
“Larg tregut, larg famës, ndodhin gjithë gjërat e mëdha” (Zarathustra)
Nga Mehmet Elezi
1.
Përmasat e Çun Lajçit nuk janë ato që kemi parë në skenë e në ekran. Megjithëse artist i madh, nga të mëdhenjtë e botës shqiptare.
Janë të tjera, të tjera.
E kam takuar virtualisht në vitin 1991, nëpërmjet zërit. Dikush më dha një kasetë të vjetër, të dëmtuar, prurë ilegalisht prej Kosove: Çun Lajçi interpretonte Fishtën. Në një sfond epik, me terr bjeshkësh që ndihet edhe pse nuk shihet, me hutin a lorzën e mistershme. Prapritmas zëri i aktorit men, pushon. I lëshon vendin një lahutari me zë gurre, që këndon “Lahutën e Malsisë”: është prapë ai, Çun Lajçi.
Jam rritur me “Lahutën”, e mbanim fshehtas si diversant, por kurrë nuk jam përlotur prej saj, si natën që e dëgjova së pari atë kasetë. Çun Lajçi nuk aktron. Ai e thith Fishtën siç ka thithur ajrin e Rugovës, e përpunon nëpër pejzat e shpirtit dhe ia kthen dëgjuesit përmes pejzave të zërit të vet. Fishta – interpreti i madh i gjenit shqiptar. Çun Lajçi – interpret i madh i Fishtës.
2.
Intelektuali nuk është kundrues gjakftohtë i botës. Heshtje quhet vdekja e tij. Ç’shkrimtar a artist është ai që nuk bëzan kur atdheu dergjet në kokërr të shpinës? Heshtja të bën bashkëfajtor. Deklaratat për pavarësinë e “intelektualit cool” vijnë prej nënvetëdijes, si shfajësim. Mund të jesh i pavarur nga partitë, por si mund të jesh i pavarur nga Atdheu? Të paktën varri të bën të varur prej Atdheut. Në mos tjetër, do t’ia kërkosh dy pëllëmbë dhé për jetën e pasosur.
Çun Lajçit kësaj vere s’i mjaftoi skena. Zgjodhi më të madhen e mundshme: krejt dheun dardan, krejt dheun shqiptar. Artistin brenda vetes e vuri nën urdhrat e intelektualit. Shkrimtarin e muzikantin brenda vetes i vuri nën urdhrat e intelektualit. Të cilit intelektual? Intelektual s’të bën shkolla, thonë filozofët. I shkolluari bëhet intelektual, kur shpërthen përditshmërinë e profesionit dhe rrëmben flamurin për kauza mbarëshoqërore. Rikujtoj Sartrin që thoshte një shkencëtar bërthamor është ekspert; ai bëhet intelektual kur përfshihet në luftën që energjia bërthamore të përdoret për ta mbrothësuar njerëzimin, jo për ta vrarë.
Pra kësaj vere Çun Lajçit s’i mjaftoi skena. Qytetarët e Prishtinës, të Pejës, të Prizrenit, të Tiranës, të Tetovës… vërenin një burrë me mustaqe e mjekër të thinjur, të prerë shkurt, ulur te një shatërvan, në një shteg lulishteje, te shkallët e Muzeut Kombëtar, duke hapur një valixhe me libra. Librat e tij. Dikush ia blen me e nderue veten. Dikush me botue në feisbuk një foto me autorin, që t’i shtohen pëlqimet (kjo e mërzit!). Ndodh që pronari i vockël i një restoranti i thotë mos më rri përballë derës me ata libra, se m’i pengon klientët! Një pronar tjetër i urdhëron kamerierët: mos guxoni me i marrë pare artistit të madh, sa të rrijë kësajt është mik imi.
I shet librat?
Shumëfishin e asaj që fiton duke i shitur librat, e shpenzon duke udhëtuar qytet në qytet. I del zot librit, të përdhunuarit të madh. Kush e do librin e kush shkruan libra të mirëfilltë s’ka pare, shteti e ata që kanë pare s’dinë ç’është libri. O njerëz, kthehuni kah libri, thotë udhëtimi i Çun Lajçit. Kthehuni kah dija.
3.
Kaq? Shumë më tepër se kaq. Në një status ka shkruar:
“Librat e mi i kuptoj, sepse i kam lindur vetë, fjalë pas fjale, si nënë që lind fëmijën dhe i jep frymë. Por nuk i kuptoj ata që, në emër të pushtetit, duan të hanë edhe librat, edhe mua, edhe Atdheun.
Dje një burrë zotni më tha:
-Mirë që ua çon librat edhe bjeshkëve, edhe detit. Po kur bie nata, me kë fle? Me hallet e tua, apo me hallet e miliarderit?
I thashë:
-Me shkronjat e mia… dhe me gjëmën e Atdheut”!
Në çdo ndalesë regjistron një dialog a monolog. I drejtpërdrejtë, nuk fshihet me çorape në krye. E idhnon lufta e paparimtë ndërmjet politikanëve. A nuk po shohim “se shtetin nuk po e shemb anmiku, por inati i vetvetes? A asht kjo dashuni për lirinë, apo veç lakmi për hijet e veta?”.
Sarkastik. “Jam la e shpërla me partitë. Jam ngjitë mbi majat e tyne, e prej aty shoh se si këta rrinë me krye përpjetë, tue m’i kqyrë herdhet!”. Të kujton Zarathustrën: “Ju vështroni lart kur kërkoni të lartësoheni, ndërsa unë vështroj poshtë, sepse jam lart”.
Bën thirrje me shkue “tek ata që nuk dinin ç’është të kesh, por e dinin ç’është të japësh gjakun, gjymtyrët, shpirtin, jetën për Atdheun”.
Ka mëdyshjet e veta filozofike. “Ah! Jeta s’qenka gjë tjetër, veç një shaka e hollë mes Zotit dhe njeriut”!
Skicat në feisbuk i hedh si piktura impresioniste. Gjuhë plot njomështi, lulnajë fjalësh e shprehjesh. Pesha e dheut shqiptar, era e livadhit të kositur, e shiut që këndell dushk e bar, por i shpërlan lulet e me çka do të ushqehen bletët? Hija e gurëve të vorreve. E gjarpnit – orë, që ia ruan shpinë e mbetur thatë në Drelaj. “Dardhat ishin plot. Por m’u mbushën sytë me lot, tue mendue se ato do të kalben e nuk do të ketë fëmijë me i hangër, si unë dikur. Ato lulëzojnë për bletët, piqen për mizat e kalben për krimbat!”.
Nuk e ndan sharkinë. Këndon për ata që s’kanë shtatore deri në qiell, por kanë shtatore në zemër të kombit. Ia merr edhe një këngë lirike:
“Prite verën m’u pjekë qershia/ me i puthë buzët e mia”.
4.
Kohë prove për dinjitetin intelektual.
Edi Ramës s’i mjaftojnë krejt mediat e blera, i ka shtri metastazat edhe te media pranë opozitës, që ndezin dritën e kuqe për disa intelektualë të padëshiruar (për Edin). Çun Lajçi thotë megjithatë ka plot mënyra me luftue. Pak Sokrat e pak Diogjen, ka zgjedhur për tribunë hapësirat shqiptare. Dhe për ekran, llogarinë e vet në feisbuk. Ndjekësit? Me mija.
Më ndërmendi një tjetër aktor të dashur për publikun, qëndrestar për Teatrin. Mehdi Malkaj sfidonte diellin e djegagurit, dilte me protestuesit te Bashkia e Tiranës dhe në darkë te Rruga e Shpresës, te Sali Berisha i burgosur pa akuzë. Pësoi sulm në zemër, u shtrua në spital, u përmirësua. Prapë te bashkia. Te Rruga e Shpresës prapë.
Dje Çun Lajçi botoi një poezi. Disa vargje prej saj:
Sot vdiq nji bari i Bjeshkëve t’Namuna.
I la delet n’rudina e shtagën n’vathë,
e u ba artist n’qytet,
jo tue rrejtë,
jo tue sha shqiptarin,
jo tue shitë vendin për pare.
Mos m’thoni ikonë,
mos më krahasoni me tjetrin,
se kurrë i madh s’kam qenë.
“Larg tregut, larg famës, ndodhin gjithë gjërat e mëdha”, thotë Zarathustra.
ObserverKult

Lexo edhe:






