Institucionet i kthehen nismës për muze në ish-Burgun e Prishtinës

Institucionet shtetërore i janë kthyer iniciativës që ish-Burgu i Prishtinës të shndërrohet në muze. Më shumë se një vit pasi një komision parlamentar kishte dalë me këtë propozim, tash Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë.

Ka nxjerrë një vendim, nëpërmjet të të cilit i obligon disa institucione që të merren me këtë punë. Do të punohet që ndërtesa harkore e rrethuar me tela me gjemba, që ka shërbyer si burg krejt afër qendrës së Prishtinës, të jetë një muze. Aty do të mundë të ekspozoheshin dokumente të hetuesisë së ish-regjimit, dëshmi të vuajtjeve të shqiptarëve gjatë hetimeve, mbajtja nëpër biruca e maltretimet që kanë përjetuar të arrestuarit. Ndërtesa, që gjendet prapa stacionit policor “Qendra” në Prishtinë, aktualisht nuk shfrytëzohet, raporton ‘koha.net’.

Nëpërmjet vendimit të miratuar në mbledhjen e Qeverisë të shtunën, ky institucion shpreh vullnetin dhe interesin që ndërtesa e ish-Burgut të Prishtinës në rrugën “Luan Haradinaj” të shpallet muze. Me anë të vendimit obligohet Ministria e Kulturës, ajo e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike bashkë me Ministrinë e Financave dhe Transfereve që t’i zhvillojnë procedurat dhe t’ia propozojnë Qeverisë themelimin e muzeut.