Profesor Jetmir Aliçka, një nga ekspertët e arsimit shqiptar dhe drejtues me eksperiencë të gjatë në këtë fushë, analizon Maturën 2022.
“Çfarë ndyshon nga praktikat e mëparshme, të provuara të dështuara para aplikimit të variantit të sotëm të MSH?”, – ngre pyetje profesori dhe propozon zgjidhje për sfidat që ky proces vijon të paraqesë.
Më poshtë, intervista e plotë:
Z. Aliçka, Ministria e Arsimit dhe Sporteve këtë vit shkollor ka bërë dhe po bën disa ndryshime në Arsimin Parauniversitar, si p,sh. në Maturën Shtetërore, mënyrën e vlerësimit në arsimin bazë dhe gjimnaz, dixhitalizimin e sistemit (SMIP)) etj. Cili është mendimi juaj për këto ndryshime?
Po e fillojmë nga kjo e fundit. Padyshim, dixhitalizimi i sistemit përbën një hap të rëndësishëm në modernizimin e tij. Është në koherencë të plotë, mendoj, me përpjekjet që po bën qeveria për dixhitalizimin e sistemeve në të gjitha fushat, në veçanti në ato të shërbimeve, ku arsimi zë një vend të konsiderueshëm.
Rregjistrimet, transferimet, transmetimi i informacioneve të ndërsjellta; shkollë, prind, institucione, vlerësimet dhe monitorimet e planeve, programeve, kurrikulave në përgjithësi etj., ka bërë që të shmangen jo pak procedura burokratike, që në shkollë kanë qenë prezente prej shumë vitesh.
Po ashtu është rritur saktësia, duke shmangur gabimet në dokumentacion, ndjehet një lehtësim në administrimin e shkollës dhe institucioneve arsimore, lehtësim i ngarkesës në punën e përditëshme të mësuesit, si dhe pse jo, parandalohen praktika abuzive.
Pavarësisht skepticizmit që shoqëron çdo ndryshim, rrjedhojë edhe disa problemeve të vogla në zbatimin dhe funksionimin e këtij projekti, mendoj se jemi brenda kufijve të njohura dhe pranuara të gabimit.
Matura Shtetërore, “një kalë beteje” për çdo ministër apo ministre. Mendoj se gjykimi i Komitetit të Maturës Shetërore, bazuar edhe në mendimin e grupit të ekspertëve të ngritur pranë Ministrisë, se kishte ardhur koha të korrigjohej urgjentisht ndonjë komponent i saj, ishte i drejtë.
Disa shqetësime të konstatuara vit pas viti, në veçanti në procesin e hartimit të testeve dhe hartimin dhe konceptimin e përmbajtjes së tyre, bënë që ndërhyrja të ishte e menjëhershme dhe nga ç’ka u pa në procesin e Maturës Shtetërore këtë vit, ndryshimi ishte rezultativ. Meritë për këtë mendoj se ka edhe Qendra për Shërbime Arsimore.
Në provimin me zgjedhje të lëndës së Biologjisë pati kontestime nga maturantët, bile u organizuan edhe protesta. A përbën ky fakt, që të mendojmë se ndryshimi nuk ishte efektiv?
Unë kam konstatuar se shkalla e vështirësisë se testeve në 3 provimet e detyruara të MSH këtë vit ka qenë relativisht më e ulët se vitet e tjera. Dhe mendoj se ishte një zgjedhje e mirë, e bërë nga hartuesit e testeve, duke pasur parasysh që maturantët e këtij viti zhvilluan procesin mësimor 2 vite në kushte pandemie, pra, jo normale.
Por provimi me zgjedhje është diçka tjetër. Maturanti e zgjedh vetë lëndën dhe është lënda që i maksimalizon pikët në përzgjedhjen e degës për në shkollën e lartë. Çka do të thotë, që përgatitja, formimi i tij për degën që ka zgjedhur të studiojë, duhet të jetë tejet më cilësor, pasi duhet të përbëjë diferencën.
Në këtë kontekst, mendimi im është se jo vetëm ky provim në këtë lëndë duhet të jetë i një shkalle vështirësie të lartë, por ka ardhur koha që provimet e Maturës Shtetërore, testet në të 4 provimet, duhet të jenë të një shkalle vështirësie gjithmonë në rritje, në veçanti për maturantët që pretendojnë notën 9-të e sipër.
Për testin në fjalë, Biologjinë, maturantët që e kishin zgjedhur, u nisën nga një i njëjti start dhe të barabartë midis të barabartëve përballë testit. E njëjta shkallë vështirësie për të gjithë. Për rrjedhojë parimi i meritë-preferences në përzgjedhjen e degës, ku Biologjia është prioritare, nuk cenohet për askënd, në këtë rast, nga vësahtirësia e testit. Padyshim protestat e maturantëve duhen vlerësuar pozitivisht dhe në rastin konkret, ato ndikojnë në motivimin e shpirtit të protestës tek të rinjtë, por vetëm kaq.
Sipas jush z. Aliçka, çdo gjë ka shkuar mirë në maturën e këtij viti?
Pra, Matura Shtetërore është një process ku përfshihen rreth 30.000 maturantë, me mijëra administratorë, me qindra vlerësues, me qindra drejtues shkollash, me dhjetëra hartues testesh, një ministri e tërë me ministren dhe zv/ministren në krye, me agjencitë vartëse të saj, me qindra policë etj. etj. Prandaj për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet të jem pak i kujdesshëm, pasi në radhë të parë duhen përgëzuar këta njerëz.
Vazhdojmë më tej. dmth Matura shtetërore u krijua duke pasur në focus 2 synime: 1.Te krijonte kushtet që pranimet në shkollat e larta të bëheshin sipas parimit meritë – preference. Synimi i dytë; Rezultatet e Maturës Shtetërore të konsideruara si një skaner për të diagnostikuar sistemin parauniversitar, të ushtronin presion mbi këtë sistem, për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë të tij.
Administratorët indiferentë ndaj kopjimeve- fenomeni më tipik në vite i keqadministrimit
Bazuar në analizat dhe konstatimet e mia rezulton se të dy këto synime nuk janë realizuar asnjëherë plotësisht. Mundohem t’a argumentoj:
Ky ka qenë viti i 16-të i aplikimit të Maturës Shtetërore. Përveç 2 viteve të para të aplikimit të saj. “Thembra e Akilit” e 14 maturave të tjera ka qenë administrimi i provimit. Pothuaj çdo vit në analizat e MAS, apo në analizat e çdo institucioni arsimor, ishte dhe është një refren i përvitshëm: administrimi nuk shkon mirë. Fenomeni më tipik në vite i keqadministrimit, mest tjerash, ishte se administratorët, në rastin më të mirë tregoheshin indiferentë ndaj atyre që kopjonin dhe në rastin më të keq bëheshin palë me ta.
Në veçanti kjo ka ndodhur dhe ndodh kryesisht në zonat rurale, ku kontrolli është më i dobët. Pasoja e këtij fenomeni: maturantët që kopjonin, merrnin nota maksimale dhe konkuronin me më të mirët. Jo rrallë, ju zinin edhe vëndin këtyre të fundit në degët e preferuara. Keqadministrimi ka cenuar dhe po cenon dashje padashje, parimin meritë– preferencë. Ka cenuar një nga synimet thelbësore të Maturës Shtetërore për rrjedhojë ka filluar të cenojë edhe besimin për pranimet në shkollat e larta.
Synimi i dytë. Po i referohemi 2 rezultateve në 2 provimet e detyruara të M. SH., të këtij viti në Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë. Nota mesatare në rang republike në të 2 këto provime është midis notës 6 dhe notës 7. Rezultat relativisht jo i mire. Një rezultat, ku më shumë e ku më pak, i përsëritur në vite. Poqenëse MSH në synimin e parë realizoi relativisht diagnostifikimin e sistemit, pak ose aspak ndikoi kjo në përmirësimin e sistemit. Synimi i dytë i cënuar, kjo është shqetësuese.
Çfarë zgjidhjesh propozohen?
Për hir të së vërtetës përpjekjet ndër vite për të realizuar 2 synimet nuk kanë munguar, ashtu si nuk kanë munguar edhe tani, por për mendimin tim nuk kanë rezultuar shumë efikase. Ka pasur vazhdimisht përpjekje për përzgjedhjen e mësuesve me integritet si administratorë të provimeve, trajnime të vazhdueshme të tyre, ndërhyrje të vazhdueshme në rregulloren e Maturës Shtetërore, marrjen e masave disiplinore ndaj atyre që abuzonin duke shkelur rregulloren etj.
Në takimin e fundit të Komitetit të Maturës Shtetërore, menjëherë pas përfundimeve të provimeve, Drejtoresha e Pergjithshme e Arsimit Parauniversitar prezantoi shkeljet e konstatuara në thyerje të rregullores, si dhe masat ndëshkimore për shkelësit e saj. Reagim “flakë për flakë”, por përvoja tregon se nuk mjafton. Sigurisht jo për fajin e saj.
Ka 2-3 vite që po diskutohet në ministri, në KMSH, në grup ekspertësh se e vetmja zgjidhje është përdorimi i teknologjisë dixhitale në provimet MSH, më thjeshtë maturanti para kompjuterit, si dhe organizimi i testeve nga Fakultetet e atyre degëve, që janë më të kërkuarat, apo atje ku kërkesa është më e madhe se oferta.
Padyshim që përdorimi i teknologjisë do të jetë një hap i rëndësishëm, po ashtu edhe i testeve në fakultete, por personalisht mbetem skeptik nëse do të mbeteshim vetëm me këto zgjidhje.
Pse skeptik z. Aliçka?
Kam mendimin se ne po merremi shumë me mekanizmat e teknologjinë, sesa me njerëzit. Janë njerëzit që e menaxhojnë procesin, janë njerëzit që hartojnë testet, janë njerëzit që nxjerrin sekretin, janë nxënësit dhe prindërit e tyre që ushtrojnë presion dhe këta të fundit janë shumë. Unë mendoj se zgjidhja e problemeve në Arsimin Parauniversitar edhe i MSH është rritja e cilësisë në shkolla. Pra duhet t’ja fillojmë nga shkolla. Duhet të shkundet shkolla.
Nëse do të luftohet pa ekuivok fiktiviteti në vlerësim nga mësuesit; nëse në shkolla do të punojnë me mësues me nivel shkencor, akademik dhe professional, të cilët do të përmirësojnë ndjeshëm efektivitetin e procesit të mësimdhënies; nëse shkolla do të marrë shumë më tepër përgjegjësi në përballje me nxënien dhe edukimin; nëse do të krijojmë një frymë në luftën kundër korrupsionit abuzivizmit falcitetit në shkollë; nëse do të forcojmë displinën në shkolla, pasi në një pjesë të mirë të tyre nuk po zhvillohet mësimi;
poqëse do të ndryshojmë dispozitat normative, për të mbrojtur shkollën nga fenomene të tilla tejet negative si përdorimi i cigareve, hashashit, pasi shkollat janë kthyer në vatra të këtyre fenomeneve etj., atëherë mund të shpresojmë për një cilësi të re të shkollës, ç’ka do të thotë se së bashku me përdorimin e teknollogjisë mund të besojmë se do të kemi ndryshime pozitive në arsimin parauniversitar.
Të shpresojmë se duke përdorur vëtëm teknologjine do të vijë zgjidhja, kjo për mua nuk është veçse një iluzion. Nuk besoj se përdorimi i teknologjisë do të shmangë kopjimin, pasi në çdo salle provimi përsëri do të ketë një administrator. Po ashtu Unë nuk besoj se nuk do të dali sekreti i testit, pasi përsëri do të gjendet njëadministrator, përgjegjës kati, sekser jashtë shkollës, mësues i korruptuar jashtë shkollës, që do të zgjidhin testin e do ta futin përsëri në sallat e provimit.
Unë nuk besoj se përdorimi i teknologjisë do të pengojë konfliktin e interesit në testet që do të organizojnë fakultetet, kur testi do të hartohet nga pedagogët, do të programohet nga kolegët e tryre, do të administrohet nga ata apo kolegët, do të vlerësohet e listohet nga ata.
Çfarë ndyshon nga praktikat e mëparshme, të provuara të dështuara para aplikimit të variantit të sotëm të MSH? Kur presioni që do ushtrojnë kandidatët për studentë dhe familjarët e tyre nuk besoj se do të bjerë, nuk besoj se pedagogët që shisnin tezat e provimeve tek studentët dhe studentët i shisnin tek shokët e tyre, do të zhduken me një të rënë të lapsit. Unë nuk besoj se kurset private të pedagogëve nuk do të lulëzojnë e vegjetojnë. Jetojmë në Shqipëri dhe askush nuk mund të besojë që nuk do të ketë më korrupsion, abuzivizëm dhe fiktivitet në pranimet e këtyre degëve të preferuara.
Unë besoj se fryma, idetë, vizioni dhe njërëzit prevalojnë mbi mekanizmat dhe teknologjine.
Më çfarë thashë nuk do të thotë se përdorimi i teknologjisë nuk vlen. Absolutisht jo. Por zgjidhja shihet tek forcimi cilësor i shkollës, i cili prevalon dhe i kombinuar me përdorimin e teknologjisë mund të sjellë ndryshime cilësore në arsimin parauniversitar dhe mbi të gjitha, zgjidhje afatgjata.
Pra, ju mendoni se ndryshimet pozitive në arsimin parauniversitar do të vijnë kryesisht me forcimin cilësor të shkollës?
Unë jo vetëm e mendoj, por edhe e besoj. Shkolla duhet të marrë shumë, shumë më tepër përgjegjësi se deri tani. Më shumë përgjegjësi për procesin e nxënies e mësimdhënies, më shumë përgjegjësi për edukimin etik, moral e qytetar të fëmijëve tanë, më shumë përgjegjësi për formimin e tyre të gjithanshëm. Por shkolla nuk mund ta bëjë këtë e vetme.
Kërkon mbështetjen e instancave shtetërore e qeveritare, të mësuesve, nxënësve, prindërve, të opinionit publik, të medieve e shoqërisë civile. Vlen shumë fryma, që do të duhet të krijohet, pasi shkolla nuk është pronë e askujt por i përket të gjithëve.
Pyetja e fundit, ju drejtoni një shkollë private, shkollën ELITË. Cilat janë rezultatet dhe çfarë bëni ju ndryshe?
Shkolla këto ditë festoi 5-vjetorin e saj. Rezultatet: Po i referohem rezultateve në provimet e shtetit këtë vit shkollor pra, provimeve të Lirimit dhe Maturës Shtetërore. Nota mesatare në 3 provimet e lirimit ishte 9, ndërsa në 4 provimet e Maturës Shtetërore 8,7. Një rezultat i mirë, por synojmë dhe besojmë për më mire në të ardhmen.
Filozofia mbi të cilën u ndërtua kjo shkollë është ajo ç’ka unë theksova më sipër. Shkolla duhet të marrë shumë, shumë më tepër përgjegjësi për rezultatet dhe formimin shkencor e qytetar të nxënësve. Më konkretisht, po ndalemi vetëm në një nga sfidat me të cilat po përballet edukimi tek ne, por jo vetëm.
Nxënësi gjatë ditës përballet me nxënien rreth 6-7 orë në shkollë dhe për t’u përgatitur për të nesërmen në shtëpi, për të marrë notën 9 e sipër, i duhen minimalisht 3-4 orë. Pra, minimalisht 9-10 orë në ditë përballje me nxënien. Shumë apo jo. Fëmijët po humbasin fëmijërinë e tyre dhe adoleshentët, adoleshencën e tyre. Shtrohet pyetja: Cili është efektiviteti i procesit të nxënies e mësimdhënies në klasë? Nga të gjitha sondazhet rezulton një efektivitet i ulët.
Çfarë bëhet tek ne. Në arsimin fillor nxënësit nga ora 08:00 deri në 16:00 mbarojnë gjithçka në shkollë. Çantat dhe librat qëndrojnë në shkollë. Gjithë përgjegjësia e nxënies është e shkollës. Punohet në çdo klasë me 2 mësues të ciklit fillor, të cilët mbulojnë lëndët kryesore matematikën dhe gjuhë-letërsinë, ndërsa lëndët e tjera i mbulojnë mësuesi i muzikës, mësuesi i vizatimit, i edukimit fizik dhe gjuhës angleze.
Pra, në një klasë me maksimum 18 nxënës, punojnë afërsisht 3 mësues me ngarkesë të plotë. Gjatë studimit pasdite zhvillohen dhe veprimtari jashtëkurrikulare si volej, basket, futboll, danc, kango, teatër, pikturë etj. Pra gjithshka fillon e mbaron në shkollë. Kemi rritur përgjegjësinë e shkollës.
Në arsimin bazë dhe gjimnaz kemi rritur shumë efektivitetin e procesit të nxënies dhe mësimdhënies në klasë. Rrjedhojë enjë mësimdhënie interaktive dhe gjithëpërfshirëse gjatë 90 minutave (45 + 45) është arritur që deri 75% e nxënies të realizohet në klasë. Gjatë 90 min. punojnë edhe mësuesi dhe nxënësi. Synimi është një dhe i vetëm: maksimalizimin e nxënies që në klasë.
Rezultati i mësuesit matet me faktinse sa për qind shpjegimi i mësuesit shkoi tek nxënësi dhe kjo është përgjegjësia reale e tij. Detyra e mësuesit konsiderohet e plotësuar kur ai del nga klasa me një mendim e konkluzion të qartë rreth nivelit të nxënësve, për atë ç’ka u zhvillua gjatë 90 minutave. Pra, kemi rritur përgjegjësinë e shkollës duke rritur përgjegjësinë e gjithësecilit.
Shkolla është një sipërmarrje e vështirë, por e bukur. Le t’i adresohemi të gjithë forcimit tësaj./gazetadita.al
ObserverKult
Lexo edhe: