India bllokon fondet e huaja për organizatën e Nënë Terezës

Nëna Terezë

Qeveria e Indisë ka refuzuar vazhdimin e licencës për organizatën bamirëse të themeluar nga Nënë Tereza, përmes së cilës i mundësohet marrja e fondeve të huaja.

Organizata, Misionarët e Bamirësisë, ka mijëra murgesha që mbikëqyrin projekte sikurse shtëpi për fëmijë të braktisur, shkolla dhe klinika.

Në Ditën e Krishtlindjes, Ministria e Brendshme e Indisë ka bërë të ditur se nuk ia ka vazhduar regjistrimin kësaj organizate për shkak të “të dhënave negative”.

Hindusët e linjës së ashpër e kanë akuzuar tash e një kohë këtë organizatë se është duke përdorur programet e saj për t’i konvertuar njerëzit në fenë e krishterë.

Organizata bamirëse ka hedhur poshtë këto akuza.

Në një deklaratë të publikuar më 27 dhjetor, organizata e ka konfirmuar se aplikacioni nuk i është pranuar dhe se nuk do të ketë aktive llogaritë për fondet e huaja “derisa të zgjidhjet kjo çështje”.

Shefja ministrore në Bengalin Perëndimor, Mamata Banerjee, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për bllokim të llogarive të organizatës prej nga pranon fonde të huaja.

Mirëpo Qeveria dhe shteti kanë mohuar se llogaritë janë bllokuar.

Organizata bamirëse me bazë në Kolkata është themeluar më 1950 nga Nënë Tereza, murgeshë katolike.

E lindur në vitin 1910, nga prindër shqiptarë, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu është rritur në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Që në atë kohë ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Ajo ka qenë fëmija më i vogël i Nikollë dhe Dranafile Bojaxhiut.

Familja e saj ka pasur prejardhje nga Prizreni dhe kanë qenë katolikë të devotshëm.

Rrugëtimin si murgeshë, Nënë Tereza e ka nisur në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë ka udhëtuar drejt Indisë.

Organizata e saj katolike e bamirësisë është ndër më të njohurat në botë.

Nënë Tereza është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe më 1979 për punën e saj humanitare. Ajo është shpallur e shenjtë nga Papa Françesku më 2006, 19 vjet pas vdekjes së saj.

Qeveria e kryeministrit Narendra Modi tash e një kohë synon të bllokojë fondet e huaja për organizatat e bamirësisë. Gjithashtu edhe për organizata të tjera joqeveritare me bazë në Indi.

Vitin e kaluar, kufizimet kanë çuar në bllokim të llogarive bankare të organizatave Greenpeace dhe Amnesty International.

Ndërkohë është raportuar edhe për sulme ndaj minoriteteve fetare nëpër Indi.

Shumica e popullsisë së Indisë janë hindusë.

Në këtë shtet janë edhe rreth 24 milionë të krishterë. Pra, rreth 2 përqind e popullsisë, andaj India është vendi me komunitetin më të madh të personave të krishterë në Azi, pas Filipineve.

Autoritetet indiane kanë tentuar të shtypin fushatat që dyshojnë se po konvertojnë hindusët në të krishterë apo myslimanë.

Disa rajone brenda Indisë që drejtohen nga partia e Modit, BJP, kanë miratuar apo janë duke shqyrtuar ligje që ndalojnë konvertimin fetar për qëllime të martesës./REL

ObserverKult

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

E DINI SË NËNA TEREZË ISHTE PJESË E KARAKTEREVE TË MARVEL