Irena Gjoni: Në ditët e kaltra

tregim nga irena gjoni e kaltra

Mëngjesi e gjeti në një gjendje konfuze në të gjithë trupin. Si gjithmonë, gjendjeve të saj të përcaktuara apo të papërcaktuara s’kishte mundur kurrë t’ua gjente shkakun. Edhe konfuzicitetin e shfaqur mëngjesit, e la pa bërë përpjekje për t’i dhënë një shpjegim. Vetëm mendoi: “Konfuz koti”, si të thoshte emrin dhe mbiemrin e dikujt. Në atë gjendje e përshkoi rrugën deri në punë.
Kur hyri në zyrë, u plandos tek karrigia e saj në anë të dritares. I hodhi sytë përtej saj. Gjëja që i bëri përshtypje, ishte qielli me një kaltërsi deri në pafundësinë e të kaltrës së bukur.
“Nëse e kaltra
do të vdesë një ditë,
Atë ditë do vdesë dhe qielli,
Edhe deti me jetë në mes,
Do vdesin sytë e tu,
Dashuria brenda tyre,
Do vdesë gjithë bota,
nëse një ditë e kaltra
do të vdesë.”
Recitoi me mendje vargjet e një mikut të saj. Sytë vazhdonte t’i mbante përtej dritares drejt qiellit. Kishte një pamje të çuditur krijuar prej konturimit të vënies re të një hollësie: Sa herë që i krijoheshin gjendje të ndryshme, (të përcaktuara apo të papërcaktuara), mendja pa vetëdije i shkonte tek ai, “thurësi i së kaltrës në vargje”.
“E kaltra
nuk gjeti asnjë ditë për të vdekur,
Dhe s’vdiq,
Nuk vdiq as qielli, as deti,
Jeta e tyre s’u këput në asnjë
pikë,
Por sytë e mi vdiqën
Vdiq dashuria e palindur
E jetuar mes moslindjes
Duke më dhembur më shumë
Se vdekja e të lindurës së jetuar
E parë me sy
Sytë vdiqën, vdiq dhe dashuria
Por bota rrojti si më parë
E kaltra nuk vdiq,
por vetëm lotoi
Duke marrë një nuancë zibardhë.
“Bota rrojti si më parë”. Ishin atëherë improvizimet e saj kur mbeti vetëm mes lotit e heshtjes. “Askush nuk duhet të plagoset në dashuri. Ne jemi në gjendje të përcaktojmë atë që ndiejmë vetë. Mund të menaxhojmë ose jo, vetëm atë që ndiejmë vetë. Tjetrin nuk e kemi në dorë për t’ia imponuar ndjenjat tona. As për ta bërë të ndiej atë që duam ne të ndiej. Madje nuk mund ta bëjmë fajtor për këtë gjë”. E megjithatë ajo ishte plagosur rëndë, pavarësisht se “bota rrojti si më parë”. “Ditë e prerë për të recituar me vetë improvizime dorëshkrimesh” – mendoi dhe vazhdoi të shihte qiellin.
Më pas, përhumbshëm i hodhi sytë mbi tavolinën e punës. Ngeli pak e befasuar. Një zarf, si një zotëri xhentil, por i ftohtë, qëndronte mbi të. Pas një hezitimi, e mori në duar. Nga njëra anë pa vetëm emrin e saj që e merrte. Nga krahu tjetër ishte i bardhë. Një mijë gjëra i shkuan në mendje. Ndiente frikë ta hapte. I dukej sikur brenda zarfit gjendej një përbindësh në gjumë. Sapo ta hapte, ai do të zgjohej dhe inatçor do t’i hidhej sipër duke e gllabëruar. Pas një dyluftimi me veten, zarfin e grisi. Lehtas – lehtas, futi mollëzat e gishtave brenda. Çuditërisht, prej andej nxorri … nxorri një degëz mimoze të vërtetë. Lulet e saj në trajtë rruzujsh të vegjël të artë, nuk kishin tamam të artën e tyre që e vishnin në pranverë. “Mimozë e paçelur mirë” – mendoi ajo. Degëza dridhej mes gishtave të saj. Nuk kishte ftohtë pse doli nga zarfi. Nuk kishte ftohtë pse gjendej pak padrejtësisht në një stinë tjetër duke tradhëtuar atë të sajën. Dridhej degëza e mimozës, pse dridheshin lehtë gishtat e saj prej kushedi kujt force të ardhur nga honet e shpirtit.
Prej zarfit rrëshkiti një fije letre që kishte udhëtuar së bashku me mimozën:
“Bukuroshe e paemër (ngaqë dua të të ruaj). Megjithëse e madhe, një zemër mund të futet edhe brenda një luleje. Sytë s’duhet të gabojnë duke menduar se është vetëm një imazh. Ndoshta kjo lule vjen tek ty më 14 Shkurt. Egziston një rit në San Valentino. Të dashuruarit urojnë një person të veçantë që e duan shumë. Unë kam ty të tillë që të dua shumë. Gëzuar festën e të dashuruarve! Në u dashurofsh me një të dashuruar, prapë nuk bën mëkat. Është një ëngjëll që të mbron…” – dhe poshtë lexoi emrin e ish – mikut të saj të zemrës. Duke besuar tek telepatia, i lexoi edhe njëherë ato që shkruheshin. Lotët nuk i ndjeu kur iu shfaqën dhe i mbuluan fytyrën.
“Festë të dashuruarish në mes të dimrit – mendoi ajo – 14 Shkurti i sotëm, – dhe kujtoi të kaluarët. – Ndoshta Perënditë, apo njerëzit të kthyer në Perëndi, kishin zgjedhur 14 Shkurtin për festën e të dashuruarve, për të krijuar përshtypjen se një ngrohtësi mundet të mbijetojë mbi akujt e dimrave të tmerrshëm. Të shfaqet papritur aq ngadhnjyese, sa të bëjë që ata akuj të shkrijnë. Megjithatë dashuria ime nuk është tamam si ajo ngrohtësia. Ajo vetëm egziston brenda meje dhe nuk është në gjendje të bëjë asgjë. Ndërsa unë kënaqem vetëm me egzistencën e saj, që do të thotë se unë ende rroj. Më mjafton ta dua edhe në largësi. Më mjafton ta kem në mendje, duke u dhënë ditëve shijen e kujtimeve përzier me aromën e nostalgjisë” – mendoi ajo. Shikimi iu tret përsëri përtej dritares, lart në qiell. Gjendja e saj e para një ore, ishte zhdukur. Vendin ia kishte zënë një tjetër. “Një dashuri e kujtuar…” – pëshpëriti.
Lart, në kaltërsinë e qiellit, krijuar prej vetes, pa imazhin e atij njeriu që e kishte dashur dikur. Imazhi dhe ai vetë në të, ngelën mes kaltërsisë. Vetëm ajo mundte t’i shihte, privilegj që në të ardhmen do ta kishte vetëm në ditët e kaltra…

*Shkëputur nga libri “GJYSMA DASHURISH”

ObserverKult