Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, për të diskutuar planifikimin dhe programet e punës për vitin 2021.
Ajo drejtuesve ua kumtoi lajmin se nga viti ardhshëm institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore do të kenë kodet e veta buxhetore, veprim ky i rëndësishëm drejt pavarësimit financiar të institucioneve.
“Krahas kësaj dhe në përputhje me aktet ligjore në fuqi, do të angazhohemi që të hartohen statutet e institucioneve, si dhe rregullimin e përhershëm të marrëdhënies së punës për performuesit dhe profesionistët e fushave specifike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore”, deklaroi ministrja, transmeton ‘klan kosova’.
Ajo po ashtu u zotua se do të ndërmarrë veprime në shpalljen e procedurës për rekrutim për pozitat udhëheqëse, për institucionet e kulturës të cilat aktualisht janë me ushtrues detyre.
U diskutua edhe për Euroimazhin, ku përmendi që bashkë me QKK-në janë duke shtyrë përpara procesin dhe theksoi se do të ketë edhe aktivitete tjera deri në fund të vitit me institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore.
Nga ana tjetër, drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore mirëpritën lajmin për kodet buxhetore dhe se kjo do t’ua lehtësojë punën dhe efikasitetin. Ata thanë se kjo është një prej gjërave më të mira që do të mund t’u ndodhte institucioneve që drejtojnë, pasi që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e performancës së institucioneve.