Intervistë me Umberto Econ: Kam bërë gabime në të gjitha rrugët e jetës

I intervistuar nga Lila Azam Zanganeh – “Paris Review”

Një intervistë e gjatë dhe e bukur me Umberto Econ. Në të, ai ka folur për familjen e tij, ku tregon se i ati, fëmija i parë nga 13 fëmijët që kishte gjyshi i Ecos, lexonte libra në rrugë – pranë kioskave. Më tej ai flet për fashizmin për të cilin thotë se:

“Për të ishte e çuditshme. Musolini ishte shumë karizmatik dhe si çdo fëmijë shkolle në Italinë e kohës së tij edhe Eco ishte përfshirë në rininë fashiste, madje ishin të detyruar të vishnin një uniformë – rrobë ushtarake. “Ishim të lumtur për këtë. Është si të veshësh sot fëmijët amerikanë me uniformë marine. Për ne fëmijët kjo atëherë ishte natyrale, si bora në dimër dhe i nxehti në verë”.

Ai rrëfen për kujtimet që ruante nga bombardimet dhe se kur fashizmi ra, në vitin 1943, ai zbuloi në gazeta se kishte edhe parti të tjera madje edhe këndvështrime të tjera. “Për t’i shpëtuar bombardimeve nga shtatori 1943 deri në prill 1945 — vitet më traumatike të kombit tonë, nëna ime, motra dhe unë kemi jetuar në fshat, në Monferrato – zonë që ishte epiqendër e rezistencës”.

– E keni lexuar Kodin e Da Vinçit?

Po, jam fajtor për këtë.

– Duket se ai roman, ka marrë diçka nga “Foucault’s Pendulum”.

Autori, Dan Brown, është një karakter nga “Foucault’s Pendulum!” Unë e kam shpikur atë. Ai shpërndan imagjinatën e personazheve të mia- konspiracinë botërore, rolin e templarëve. Kam dyshime nëse Dan Brown ekziston.

Çfarë të bëri të ndjesh se duhet të shkruaje një roman?

Një ditë në vitin 1978, një mikesha ime më tha se donte të rishihte botimin e disa romaneve me detektivë të shkruara nga shkrimtarë amatorë. I thashë se unë nuk do të shkruaja një histori me detektivë, por nëse ndonjëherë do të shkruaja ndonjë, do të ishte një roman me 500 faqe dhe me murgjë mesjetarë si personazhe. Atë ditë, ndërsa kthehesha në shtëpi, fillova të bëja një listë të emrave të murgjve imagjinarë mesjetarë. Më pas, papritmas mu shfaq në mendje imazhi i një murgu të helmuar. Gjithçka filloi këtu. Ajo u bë një thirrje që s’e përmbaja dot.

– Të shkruarit e romaneve, a e ka ndryshuar idenë tuaj sesa shumë mund të ndikoni tek lexuesi si autor?

Unë gjithnjë mendoj se një libër i mirë është më inteligjent se autori. Ai mund të thotë gjëra për të cilat autori nuk është i ndërgjegjshëm.

– Kisha katolike ju ka bërë të kaloni kohë të vështira. Gazeta e Vatikanit e ka cilësuar “Foucault’s Pendulum” si një libër plot me gjëra profane, blasfemi..

Gjëja e çuditshme është se unë sapo kam marrë diploma nderi nga dy universiteteve katolike, Leuven dhe Loyola.

A besoni në Zot?

Pse një ditë ne e duam dikë dhe të nesërmen zbuloni se dashuria është zhdukur? Ndjenjat, mjerisht, zhduken pa arsyetim dhe shpesh pa një gjurmë.

– Nëse nuk besoni në Zot, pse keni shkruar aq shumë për fenë?

Sepse unë besoj te feja. Qeniet njerëzore janë kafshë fetare dhe një tipar i tillë i sjelljes njerëzore nuk mund të injorohet.

– A keni kohë të lexoni romanet e bashkëkohësve tuaj?

Jo aq shumë. Qëkur jam bërë shkrimtar kam zbuluar se jam i njëanshëm. Ose mendoj se një roman i ri është më i keq se i imi dhe nuk më pëlqen, ose dyshoj se është më mirë sesa romanet e mia dhe nuk më pëlqen.

– A jep libra (nga biblioteka)?

Unë marr shumë libra çdo ditë – romane, botime të reja, ribotime të atyre që kam lexuar dhe që i kam — kështu që çdo javë disa i çoj në universitet ku është një tabelë e madhe me një shenjë që thotë ‘merr një libër dhe vrapo’.

– Sa i rëndësishëm është për ju nocioni mbijetesës së punës suaj? A keni menduar për trashëgiminë tuaj?

Unë nuk besoj se ndokush shkruan për veten. Mendoj se shkrimi është një akt dashurie, shkruani për të dhënë diçka për dikë tjetër. Për të komunikuar diçka. Që të ketë njerëz të tjerë që ndajnë ndjenjat tuaja. Ky problem, sesa gjatë në sa kohë puna juaj mund të mbijetojë është i rëndësishëm për çdo shkrimtar, jo vetëm për një romancier apo poet. E vërteta është se, një filozof e shkruan librin e tij për të bindur sa më shumë njerëz me teoritë e tij dhe ai shpreson se në tremijë vitet e ardhshme njerëzit do të vazhdojnë ta lexojnë atë libër.

Është e njëjta gjë, si shpresa që keni ju që fëmijët tu trashëgojnë ju dhe nipërit të trashëgojnë fëmijët tuaj.

Secili shpreson tek ndjenja e vazhdimësisë. Kur një shkrimtar thotë se nuk i intereson fati i librit të tij, ai është thjesht një gënjeshtar. Ai e thotë këtë për të kënaqur intervistuesin.

– A keni ndonjë keqardhje në këtë pikë të jetës suaj?

Më vjen keq për çdo gjë, sepse kam bërë shumë, shumë gabime në të gjitha rrugët e jetës. Por nëse unë do të mund të filloja sërish, sinqerisht mendoj se do të bëja të njëjtat gabime. Dhe po jam serioz (në këtë që them). E kam kaluar jetën duke ekzaminuar sjelljen dhe idetë e mia, dhe duke kritikuar veten. Jam aq shumë i ashpër sa kurrë nuk do t’u thoja se cila është kritika më e rëndë që i kam bërë vetes dhe nuk do e thoja as për një milionë dollarë./voal.ch

ObserverKult

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

14 INTERVISTA TË PËRHANSHME NË GOSTINË E DYTË LETRARE TË XHEMAZIJES