Intervistë: Khaled Hossein rrëfen se si lindi romani “Gjuetari i balonave”

Ka qenë vetë një gjuetar balonash dhe rrëfimin e ka nisur në kujtim të fëmijërisë së tij në vitin 1999. Ishin vetëm 25 faqe të shkurara por pa e bindur se mund t’i publikonte. Dy vite më vonë, kur Afganistani u kthye në qendër të botës ai iu rikthye atyre faqeve për të shkruar romanin. Në vitin 2003, i frymëzuar nga dëshmi të marra në Kabul, ai shkroi edhe “Një mijë diej vezullues”…

-A mund të më thoni diçka për fëmijërinë tuaj në Afganistan?

Po, kam lindur atje në vitin 1965, dhe jam rritur në epokën para-sovjetike të luftës në Afganistan. Unë jam rritur në Kabul. Të dy prindërit e mi kanë pasur edukim universitar -nëna ishte mësuese e Gjuhës farsi dhe e Historisë në një shkollë të lartë për vajza, babai im ishte një diplomat në Ministrinë e Jashtme. Dhe, ju e dini, Afganistani ishte një vend që ishte në paqe si me veten, ashtu dhe me fqinjët. Kabul shënonte rritje, lulëzonte në një qytet kozmopolit. Pra, ishte një tablo krejt tjetër e Afganistanit nga ajo që mendohet sot kur përmendet fjala Afganistan. Kështu që unë ndihem shumë me fat që kanë jetuar nëpër vitet e fundit paqësore të historisë së kohëve të fundit të Afganistanit.

-Si dhe përse e la familja juaj Afganistanin?

Ne u larguam në vitin 1976, sepse babai im ishte caktuar në një post diplomatik në ambasadën afgane në Paris, ku është dashur të qëndrojë në detyrë katër vjet. Derisa ne ishim në Paris, Bashkimi Sovjetik e pushtoi Afganistanin dhe filloi lufta, ndërsa gjërat në vendlindje u bënë shumë të paqëndrueshme. Atje, filloi kriza e refugjatëve, dhe ne i njihnim njerëzit që ishin në burgje, që u torturuan, u rrahën e u vranë. Prandaj, babai im kërkoi azil në Shtetet e Bashkuara, dhe në vend që të kthehej në Afganistan, familja ime u vendos në San Jose të Kalifornisë, në vjeshtën e vitit 1980, ku jeton që nga atëherë shumica e familjes sime.

-Si ishte zhvendosja në SHBA si adoleshent?

Isha 15-vjeçar kur u zhvendosa në SHBA, dhe ndiqja mësimet në shkollë të mesme, dhe e dini, dhe për shkak të moshës sime, përshtatja ishte shumë e vështirë. Por, unë mendoj se më e vështirë ishte përshtatja për prindërit e mi, që është dashur të çrrënjosen dhe të humbin gjithçka, për të cilën kishin punuar gjatë jetës së tyre, dhe që të rifillojnë jetën e tyre nga zeroja në një mjedis që në mënyrë dramatike ishte i ndryshëm nga ai me të cilin ishin mësuar. Por, mendoj se ata gjithashtu kishin një ndjenjë shumë të shëndetshme për perspektivën dhe kanë qenë në mesin e afganëve jashtëzakonisht me fat, që ishin lejuar të rifillojnë jetën në Amerikë, përderisa miliona afganë përfunduan duke jetuar në kampet e refugjatëve në Pakistan, jetonin si punëtorë në Iran apo gjetiu në botë. Pra, ne kemi qenë shumë, shumë me fat.

-A flisnit anglisht kur erdhët në SHBA?

Nuk flisja. I njihja pak fjalë, por më është dashur ta mësoj anglishten fluturimthi. Ishte gjë e vështirë. Unë gjithmonë kam qenë i hapur për gjuhët, por ishte me të vërtetë e vështirë. Brenda dy javësh të mbërritjes, unë u regjistrova në klasat e rregullta angleze si një student. Ishte një proces – ose fundosu ose noto. E mësova gjuhën duke lexuar gazetat, duke shikuar televizion, nëpërmjet radios, nëpërmjet shkollës, dhe mendoj se brenda një viti unë flisja mjaft rrjedhshëm.

Çfarë përvojash motivuan rrëfimin për “Gjuetarin e Balonave?”

Vetë rrëfimi është mjaft imagjinar – edhe pse unë po shikoja një raport në pranverën e vitit 1999 në televizion, dhe ky raport kishte të bënte me talebanët. Aty flitej për të gjitha detyrimet e imponuara mbi popullin afgan nga talebanë. Në kuadër të raportit, u përmend edhe ndalesa e sportit të gjuajtjes së balonave, gjë që më goditi personalisht, sepse si fëmijë isha rritur me kushërinjtë dhe shokët e mi në Kabul, duke gjuajtur balonat. Pas atij raporti, shkrova një rrëfim 25 faqesh në lidhje me dy djem në Kabul, që gjuanin balona, i cili u bë më i errët sesa që e kisha parashikuar. Nja dy vjet më vonë, në mars të vitit 2001 kam rizbuluar rrëfimin e shkurtër në garazhin tim dhe në një formë u bë frymëzim për romanin. Dhe, unë u ula dhe e fillova zgjerimin e rrëfimit të shkurtër, i cili përfundimisht u shndërrua në romanin “Gjuetari i Balonave”.

-Libri pasues, “Një mijë diej vezullues”, fokusohet në përvoja të ndryshme të grave në Afganistan. Çka ju shtyri ta shkruanit atë?

Pothuaj, me të mbaruar të romanit “Gjuetari i Balonave” e dija që do ta shkruaja një libër të dytë, dhe e dija se kisha dëshirë të shkruaja për gratë. Kjo, pasi që unë pata shkuar në Afganistan në muajin mars të vitit 2003 dhe pashë vetë pasojat e luftës, dëgjova aq shumë histori se çfarë u kishte ndodhur grave, tragjeditë që i kishin duruar, vështirësitë, dhunën mbi baza gjinore që kishin pësuar, diskriminimin e deri te ndalesa e jetës aktive gjatë sundimit të talebanëve, lëvizjet e kufizuara, ndalesa që të ushtronin të drejtat e tyre ligjore, sociale, politike. Unë ndjeva se kjo ishte një nëpërkëmbje dhe se ishte një rrëfim shumë i rëndësishëm. Kur unë isha në Kabul në vitin 2003, dëgjova shumë histori personale në lidhje me gratë dhe pas një kohe këta zëra u bashkuam, për të formuar karakteret për të cilat shkrova në “Një mijë diej vezullues”.

A ishte më i vështirë të shkruhet “Një mijë diej vezullues”, apo “Gjuetari i Balonave”?

Shumë më vështirë. Kjo ishte një sfidë e vërtetë për të shkruar nga pikëpamja e jo një, por dy grave të ndryshme, me sfond të ndryshëm social. Unë me të vërtetë u përpoqa me këtë gjë për një kohë, dhe më në fund në një pikë personazhet u bënë të gjalla për mua, atëherë kur unë u ndala së obsesionuari me to aq shumë – duke dashur të jap zërin autentik të një gruaje afgane. Pastaj kam shkruar për to si qenie njerëzore që kanë frikë, shqetësim, zhgënjim, shpresa, dhe tipare tjera të personalitetit. Në atë moment, papritmas personazhet morën jetë dhe u bënë shumë të vërteta për mua.

(Marrë me shkurtime nga intervista me Courtney Brook për RFE, 2012)