Aktori i njohur, Fuat Boçi, (tashmë i ndjerë) e nisi rrugën e artit qysh në moshë të re me pasion dhe dashuri. Nga elektricist, kino-mekanik, ai u bë edhe artist. Teksa nga një artist amator, më pas ai arriti majat e larta si profesionist në teatrin “Bylis” të Fierit… “Aktorët fierakë kanë shumë ende për të dhënë. Jemi ende të gjithë plot vrull dhe po vazhdojmë të mbetemi në skenë, pavarësisht se sot arti nuk vlerësohet”, pohon ai gjatë kësaj interviste të realizuar kohë më parë.
Intervistoi: Albert Zholi
Jeni ende aktiv. Konkretisht, çfarë pjese keni vënë në skenë, apo çfarë mësoni që të jeni i gatshëm për ftesa të ndryshme skenike?
Unë kam vite që kam dalë në pension, por mundohem të jem në aktivitet. Nuk dua të ndryshkem nga mendja dhe nga këmbët. Skena i do të dyja. Vitet e fundit kam interpretuar një rol nga komedia e Dhimitër Psatharit, si dhe disa fabula apo pjesë të krijimtarisë së Ali Asllanit, një reportazh nga humori im në vite, duke mos përmendur këtu angazhimet edhe në skenën e Fierit apo ftesa të ndryshme. Nuk e kam menduar asnjëherë largimin nga skena, sepse atje është vetë jeta ime. Herë pas here më ftojnë në aktivitete të ndryshme shoqatash, apo nga bashkia. Kam angazhime, por janë shumë të pakta. Aktorët fierakë kanë shumë ende për të dhënë. Jemi ende të gjithë plot vrull dhe po vazhdojmë të mbetemi në skenë, pavarësisht se sot arti nuk vlerësohet.
Nëse kalojmë në fëmijërinë tuaj, kur keni ardhur në Fier, pse dhe si u shpërngulët?
E mbaj mend se ishin vitet kur fëmijët duan të shkojnë në shkollë. Konkretisht, ishte fundi i vitit 1937, kur shovinistët grekë masakruan e terrorizuan qindra familje shqiptare. Mes tyre këtë fat e pësoi edhe familja ime, e cila detyrohet në mënyrë të dhimbshme të shpërngulet nga trojet e veta, duke u strehuar përfundimisht, në trevën e Myzeqesë, në lagjen e vjetër “Kishë”, sot “Kongresi i Përmetit”, të qytetit të Fierit. Në këtë qytet të Shqipërisë u vendosëm në vitin 1938. Na pritën mirë. Që në moshë të njomë u detyrova të punoj duke bërë punë të ndryshme edhe si petullashitës deri në çlirimin e vendit. Ishin kohë të tjera dhe nuk ishte ky zhvillim që është sot. Komunikimi ishte shumë i keq, varfëria e madhe, plus sëmundjet dhe papunësia. Shqipëria e asaj kohe ishte në zgrip të varfërisë. Jeta mesatare ishte tepër e ulët.
Ende sot diskutohet për prejardhjen tuaj, mund ta bëni vetë publike?
Nuk e kuptoj kush dyshon ende. E them me plot gojën jam 24 karat shqiptar, pra puro shqiptar, paçka se unë kam lindur në Voshtinë, nën fshatin Çatistër, pranë Libohovës që sot ndodhet në territorin grek. Kështu u ndanë kufijtë. Di që flisnim shqip dhe të gjithë njiheshim dhe e thoshim me dëshirë “jemi shqiptarë”.
Që në fëmijëri, cili ushqim mbetet i preferuari juaj?
Petullat (qesh). Po, po, petullat. Kur unë isha 13-14 vjeç, për të siguruar edhe bukën e familjes në vitet e luftës 1943-1944 m’u desh të shisja petulla jo vetëm në Fier, por edhe në rrethinat e tij, madje edhe tek ushtarët gjermanë. Këtë profesion ambulant e pasova dhe pak vite të tjera… Ishte koha e tillë, ishin momentet e tilla. Sot nuk mund t’i konceptojë një fëmijë i moshës 13-vjeç, ato që kemi parë dhe kemi hequr ne në atë kohë.
Si lindi dashuria për artin dhe hoqe dorë nga petullat? Sot pas kaq e kaq vitesh në skenë, ai i riktheheni kohës dhe të kujtoni të kaluarën? Konkretisht çfarë kujtoni?
Mbaj mend shumë mirë se në vegjëli, krahas punës, më lindi dëshira për të ndjekur filmat që shfaqeshin në kinemanë e qytetit. Por për arsye financiare për të parë një film, së bashku me dy apo tri shokë, më duhej të hyja fshehurazi dy orë para filmit dhe në njërin kënd të sallës, të qëndroja ashtu deri sa të fillonte shfaqja e tij. Shpeshherë, kur jam vetëm kujtoj me nostalgji brezin tim të aktorëve, regjisorëve, këngëtarëve, parodistëve që kanë punuar me mua. Kujtoj me shumë interes atë kohë, ku dhe pse nuk njihej mirë ende estrada, dalëngadalë me përkushtimin e regjisorit të mirënjohur Llazar Verria, trupa e Fierit arriti të krijonte me meritë fizionominë e vet. Që fëmijë ndiqja me ëndje lojën e mrekullueshme të Nestor Pogaçe, Sila Çuko, Thoma Rrapi, Violeta Bakalli, Lake Panajoti, Lejla Muço, Liri Dhimitri, Veniamina Muço e të tjerë. Shkoja sa herë mundja në shfaqje dhe shikoja me kërshëri çdo lojë, çdo pjesë, çdo aktor dhe ardhjet dhe vëmendja ime nuk i shpëtuan syrit të regjisorit Llazar Verria, i cili shumë shpejt më ofroi dhe më besoi figura të cilat do të admiroheshin nga publiku. Ndonëse në fillim u njoha si këngëtar, parodist e valltar, por sukseset i arrita si aktor. Talenti im filloi të shfaqej në vitet 1951-1953. Pra, kur sapo kisha kaluar të 21 vitet. Për herë të parë kam marrë pjesë në interpretimet në dramat “Kopshti i Jargavanëve”, “Nën gështenjat e Pragës”, “Rruga e madhe”, me regji të regjisorit Pirro Mani, Spiro Uruni, që shënuan dhe sukseset e para. Kështu fillova të njihem edhe me artistë të njohur si Ibrahim Nova, Avni Mula, Pandi Peleshi, Gaqo Avrazi më të cilët u bëra shumë mik. Shfaqjet e artistëve fierakë nisën të vlerësoheshin në mbarë vendin. e, nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur tek Estrada e Fierit filluan të interpretojnë aktorët e shkëlqyer Kujtim Jorgaqi, Natali Mëhilli, Leonidha Prifti, Luftar Paja, Hasan Bregu, Vasil Vaso, në praninë e regjisorëve Pëllumb Kulla e Koço Papadhopulli, dhe krijuesve të njohur Naum Prifti, Maku Pone, Dionis Bubani, Tasim Aliaj e të tjerë.
Shumë role, shumë karaktere, shumë skena në mbarë vendin, por kryerolet tuaja mbeten, Lipe Shtogu, Belul Gjeraqina dhe Llazi. Pra, një i ardhur jomyzeqar, si arrite të luash Lipe Shtogun, që përfaqëson karakterin e vërtetë të një myzeqari?
Vërtet këto role janë ato që kanë ngelur thellë në mendjen e spektatorit. Janë role tipike myzeqare që shpeshherë më identifikojnë me to. Por si arrita të realizoj një myzeqar? Së pari, ne rrokëm pak më parë se kam ardhur në Myzeqe që fëmijë, pra unë jam rritur në këtë trevë. Të rritesh në Myzeqe do të thotë se je myzeqar, pra unë jam fierak. E folura shqeto e myzeqarit, mendoj se është një dhunti e imja, por edhe një përkushtim, edhe një pasion për të mësuar nga më të vjetrit të folurën, zakonet etj. Afrimi me ta më ka ndihmuar mjaft edhe si artist në përdorimin e aksentit myzeqar. Kështu që Lipe Shtogu doli një prototip i vërtetë myzeqar, i cili shumë shpejt u ngulit në mendjen e spektatorit për arsyet e mësipërme. Edhe pse kanë kaluar vite, ai përsëri mbetet i freskët e mbahet mend, sepse transmetohet nga brezi në brez. Ky rol është realizuar në fund të viteve ‘70 dhe pas atij viti më kërkohej edhe në premierat e vazhdueshme. Pra, të flasim për Lipe Shtogun. Këtë skeç na e serviri dhe na e solli pranë regjisori i madh Pëllumb Kulla. Ky skeç kishte vrull, kishte nëntekst, kishte dinamikë e të detyronte ta përcillje bukur te spektatori.
Po Belul Gjeraqina?
Belul Gjeraqina është një monolog i Qamil Buxhelit. Një monolog shumë interesant që më ngjiti. Ishte një material humoristik tepër elegant dhe i gjatë, por që të mbante mbërthyer. Me regjisorin Kulla kam punuar shumë për këtë rol që të dilte i bukur dhe të mos dukej i lodhshëm. Dhe në fakt ashtu doli, një rol i bukur, me shumë detaje dhe nuanca të këndshme, që bënte që spektatori të qeshte nga fillimi në fund të monologut. Ky monolog kishte gjetje artistike, kishte atmosferë dhe qëndron edhe sot aktual. Pra, vë në qendër njeriun që mbivlerëson veten.
Përveç pos dy roleve të mësipërm një rol po kaq i bukur, me hapësirë dhe ngacmues, mbetet dhe roli i Llazit, vlerësuar me të drejtë me Belulin…
Shumë i drejtë konstatimi për “Llazi bëhet me dhi”. Llazi kishte veçoritë e tij si figurë, që dhe pse myzeqar, nuk kishte përsëritje as të Lipe Shtogut, as të Belul Gjeraqinës. Llazi një rol ndryshe dhe ndjej vërtet kënaqësi me këtë rol, pasi tashmë Llazi është bërë “lajtmotivi i ditës” jo vetëm në Fier, por edhe në mjaft qytete të tjera, ku shpesh ai transmetohet edhe nga televizione të ndryshme. Ja përshembull kur kam qenë me mikun tim Zoi Papa në Kavajë, të gjithë më shihnin dhe qeshnin. Siç duket ky skeç ishte parë edhe në Kavajë, sepse njerëz të ndryshëm më flisnin: Llazi, o Llazi! Po kështu edhe në Lushnjë. Në stadiumin e Vlorës tifozët thërrisnin: O Llazi, çoje dhinë! Duke mos folur pastaj për banorët e qytetit tim. Këtë material e ka krijuar Andrea Prifti. Ky autor duke qenë vetë myzeqar ka bërë shumë materiale të tjera tepër të goditura. Mund të them se pas Kullës, materialet e tij kanë pasur shumë sukses.
Ju keni mjaft role së bashku me artistin e madh Luftar Paja, si do t’i cilësonit këto role?
Sigurisht, rolet që kam luajtur me Luftarin mbeten unike për shumë arsye, pasi me karakteristikat e veçanta ne arrinim të harmonizoheshim. Konkretisht, Luftari, duke u njohur si aktor me një ekuilibër të çuditshëm, mendoj se rolet e zonës së tij, Mallakastrës, por edhe ato të Labërisë, i ka bërë pronë të tij, pra i ka me tapi. Pra, Mallakastra dhe Labëria kanë shumë të përbashkëta dhe Luftari i njeh mirë këto zona dhe gjuhën e tyre. Unë myzeqarin, ndërsa Luftari labin dhe mallakastriotin, detyrimisht do dilte një dialog magjik. Për më tej, njihet forca e interpretimit komik e aktorit Paja dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur për partner ke Luftar Pajën, do të arrish patjetër sukses…
Hobi juaj i vjetër veç aktrimit?
Peshkimi. Ashtu si me artin, ku jam dashuruar përjetësisht me të, ai është pasioni im i dytë. Arti dhe peshkimi janë oksigjeni i jetës sime. Nga aktorët, i etur për peshkim ka qenë i madhi Kadri Roshi. Peshkimi ishte për të diçka frymëzuese, relaksuese, anti-stres. Përkushtohej në peshkim dhe shumë herë shkonim bashkë për të peshkuar në vende të ndryshme.
Mund të na i përcillni sadopak karakteret e roleve tuaj, pra çfarë përmbanin rolet, kë nënkuptonin dhe puna me aktorët e tjerë?
Në rolet e mia unë kam sjellë afër publikut figurën e punëtorit, dembelit, fshatarit, burokratit, intelektualit, deputetit… Por jo të gjithë këto role mbeten gjurmëlënës e të përkryer, pasi kurrsesi nuk mund të dalloheshin prej tyre rolet e Lipe Shtogut, Cfurku, Belul Gjeraqina, deri tek ndër figurat e kohëve të fundit “Llazi bëhet me dhi”. Por pjesë e suksesit tim gjithmonë kanë qenë dhe shokët e mi, miqtë e mi të shkëlqyer si Luftar Paja, Dhimitër Jano, Xhuljeta Kulla, Todi Llupi, Arqile Lipe, Fatos Sela, Ilir Bezhani, Sotir Stefa, të cilët do të kontribuonin denjësisht në plotësimin me vërtetësi të figurave artistike dhe të roleve të mi. Jeta e aktorit është e çuditshme, është një luftë në furtunë për të dalë në krye. Vetëm s’ja del dot. Edhe unë në jetën skenike kam pasur batica e zbatica të ndryshme. Të jesh artist do të thotë të pushtosh ndjenjat e spektatorit, botën e tij të brendshme shpirtërore, duke i falur momente emocionale, që atë ta lumturojnë, duke i larguar paksa streset e ditës.
Dita më e vështirë në jetë?
Dita kur mua më iku bashkëshortja Afetja, me të cilën lidha jetën. Por Zoti më dha dy vajza dhe një djalë, tashmë të tre të martuar dhe me fëmijë. Edhe pse tani fëmijët e mi ndodhen në Tiranë dhe në emigracion, nuk e ndjej në asnjë moment vetminë, jam plotësisht i bindur se nëse më lind një problem e trokas në derën e çdo fieraku, besoj se do të më hapet dera./(aktoretshqiptare)
———————
Lexo edhe:
INTERVISTA E RRALLË E AKTORES SË MADHE, VIOLETA MANUSHI- RRËFEU PËR EMOCIONET E NJË JETE NË SKENË
ObserverKult