEPËR E JEMI TË BËRË TË VJETËR!