Inva Mula, sopranoja e njohur, e cila nuk ishte e pranishme në inaugurimin e rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar të Baletit ka shfaqur indirekt marrëdhëniet e ftohta që ka me drejtuesen e këtij institucioni Zana Çelën.
Në një intervistë për Mira Kazhanin sopranoja tha se TKOB-ja duhet të drejtohet nga një profesionist i huaj.
“TKOB duhet ndoshta të drejtohet nga një profesionist, i huaj. Edhe mos aludoni këtu se vetëm unë nuk e bëj atë gjë, për arsyen se kam akoma gjëra për të bërë. Nuk e them për veten time. Teatri duhet të mbahet nga profesionistë”-tha Inva Mula.
Nuk pranoi pasi ftesa i ishte dërguar si spektatore
Më tej, ajo pranoi se Ministria e Kulturës i kishte bërë ftesë për të qenë e pranishme në inaugurim por nuk pranoi pasi ftesa i ishte dërguar si spektatore.
“Si spektatore, dhe nga Ministria e Kulturës si spektatore, por nuk e kam pranuar. Nuk mund të jem spektatore. Inva nuk mund të jetë spektatore. Unë mund të isha edhe 99 vjeç, prapë nuk do isha spektatore në një ngjarje të tillë. Se nuk ishte vetëm hapja e rinovimit të teatrit, por përkonte me një përvjetor të teatrit.
Ky teatër ka një histori. Ky teatër ka një memorie e cila rëndon mbi supet e shumë artistëve. Po një peshë, një gur i rëndësishëm në këtë memorie është familja Mula aty brenda. Nuk bëhet fjalë për Invën. Bëhet fjalë për Nina dhe Avni Mulën.
Nuk e di, por paskam bërë shumë mirë që s`kam qenë dhe si spektatore, pasi aty nuk është folur për prindërit e mi. Atje nuk ka dalë një imazh i premierës të Invës 22-vjeçare me Traviatën, që kam thyer të gjitha rekordet.
Deri atëherë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Domethënë, në qoftëse historia në Shqipëri do shkruhet nga njerëz të cilët ose nuk e njohin, ose janë dashakeqës”-tha sopranoja.