Ti nuk e di,
Si është të vraposh për të shpëtuar kokën nga shkopinjtë e policisë serbe, se të ka marrë nana me vete në protestë, e ti je vetëm 9 vjeçe.
Ti nuk e di,
Si është të përjetosh helmimet masive, mbylljet në sallë sportesh në greva me qindra mijëra të rinj, në shenjë përkrahje për grevën e minatorëve në Trepcë.
Ti nuk e di,
Si është të ikësh nga gazi e grushtat e shkopinjtë, se ke dalë të protestosh prap si studente,
Ti nuk e di,
Si është të studiosh fshehurazi, në sistem paralel, se serbët t’i mbyllën dyert e shkollave.
Ti nuk e di,
Çfarë është lufta,
as ndjenjën kur nisesh për dy javë me konvoje humanitare për të dërguar ushqime në male, e nuk të lë ushtria serbe të kalosh.
Dhe ti nuk e di,
Kur sheh plakun 80 vjeç që ulet në gjunjë për tu falënderuar e të sheh si me pa ndonjë qenje hyjnore. Për pak ushqime.
Ti nuk e di,
Tmerrin e frikën kur dëgjon zhurmën e plumbave që përplasen në makinën tënde, dhe falënderon zotin që bashkë me gazetarët, në moment të fundit vendoset për të hipë në makinën e blinduar.
Ti kurrë s’do ta dish,
Si është mos të të zëri gjumi nga trupat e masakruar që ke parë.
Ti nuk i di,
Përjetimet kur nisesh për të dërguar çizme e ilaqe te ushtarët në mal.
Ti nuk e di,
Si është të bësh art si rezistencë, e rrethuar me ushtri e polici.
Ti nuk e di,
gëzimin që ndjen që filluan sulmet e NATOs po as nuk e di tmerrin që do pasojë.
Ti nuk e di,
Si është të marrësh lajmin, që 200m larg teje, snajperistët serb të kanë vrarë djain e xhaxhait, e ti s’ke cfarë bën.
Ti nuk e di,
Si është të mbyllësh veshët natën nga zhurma e përdhunimeve nga ushtria serbe, që vjen nga shkolla afër teje.
Ti nuk e di,
Si është të të përzejnë nga shtëpia, të humbesh identitetin, e të bëhesh NUMER.
Ti nuk e di,
Si është të rrish pa bukë e ujë, për ditë të tëra, në tokën e askujt, por në mendje ke veç mbijetesën.
Ti nuk e di,
Çfarë force të shtyn, që megjithëse je refugjate vet, udhëton kamp më kamp me shumë gra e burra të tjerë të jashtëzakonshëm, për t’i bërë për të qeshur, kënduar, organizuar, e ofruar shpresë, bashkërefugjatëve të tu.
Ti nuk e di,
Si është të kthehesh, dhe pa tejkaluar dhimbjet e tua, shkon fshat më fshat për t’ju dhënë forcë të tjerave gra si vetja.
Ti nuk e di,
Dhe lutem mos ta dish asnjëherë!
Prandaj,
Mos me shit mua broçkullat e tua, për aktivizmin, feminizmin, luftën e të gjitha- izmat e tjerë, të cilat vetëm i ke me të dëgjuar.
Don’t give me that shit!
Dhe këto janë pjesë reale nga jeta ime!
ObserverKult
Lexo edhe: