Interneti, po shërben si platforma kryesore e përhapjes së gjuhës së barbarisë!

blerim latifi
Blerim Latifi

Benjamini kishte të drejtë

Nga Blerim Latifi

Njerëzit që shajnë, ofendojnë, kërcënojnë e bëjnë thirrje linçuese kanë ekzistuar gjithmonë. Qysh se njerëzimi ka filluar t’i shkruaj analet e tij. Në kohë të ndryshme mendimtarët janë munduar të bëjnë definimin e tyre. Dikush i ka quajtur “barbarë”, dikush “primitivë”, dikush “të pakulturuar e të paedukuar”. Dikush ka shkuar edhe më larg dhe i ka quajtur “llum social”.
Të tjerë janë munduar edhe t’i japin zgjidhje problemit të gjuhës dhe mllefit të këtij “llumi social”.
Platoni mendonte se zgjidhja ishte që këtij llumi t’i mbylleshin të gjitha rrugët e depërtimit në nivelet e vendimmarrjes politike.
Iluministët modernë mendonin se me arsimimin racional të të gjithë shoqërisë, edhe problemi i “llumit social” do të zgjidhej vetvetiu.
Të dy zgjidhjet kanë dështuar.
Zgjidhja platonike ka dështuar sepse gjithmonë gjenden demagogë të cilët e mobilizojnë “llumin social” për qëllimet e tyre të marrjes së pushtetit.
Edhe zgjidhja iluministe ka dështuar, sepse edukimi racional i qytetarëve kurrë nuk mund të jetë i plotë, shto kësaj faktin se edhe të edukuarit shpesh bëjnë aleanca me “llumin social” për qëllime të ndryshme, kryesisht politike.
Iluministët gabonin kur e barazonin edukimin racional me edukimin moral. Shpesh, për nga shkalla e mizorisë, krimet e të diturve ua kanë kaluar krimeve të të paditurve.
Sot problemi i “llumit social” është bërë edhe më i madh, sepse demagogët e të gjitha ngjyrave nuk kanë nevojë të bredhin skutave të qyteteve e fshatrave për ta gjetur atë. Mjafton ta kenë një telefon ose kompjuter afër vetës për t’ia ndezur atij zemrat e mllefosura e të etura për hakmarrje.
Filozofi gjermano-hebraik Walter Benjamin thoshte se të gjitha dokumentet e qytetërimit janë njëkohësisht edhe dokumente të barbarisë. Interneti është dëshmia ma e re që na tregon se Benjamin kishte të drejtë, sepse, interneti, kjo shpikje gjeniale e civilizimit, sot po shërben si platforma kryesore e përhapjes së gjuhës së barbarisë.

ObserverKult