Intervista e fundit e Beqir Musliut: Imzot, a të mjafton ky flijim!?

Beqir Musliu

Intervista e fundit e shkrimtarit Beqir Musliun, realizuar nga Sabit Rrustemi, botuar në gazetën e përditshme FLAKA E VËLLAZËRIMIT, Shkup. Intervista u zhvillua më 18 – 19 janar 1994.

LIBRI MË ZGJODHI MUA

“Metafora e Jetës Sime, Është Vepra Ime”
(Beqir Musliu)

Me shkrimtarin dhe publicistin, Beqir Musliu, autorin e shumë veprave letrare, gjinive dhe llojesh të ndryshme mund të bisedohet në shumë plane, duke filluar që nga çështjet thjeshtë letrare dhe artistike, por edhe për shumë çështje tjera që janë të ndërlidhura si me përditësinë tonë në daçim edhe politike si dhe të çështjeve tona kombëtare. Kësaj here më pak u morëm me Veprën e tij letrare, si me poezinë e me prozën e tij e aq më pak me dramaturgjinë e tij inventive, më tepër u ndalëm në disa premise të jetës sonë të sotme, duke e shikuar nga pikëpamja e një Intelektuali dhe Shkrimtari që, si postulat i përgjithshëm i kësaj bisede doli në të vërtetë një kredo e këtij Intelektuali dhe Shkrimtari të mirënjohur shqiptar.
Realiteti Jetësor dhe Realiteti Letrar, për t’u “përvijuar” deri te konstatimet e tij se “Intelektualët janë të zgjedhurit e Hyjit” konstatimi guximshëm, por edhe profetik, për ta njerrë edhe një Metaforë që është mjaft e përvetçme jo vetëm për këtë Shkrimtar se “Liria e Shkrimtarit Është Vepra e Tij” sikur paralajmëron një përvojë të përforcuar si intelektuale por edhe të një Shkrimtari që di ç’do dhe di ç’thotë.

Me anë të kësaj interviste me Beqir Musliun, nuk deshëm të “deshifrojmë” veprën e tij madhore si, “Bukuria e Zezë”, “Vegullia”, “Mbledhësit e purpurit”, Shtrigani i Gjel Hanit”, “Rrakullima” e ndonjë vepër tjetër, por deshëm të bëjmë një “diagram” të pulsit të tij prej Intelektuali dhe Shkrimtari, sot dhe këtu.

KANONIZIMI I AJTIT TË KRIJIMIT

Sikur është bërë “germë e parë” e çdo bisede të sotshme me këdo që zhvillohet, situata në të cilën ndodhemi, momenti politik. Në këtë vazhdë të këtyre shtjellimeve, besoj, do të ishte e udhës të shtrojmë çështjen e parë të kësaj interviste: Intelektuali, para se gjithash Krijuesi në momentin e pikërishëm, përpjekja sizifoide për ta çarë këtë konfuzitet politik përmes punës krijuese.

B.Musliu: Për ç’situatë mund të bëjmë fjalë?! Po, ne veç ”u mësuam” me një situatë të ngjethët dhe, sikur na është bërë përditësi, çdo gjë që ndodhë na duket më e lehtë se ajo që e përjetuam në fillim, për të ndërtuar ndonjë strategji tjetër prej kësaj që e përjetojmë, sikur nuk jemi gjithaq të gatshëm. Në planin politik mund të “ndërtojmë” vërtetë strategji të ndryshme, përkundër “slloganit” tonë për durim dhe paqe deri në rraskapitje, por për këto nuk mund të flas, meqë nuk jam i “politizuar” (nuk jam i përfshirë në asnjë parti e lëvizje politike) por se në planin tjetër, ekzistencial, edhe si Intelektual, por në rend të parë, si Krijues, s’do mend – kjo gjendje më gandos edhe mua, sikur të tjerët, kolegët e mi. Ç’mund të bëj Intelektuali në momentin e pikërishëm, thënë më për së afërmi, Krijuesi ynë, kur mekanizmat për të vepruar gjithnjë e më tepër ngushtohen, për të mos u këputur fare, e këndej, mund të bëjmë fjalë edhe për ide e veprime të mundshme. Por, si të marrin fushëveprimi (të hyjnë në veprim) të gjitha ato ide e veprime. Askush nuk di të jap përgjegje të saktë, aq më parë, Intelektuali alias Krijuesi që veprën e vetë e sheh në konstelacion të asaj që zhvillohet përpara syve të tij dhe asaj që e projekton në mendjen e tij si Vepër, si Krijim. Me këto trysni që na janë bërë aq të zakonshme saqë vështirë e kemi t’i ndajmë ato “imazhe” të “ përvetçme” për të shpërndërruar në Vepër dhe Krijim. Poqëse më lejohet mua (siç thashë më sipër i panashëm partiakisht, i paangazhuar politikisht) të jap ndonjë diagnozë sado të vogël dhe të përciptë, megjithatë mendoj se politika që bëj(n)më Shqiptarët, këtu dhe sot, është politikë e nivelit të lartë, e barabitur sëpaku në syprinën e aleancave me atë evropiane dhe këtu nuk kemi ndonjë vërjetje globale, sëpaku në planin ndërkombëtar. Ndërsa sa i përket asaj që bëj(n)më brenda përbrenda kombit tonë, pra në çështjen tonë kombëtare shqiptare, mund të mos jemi gjithaq të kënaqur, as me pasivitetin e herëmbashershëm, por as me disa premise të tjera që i plasojmë hë për hë, vetëm për ta arsyetuar qenien tonë, asgjë më tepër.

Intelektualët, alias Krijuesit këtë gjendje momentale, orvaten që ta ngërthejnë në Veprën e tyre që shumë rrallë shihet, por ajo është diku, në qenien e tyre. Sëpaku, unë po e bëj këtë përpjekje, sa është e qëlluar dhe e arritshme, as unë nuk mund të them diçka më tepër.

S’do mend se ky moment i pikërishëm në të cilin ndodhen Shqiptarët përgjithësisht, krahas tendencës për ta mbijetuar këtë “konfuzitet politik” shtron para se gjithash edhe çështjen tonë ekzistenciale. Për Krijuesit kjo është çështje tejet e ndieshme. Si përjetohet, a shkrihet artistikisht dhe si mbijetohet kjo ndjeshmëri në vepër?

B. Musliu: Ndjeshmëria dhe Vepra janë dy skaje sa që, sa afrohet njëri skaj, tjetri largohet për aq. Krijuesi në “laboratorin“e tij që për shumë kë mund të jetë i panjohur dhe i pa marrë me mend, i duhet t’i barazojë të dyja këto dhe t’i “shndërrojë” në idioma, për të mundur që t’i përçojë në mënyrë artistike, si realitetin jetësor

Dhe realitetin letrar, bie fjala, meqë unë jam letrar dhe po përkufizohem në këto suaza letrare. Kur të arrihet kjo përkundër gamës politike që na ka vërshuar si uji i keq, Ai (Krijuesi) do të bëjë çmos që Vepra e Tij të jetë ajo që në thelb do ta kap realitetin e ngritur në stadin estetik, kjo do të thotë dy “realitete”- ai jetësor dhe ai letrar ngriten në një platformë të lakmueshme, krijojnë Veprën me kritere estetike, pra e kanonizojnë vet aktin e krijimit. Për të arritur këtë stad Krijuesi duhet të “filtrohet”nëpër të gjitha ato “konfuzitete politike” në daçim, dhe në ato “konfuzitete” arti, për të bërë të kapshëm realitetin e përditësisë, për ta bërë artistike të gjitha ato copa jete që na mbesin nëpër kazamate, nëpër ploja të përgjakura të gjëllisë sonë. Vetëm arti ka atë fuqi që t’i përjetësojë vuajtjet dhe dhembjet tona,por ato t’i bëjë (i bën) të bukura. Hëm! vuajtje të bukura! Dhembje artistike, apo jo?!

Apo, më konkretisht: ku e ka Vendin Intelektuali në situatat e rënda politike që vijnë si rrjedhim i krizave ekonomike dhe thyerjes së sistemeve pararendëse ?

B.Musliu: Intelektualët janë të zgjedhurit e Hyjit, andaj Ai megjithatë i “dënon” që mbi supet e tyre të shkarkohet e tërë pasha e një populli, një nacioni. Andaj nuk është e rastësishme, pikërisht në vendet që u çliruan nga sistemet pararendëse, pra moniste, pikërisht intelektualët morën në duar situatat e kombeve të tyre dhe u prinë lëvizjeve demokratike. Ajo nuk ndodhi vetëm këtu, ndër qarqet shqiptare, por edhe më gjerë, përgjithësisht në Evropën e Lindjes dhe Evropën Qendrore, në këtë Evropën e sotme. Ne, nuk jemi kurfarë specifikumi. Pluralizmi i mendimeve, nuk do të thotë “shkarje” dhe “plasaritje” të çështjeve fundamentale kombëtare, dhe këtu duhet tërhequr një vijë demarkacioni që në njëfarë dore, e bën të mundshëm edhe dialogun, tolerancën ndërmjet një kombi dhe interesit kombëtar i diferencon në bazë të prioriteve që kanë rëndësinë parësore. Skajshmëritë nuk çojnë askund dhe veçsa e shkapërderdhin potencialin intelektual, të cilitdo komb, e aq më tepër të Shqiptarëve, sot dhe këtu. Partishmëria dhe përfshirja e intelektualëve në këto degëzime, sa është pozitivë, po aq është edhe negative, sepse “shkarjet” dhe “plasaritjet” shkojnë aq larg, saqë krijohet një luftë e pabarabartë ndërmjet interesave parciale dhe atyre thjesht kombëtare. Intelektuali ynë (po mendoj ky yni, Shqiptar) ka për detyrë, që mbi të gjitha interesat partiake ta qojë më tej interesin kombëtar. Këtë stad duhet ta përqafoj secili Intelektual, si ai i përfshirë politikisht, si ai që nuk është i përfshirë partiakisht, por në aspektin kombëtar – të gjithë duhet të jenë të barabartë. Ky duhet të jetë koncezusi që nuk duhet të shkilet por, të përfillet.

LIRIA INTELEKTUALE DHE LIRIA KOMBËTARE

Në “rendin e ri” nëse mund të bëjmë për farë “rendi”, si të hyjmë në këtë gjendje tejet të parregulltë, me një anarki totale politike ( mos të themi demokratike, ngase ajo ende nuk është jetësuar – vazhdon të mbetet dëshirë ) me një pluralizëm që e përqafojmë verbalisht, nga një gjendje poashtu krejt jashtëinstitucionale ?

B.Musliu: Shumë gjëra nuk varen prej nesh, shpesh themi, zakonisht kur nuk kemi përgjigje të caktueme. Por, shikuar realisht, edhe kjo qëndron, por edhe nuk qëndron gjith’herë, sepse, edhe shumë gjëra varen prej nesh. Poqëse mund të pajtohemi se politika globale e “rendit të ri” botëror nuk varet prej nesh, atëherë, ajo e brendshmja, s’do mend – varet pikërisht prej nesh. Pluralizmi është gjë e mirë, të mos them demokracia, por te shqiptarët, këtu dhe atje (po mendoj në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e ku jo tjetër ku jetojnë ata) ende është ëndërr. Kjo se është ëndërr nuk është ndonjë mëkat, apo e metë, përkundrazi, kjo ëndërr po vjen duke u bërë zhgjandër ditë e përditë, sa që së shpejti, të gjitha gustot tona që të gjitha gjërat t’i arrijmë për tri ditë do të zhduken ngadalë dhe si e gjithë bota e civilizuar, do të gëzojmë edhe ne, një demokracion të vërtetë, një pluralizëm të njëmendë evropian. Por për të arritur këtë, duhet të shohim, ç’bën bota e qytetëruar, dhe të formojmë kritere, si dhe në çfarë mënyre mund të arrijmë këtë demokratizim: diku (si në Shqipëri e gjetiu) duhet të definohet ajo ç’është demokratizim, ndërsa, në Kosovë, më parë duhet të shlirohemi e, pastaj të ulemi e t’ia nisim rrugës së demokratizimit të plotë të shoqërisë dhe integrimit të përgjithshëm kombëtarë. Në Kosovë nuk mund të bëjsh fjalë për ndonjë demokratizim, apo “Rend të Ri” , kur të vetmin “Rend” këtu e ke trysninë policore, hëm!

Krijohet një përshtypje se gjendja e krijuar (pa fajin tonë) po na hakmerret mjaft ashpër, shkaku se individë të caktuar apo grupacione njerëzish keqpërdorin situatën dhe në “Rendin e Ri” kemi po ashtu shtresime të reja, në të cilat më së shumti po pësojnë pikërisht Krijuesit, ata që merren me punë artistike, me art, të cilët e kanë vështirë në kushte të reja të tregut të depërtojnë përmes Vlerës, kur gjithçka këtu është jashtë kontrollit. Apo …?

B.Musliu: Epo, kështu ndodh çdo kund, madje në ato shtete që ishin në kthetrat e monizmit komunist. Nuk bëjnë përjashtime as këto realitetet tona Shqiptare. Çdo fazë kalimtare prej një sistemi në tjetrin, bëhet me dhembje të mëdha. Nëpër këto mundime, shkon një kohë bukur e gjatë derisa të konsolidohet, në rend të parë, pushteti demokratik, e shumë më vonë, të kanalizohen të gjitha çështjet, të marrin vendin e vet të merituar secila veprimtari shoqërore dhe kulturore, e në daçim edhe krijimtarinë shkencore dhe artistike. Këtu, te ne, ende ka shumë për t’u bërë, së pari, ne ende nuk jemi shliruar, e herët është të bëjnë kanonizime në interesa të individëve dhe grupeve formale apo joformale. Të gjitha këto si segmente funkcionojnë, me teprime, me mangësi, me abuzime e ç’jo tjetër, por jo siç thua ti, më sipër, në kriza ekzistuese matrapazë të ndryshëm kalërojnë më mirë se ata që meritojnë dhe kështu bëhen shkëputje nga ecja normale. Por, këto janë pasoja të transmisionit prej një sistemi në tjetrin dhe një ditë do të ndalen, kur të shlirohemi në rend të parë, e pastaj kur të demokratizohemi me disejnin evropian. Krijuesit dhe Krijimtaria në të vërtetë pëson hë për hë, ç’të bëjmë. Zoti na ndihmoftë!

Si të krijohet ajo forcë anteiste (Anteu) përmes Intelektualit që do të mundësonte ngritjen në këmbë të një Populli dhe ecjen e tij drejtë sendërtimeve të qëllimeve të veta?

B.Musliu: Si?! Po, Intelektuali ç’është duke bërë tjetër, për veç se atë që Populli prej tij atë e kërkon (eh, populli, s’po mendoj në botëkuptimin të real-socializmit, o mos o zot), por në mënyrën e vetë intelektuale, së pari, duke e “çliruar” nga frustrimi shekullor, për ta nxjerrë në suprinë, atë kërkesën e tij që ne thjeshtë i themi ideal kombëtar, dhe së dyti, për ta bërë të aftë që të qëndrojë në bazamentin e vetë të vetëngritur kombëtar. Kur bashkohen këto dy segmente, atëherë mungesa e lirisë do të jetë forcë që ta pushtojë lirinë që mund të jetë Liri Intelektuale dhe Liri Kombëtare. Intelektuali (hiç përjashtimet që gjithherë janë të mundshme dhe janë) këtë është duke e bërë. E rezervoj të drejtën që të gabohem, apo jo.

IMZOT, A TË MJAFTON KY FLIJIM

Si rrumbullakësim i krejt kësaj, edhe çka të bëjnë Intelektualët për t’u kanalizuar gjërat si duhet? Ose, nëse kemi bërë tepër pak , përse kemi ngecur?

B.Musliu: Së pari, duhet ta definojmë ç’kuptojmë me termin Intelektual, e pastaj mund të kërkojmë atë që duhet prej tyre. Kur të pajtohemi se cilat janë atributet e Intelektualit Tonë Shqiptar, e rrumbullaksojmë këtë çështje, pajtohemi se Ai Është Ky Që e Kemi përpara Vetes, e jo Ai Tjetri Që Matet Me Hijen e Jupiterit, atëbotë më lehtë e kemi të konkludojmë se Intelektualët bënë Pak si thua Ti, por edhe bën Diçka që vështirë se mund t’i rehabilitojmë Ata që thonë se Intelektualët Shqiptarë s’bënë hiçgjë. Në kushtet dhe në situatat që u gjendë(n)m bë(n)m atë që mundë(n)m. Pse kjo është Pak, ka vend për të diskutuar edhe për këtë që bë(n)m si e bë(n)m, bah!

Jeni Shkrimtar i “ lirë“ që jetoni dhe punoni në Rrethana të Jashtëzakonshme, në një gjendje të papushtetshme, apo të një jete paralele, siç po shprehemi nganjëherë dhe në kokë na sillet (në pamundësi për realizimin e opcioneve të tjera) vazhdimisht Paqja që duhet të jetësohet përmes Durimit. Është ky realitet, gjendje e përkohshme tranzicioni apo Metaforë me të cilën mashtrojmë veten?!

B.Musliu: Metafora e Jetës sime është Ëndërra për Lirinë. Këtë orvatem ta bëjë sa më të shlirshme, sa më të lehtë, meqë Ëndrra edhe si Metaforë është më afër realitetit tim jetësor, edhe krijues. Por shumë gjëra i mbesin ditës tjetër për t’u realizuar, jo vetëm si Metaforë, por edhe si sendërtim të një ideali jetësor, kombëtar, por edhe artistik. Siç thotë në një varg miku im dhe poeti i mirënjohur Teki Dervishi: ”Dhembja na u bë punë që lihet për nesër”, andaj, edhe metaforat sikur i palojmë thellë në dhembjen tonë (timen) për t’i shpalosur Nesër, meqë ajo Nesër mund të jetë krejt afër, apo, mos o zot, edhe larg. Krijimtaria krejt atë që e posedon, nuk është vetëm një shpalosje, nga ajo mund të dalin shumë fashe dhe kjo shpalosje mund të zgjasi edhe më shumë. Shkrimtari ndërton lirinë e vetë në veprën e vetë, por një shtresë nuk e heton, apo thënë më mirë, nuk është në gjendje që ta absorbojë, kështu që krijohet një divergjencë ndërmjet Shkrimtarit si prodhues i Veprës artistike dhe lexuesit dhe ç’është më tragjike, ndërmjet studjuesit. Andaj, “shpikën” Metaforat si stade të refuzimit për t’i “qëruar” llogaritë me të gjithë ata që janë jashtë konvencave të konzumentit ditor. Shkrimtari (andaj edhe unë) “Lirinë” time prej shkrimtari mund ta konsideroj atë që arrijë ta pushtojë me veprën time, dhe vetëm ajo është në gjendje të më peshojë ç’luftëtar i madh qesh-jam-isha. Është çështje në vete realizimi i Veprës, thënë pak më ndryshe, ofrimi i Veprës përpara opinionit, e më pastaj vjen vlerësimi i saj. Është vështirësuar një “kanalizim” i tillë, pikërisht për shkak të rënies së krejt asaj që ishte njëherë si format institucional. Tash, kur Krijuesit e mirëfilltë janë më të ngathtë në plasimin e Veprave të tyre, mediokrët plasojnë hiçet e tyre dhe “përzihen” edhe “konceptet”, ç’është ajo që vlen dhe s’është e publikuar, ndërmjet asaj që s’vlen dhe e ke para hundëve. Sikur të krijoheshin mundësi të tjera, që Vepra, akëcila Vepër të jetë e hapur, publike dhe të garojë edhe me atë që nuk është edhe gjithaq vlerë, atëbotë, një shlirim do të ishte edhe më i madh, se kriteri i zgjedhjes dhe shijes artistike do të jetë primar për t’u pranuar, për t’u rivalërizuar Veprat, e jo ky që ekziston (me pak përjashtime)sor, kur shundi, shkarravinat dhe pseudo-veprat letrare i mbushin raftet tona për t’u lexuar dhe për t’u vlerësuar (po qe se vlerësohen). Vërehet te ne pak i sforcuar një politizim joproduktiv. Edhe Shkrimtarët më pak merren me vetvetet e tyre, shumë më tepër me atë që ngjanë rreth tyre dhe botës përreth. Kjo është e kuptueshme, por një energji e shfrytëzuar vetëm në këtë mënyrë, droj se mund t’i bëj dam si politikës, në përgjithësi, por se edhe vetë artit, në veçanti. Mungesa e Lirisë nuk duhet të keqpërdoret vetëm si “slogan” po të ishim të lirë të gjitha do t’i rregullonim, shkasi duhet kërkuar arsyen, për ndryshe do të jetë qëllim i vetvetës. Andaj për Shkrimtarin sot, edhe Metafora e djallit mund t’i shërbejë për ta krijuar Veprën e Djallit që i rri kundruall dhe ia zë hisen e tij të Diellit. Por, Metafora e Jetës Sime Është Vepra Ime, po qe se është Vepër- Metaforë.

Përveç se “Shkruaj një libër” siç shprehet Kadare, me se merreni tjetër për të mbijetuar këtë situatë?…

B.Musliu: Kjo është pyetja e Nëntë (numër karakteristik edhe për krijimtarinë time letrare, obobo!) e cila do të duhej të bëhej, të ishte e Para, jo pse e ka peshën më të madhe se të Tetë pyetjet e tjera, por do të ishte në njëfarë dore, Çelësi për të gjitha pyetjet dhe përgjigjet në vijim. Mirë e ka thënë Kadare: “Shkruaj një libër” dhe kështu me radhë. Po, ç’të bëj tjetër?! Ç’zeje të zgjedhë tash, kur veç jam i zgjedhur, të shkruaj një libër, e libri askund nuk shkëputet, nuk mënjanohet edhe kur s’kam ç’të ha, ha një libër, dhe kur merr fund ky procesion, nis e Libri më ha mua, kështu deri në ditën tjeter dhe në ditën tjetër, prapë prej fillimit. Libri për mua është Metafora e Gjëllisë Sime. Imzot, por ç’bëra tjetër në jetën time. Shkrova libra dhe kështu i radhita njërën mbas tjetrës dhe kur të kryhet i Njëjti Libër, vetëm numrat ndërrohen, ndërsa Libri mbetet i njëjti, Ai i Pari, i dyti, i Treti, dhe kështu deri në pankohësi mbase. Por, të shkruash libër sot, është një vetëflijim i madh. Por, ç’të bëj, unë e kam zgjedhur këtë vetëflijim, dhe as që ankohem, as që e refuzoj këtë realitet që është ky që është, sepse unë vetë e zgjodha dhe ai u bë libër, libri më zgjodhi mbase mua, për të më gëlltitur për çdo ditë nga pak dhe në fund do të më bëj edhe mua Libër të ndaluar mbase, apo Libër Publik, libër të hapur, kjo nuk varet edhe gjithaq prej meje. Për këtë vendos Hyji, Ai më dërgoi që të jem Ky që jam dhe të jem Libër. Imzot, a të mjafton ky flijim!?

ObserverKult