Iliriana Arifi: Etno Fest është shtëpia ime e dytë teatrore

Ilirjana Arifi

Një nga regjisoret e reja kosovare që tashmë ka krijuar stil e identitet të vetin artistik, pa dyshim është Iliriana Arifi me të cilën kemi realizuar një intervistë për lexuesit e ObserverKult.

Intervistoi: Zamira Rexhepaj

Secili fillim i ka peripecitë e veta, po në profesionin tuaj si e keni nisur?

– Ka qenë periudha e parë pas lufte. Në atë kohë punoja si arsimtare e gjuhës shqipe, me klasë të ulëta. Natyrisht, ishte një periudhë jo e lehtë, njerëzit ende përballeshin me pasojat e luftës, dhe kjo gjendje reflektohej  edhe te fëmijët, dhe kështu nisa të mendoj se çka mund të bëj për ta. Pas orarit të mësimit për dy ose tri orë të ditës bëja aktivitete të lira, me grupe nxënësish, për t’iu ofruar një lloj argëtimi i cili  në atë kohë ishte i domosdoshëm  dhe fëmijet mezi prisnin për diçka pak më interesant, se sa ndonjë poezi e rastit apo ndonjë këngë dhe kor shkolle.

Aty kam shkruar një tekst, dhe kemi fillu provat për një shfaqje.  Natyrisht , pa asnjë njohuri mbi regjisurën apo dramaturgjinë. Shfaqja doli interesante për kohën , si dhe moshën e fëmijëve, natyrisht jo më e mira, por një tentativë për të bërë diçka më ndryshe. Dhe ky ishte momenti kur te unë u zgjua dëshira për ta zgjedhur profesionin e ri, regjinë e teatrit.
Ky ishte edhe “projekti im i parë”, natyrisht isha amatore në këtë drejtim, por që ishte pikënisje për rrugëtimin e ri.

Cili ishte projekti i parë në të cilin punuat si regjisore, si mund ta kujtoni atë?

– Projekti im i parë si regjisore e diplomuar ishte “Udhësi i majës së lartë”, me tekst të Fadil Hysajt, i cili u realizua në Teatrin Kombëtar në vitin 2006, disa muaj pas diplomimit.
Natyrisht, si e sapo diplomuar me plot dashuri për artin, e entuziazmuar pa fund  mezi prisja të filloja. Kisha në ekip  Afrim Kasapollin, Sheqerije Buqaj,  Artan Geca  si role të para dhe të tjerë që ishin episodist…
Gjithë procesi ka ecur për së mbari dhe ne e sollëm si premierë. Kjo shfaqje u prit jashtëzakonisht mirë, dhe thjesht  isha e lumtur sepse për herë të parë punoja një tekst kombëtar, edhe atë të z. Fadil Hysaj, të cilin i kisha edhe profesor të lëndës  së regjisë, dhe përgjegjësia ime ishte shumë më e madhe. Jashtëzakonisht më e madhe.


Ajo që e kujtoj me dashuri dhe e konsideroj si forcën time për të vazhduar tutje, janë fjalët e profesorit:
“Nese nuk do të besoja se t’i mundesh me e inskenu tekstin tim, kisha refuzu ta inskenosh”. Ndërsa si kujtim tjetër, është pjesa ku Sheqerije Buqaj kishte flokët shumë të gjata, dhe i preu për rolin. U shndërrua komplet në personazh.
Kisha punuar edhe më herët në Teatrin Kombëtar me shfaqjen “Mosmarrëveshja” e A. Camus, në vitin 2004, si studente e vitit të tretë, dhe kjo shfaqje u fut në repertuar të rregullt dhe u reprizua për një vit. Por si regjisore e diplomuar, shfaqja “ Udhësi i majës së lartë”, mbetet e para.

Cili është projekti artistik vendor ose ndërkombëtar i cili nga përshtypja që ju ka lënë do të dëshironit të ishit pjesë e tij?

– Duke e dashtë teatrin dhe pa e përjashtu asnjëherë, te kjo pyetje kam zgjedhur një projekt filmik.
Filmin “ The Grand  Budapest Hotel”, nga Regjisori Ëes Anderson e zhanrit komedi -dramë. Film që më ka lënë pa frymë dhe të cilin e kam shiku katër herë, duke e parë në detaje dhe analizuar. Një storie e thjeshtë dhe e mrekullueshme, një lojë fantastike. Me një regji super fantastike që më ka mrekullu. Po të kishte “rastisur”, të jem pjesë e këtij projekti, nuk mendoj që do të kisha gjetë fjalë që kisha pas mundësi me e përshkru emocionin .

Cilat janë pikat tuaja më të forta si regjisore?

– Stili im i punës, mikstura mes reales dhe surreales, kombinimi i sistemeve Arto -Meyerhold, zhanri i preferuar dramë, pastaj vjen pasioni, përkushtimi, durimi, analiza, etj., që më kompletojnë mua si profil.

Shfaqja “Ditëlindja” është një nga realizimet në të cilin keni marrë pjesë. Kjo shfaqje trajton një temë mjaft të ndjeshme dhe një me të cilën përballemi çdo ditë. Si e keni përjetuar atë para se ta fillonit realizimin dhe sa ishte e vështirë ta shndërroni në shfaqje?

– Si të gjitha temat sociale që brenda kanë ndjeshmëri dhe situata njerëzore përditshmërie, të cilat prekin çdo kënd që e lexon apo e sheh si vepër në teatër apo film, edhe mua më ka prekur si temë së pari, pastaj si trajtim, për këtë kategori të njerëzve që për fatin e tyre, përballen me këto situata, të cilat jane sfiduese si për të prekurit, ashtu edhe për familjarët.

Tekstin e kam pas në dore diku rreth gjashtë muaj para se të fillonim punën, dhe kisha kohë mjaftueshëm për ta analizu detajisht, dhe për ta sjellë sa më natyrshëm, para audiencës . Qëllimi im ka qenë me i dhanë trajtim të natyrshëm  dhe njerëzore  pa e ekzagjeru si problem, pa viktimizu personazhet, pa e tepru me sforcime emocionesh, po në një vijë pothuajse të njëtrajtshme, gati të pavërejtshme në shikim të parë, por njëkohesisht duke fuqizuar të brendshmen e personazheve, e cila si shkak -pasojë vërehet dukshëm gjatë interpretimeve.

Edhe këtë vit keni marrë pjesë në Etno Fest, si e vlerësoni këtë organizim?

– Për mua Etno Fest, është shtëpia ime e dytë teatrore. Jam aktive qysh nga fillimi, qysh në fazat e para të themelimit dhe vazhdoj edhe sot.  Në vitin 2010 është bërë promovimi i Etno teatrit të parë brenda kompleksit teatror, të Etnofest  me shfaqjen “Dardha pas bunari”, nga Arta Arifi, nën regjinë time. Ka qenë vetëm një teatër i vogël, tash i shndërruar në atele për ekspozita, një kompleks me disa skena të mëdha edhe të vogla, hapësira perfekte për regjisorët të cilët dëshirojnë të eksperimentojnë në skena të hapura. Krejt kjo punë që është bërë, është meritë e z. Fadil Hysaj, i cili me shumë dashuri, vullnet dhe sakrifica ka kontribuar që Etnofest të ketë formën dhe vlerat që ka tash.

Shfaqja “N’dry” e cila është paraqitur në Etno Fest është vlerësuar me çmimin “Regjia më e mirë”, si është pritur kjo shfaqje?

– Shfaqja “N’dry”, është pritur jashtëzakonisht mirë. Ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë” dhe “Regjia më e mirë”. Kjo shfaqje ishte  planifikuar të jetësohej vitin e kaluar, pikërisht për 10 vjetorin e themelimit të Etnoteatrit, mirëpo pandemia na i ndryshoi planet, dhe këtë vit së bashku me autoren Arta Arifi, vendosëm ta sjellim premierë po aty. Kemi dhanë vetëm premierën, reprizat janë të planifikuara për vitin e ardhshëm në Kukaj, dhe në teatrot në Prishtinë. Besoj se kemi arritë me i dhanë publikut ndjesi dhe emocion me temën, por edhe me komponentat tjera që e bëjnë një shfaqje komplete. Kemi ftesa edhe jashtë Kosovës, nëpër festivale të ndryshme teatrore, të cilat shpresoj se do të realizohen në vitin 2022.

Cilat janë planet tuaja në vazhdim, a keni ndonjë projekt të cilin jeni duke e realizuar apo e keni në plan ta realizoni?

Patjetër se po, gjithsesi para mbylljes së vitit të vjetër bëj planet për vitin që vjen. Sigurisht me shfaqjen “N’dry”, do të ketë lëvizje, natyrisht edhe projekte të reja të planifikuara të cilat janë në rrugë e sipër.

ObserverKult

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Kliko edhe:

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN ZIJA VUKAJ (VIDEO)