Me të njëjtin intensitet, dashuri e pasion sikur në fillimet e saj po e vazhdon rrugëtimin e saj në muzikë, këngëtarja e mirënjohur, Irma Libohova, gjithnjë e preferuar, e kërkuar dhe e adhuruar nga publiku anekënd ku ka shqiptarë.
Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi/ObserverKult
Kur lindi dashuria për muzikën, kur e vërejti apo u vërejt që Irma ka talent për muzikë?
Irma Libohova: Kam filluar të këndoj që fëmijë, që kur kam qenë në moshë fare të vogël, rreth 3-4 vjeç. Ata që spikatën talentin të parët kanë qenë, sigurisht prindërit, pastaj mësueset, edukatoret e kopshtit. Më pas kam vazhduar në të gjitha shkallët e rritjes. Bashkë me rritjen edhe këngët.
Ju kujtohet paraqitja e parë para publikut. Kur ndodhi, me cilën këngë u paraqitët… cilat ishin emocionet?
Irma Libohova: Pjesëmarrja e parë zyrtare e imja ka qenë në kopsht. Zyrtare po e quaj sepse ka qenë një konkurs i kopshteve në rang rrethi që e organizonte Pallati i Pionierëve në Tiranë. Çdo kopsht, përfaqësohej me një program artistik. Ne e kemi pasur grupin tonë, grupin e valleve, këngëtarët, recituesit, pastaj kush dilte ndonjë talent që bënte diçka më shumë sesa ato që kishte programi standard. Kam kënduar një këngë, e mbaj në mend dhe kisha ovacione e thirrje në sallë për faktin se isha shumë e vogël dhe nuk kisha fare komplekse që po këndoja.
Këndova si më erdhi mua, si mund të interpretoj një fëmijë, me gjithë patetizmin e pavetëdijshëm. Pastaj kam shkuar në Pallatin e Pionierëve’ Dhe kam vazhduar më tutje.
Jeni shumë dekada në skenën muzikore. Cili është sekreti i jetëgjatësisë ?
Irma Libohova: Nuk mendoj se ka faktor që e bëjnë një njeri jetëgjatë, një karrierë jetëgjatë. Nuk ka një formulë standarde apo fikse.
Muzika, për ju çka do të thotë?
Irma Libohova: Unë personalisht e kam tejkaluar kuptimin e kësaj pyetje sepse po të më bëhej kjo pyetje dikur, mund të jepja një përgjigje që është kështu, apo ashtu. Ndërsa sot në kohën që jam, është sikur ta pyesnit një njeri: ajri për ju çdo të thotë? Kjo do të ishte përgjigja më e saktë.
Pastaj për më shumë besoj që jo vetëm mua, muzika është ajo që të gëzon, të çmend, të sëmurë, të bën të hidhesh përpjetë, muzika të ndërron gjendjen, të ndërron shpirtin, të futë në një botë të bukur, të futë në një botë të trishtë. Muzika është një indikator shumë i madh i shpirtit. Të paktën për një moment të caktuar kur ti dëshiron të dëgjosh muzikë. Pastaj muzika është eduaktive, përmes muzikës shpreh emocione. Shpesh kur duam të ‘ulërasim’ këndojmë fort, shprehim atë çfarë shpirti ka brenda. Dhe muzika është forma shumë e bukur dhe e dashur për ta shprehur. Kështu është për mua.
Keni nisur karrierën në kohën e komunizmit, që jo pak këngëtarë kanë pasur barriera. A patët probleme në atë kohë?
Irma Libohova Është një gjë që ka kaluar. Kam jetuar rininë time. Është një gjë që ka kaluar dhe le të mbetet aty. Sistemi sot është një tjetër gjë. Unë ja ku jam. Nuk është se kam pasur pasoja. Nuk dua të flas gjer e gjatë për atë kohë. Të flasim më mirë për gjërat e bukura.
Duke marrë parasysh gjendjen e vështirë ekonomike shumë artistë të njohur e të pëlqyer nga publiku kanë emigruar jashtë vendit. A mendoni se kanë bërë zgjedhjen e duhur, apo e quani mëkat sepse vendi po humb artistë me vlera dhe atje detyrohen të punojnë në profesione tjera. Po ashtu edhe ju para një kohe keni emigruar në Amerikë, por pastaj jeni kthyer.
Irma Libohova: Unë nuk kam emigruar, kam qenë me kontratë pune të rregulltë. Jam larguar për një kohë të gjatë sepse kontratat kanë qenë të gjata. Nga Amerika kam kaluar në Zvicër. Për këtë arsye është dukur sikur jam larguar, por jo. Nuk jam larguar, prapë jam kthyer në Shqipëri, kam prodhuar, nuk e kam dashur statusin e emigrantit. Nuk kam nevojë të kërkoj një terren tjetër kur kemi vendin tonë. As nuk kam ikur, as nuk mendoj të iki dhe s’do të iki kurrë. Në këtë vend do të vdes.
Për emigrimin e shumë artistëve, unë besoj se është zgjedhje personale, nuk më duket etike të flas pse ka shkuar, apo pse po e bën. Nuk jam unë përgjegjëse të flas për jetën e tjerëve. Njeriu ka një hall që shkon jashtë vendit, nuk shkon për qejf.
Arti bëhet te burimi, atje ku ke lindur, merr frymë me ata, pinë kafe me ata. Kështu mendoj unë. Ky është përceptimi im. Çështja e të bërit art për shkaqe të emigrimit është zgjedhje personale.
Jeni këngëtare dhe autore këngësh shumë e njohur. Ndërsa muzika ku identifikoheni më shumë është ajo pop, popullore moderne dhe e lehtë. Ku ju flen shpirti më shumë, ndërsa cilin zhanër e pëlqen, apo e kërkon publiku?
Irma Libohova: Mua më fle shpirti në një muzikë të bukur, çfarëdo qoftë ajo, rock, pop, baladë, apo popullore… Kjo s’ka asnjë rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi që kënga të jetë e bukur. Melodia të jetë e riprodhueshme nga veshi i atyre për të cilët ne këndojmë. Rëndësi ka që kënga të prekë një temë që shkon drejtpërdrejt në zemrat e njerëzve.
Një këngë të jetojë gjatë, që njerëzit t’i kthehen herë pas here asaj ashtu siç ndodhë me shumë këngë të repertorit tim por edhe të këngëtarëve të tjerë. Ky është koncepti im për atë çfarë do doja unë të këndoja.
Lidhur me krijimtarinë time kam shumë këngë por si kam kushtuar shumë rëndësi me thënë të drejtën. I kam bërë dhe aty janë. Në ditët që po jetojmë t’i regjistrojmë, të mbeten aty si pasuri, si krijimtari, pjesë e kurrikulës apo e biografisë sime. Nuk pretendoj se jam tekstshkruese dhe as kompozitore, bëj ndonjë gjë kur ma thotë shpirti. Eci e pëlqejnë njerëzit, faleminderit.
Por jo çdo këngë që shkruhet në këtë dynja duhet me patjetër të dalë mbi ujë dhe të këndohet çdo ditë. Nuk është e thënë kjo. Kemi këngë mjaft të bukura unë dhe kolegët e mi.
Njerëzit janë selektiv. Dëgjojnë atë çfarë ju pëlqen veshi. Nëse misioni i artistit ka një kuptim, është pikërisht ky. Të shkoj te veshi i njerëzve me nivel dhe kulturë.
Tregu muzikorë sot, si ju duket. A ka shpresë se muzika e bukur, e mirëfilltë do të mbijetoj nga këto rryma, e zhanresh të ditëve të sotme?
Irma Libohova: Pyetja më e vështirë që mund t’i bëhet artistit është pikërisht kjo. Pyetje një milionë dollarëshe. Shumë e vështirë në këtë prurje pa kontrollë, në kuptimin që janë gjitha rrjetet sociale, mediat, platformat digjitale që e kanë bërë muzikën të aceptueshme nga çdokush. Gjithkush zgjedh çfarë të dojë, sot mund të bëjë gjithçka, gjithkush.
Një krijimtari e bukur është e bukur. Edhe pse mund të mos dalë për momentin është koha ajo e cila e nxjerr në pah. Njerëzit zhbirilojnë në të gjitha platformat dhe gjejnë atë çfarë duan ata. Ka artistë që krijojnë me nivel, por ka artistë që i shkojnë mbrapa një trendi, që vetëm trend nuk mund ta quajmë, nuk e di çfarë emri ti vë…
Muzika e mirë është e mirë. Sot në këtë treg të hapur do të mbijetojë ajo muzikë që është e bukur, ajo që thotë diçka, që përcjell diçka. E vështirë të japim një përgjigje relative për këtë.
Ka ndonjë këngë e lansuar më herët, të cilën publiku e këndon njëzëri sot me ju kudo kur ju gjendeni para tyre?
Irma Libohova: Mendoj çdo artist në objektivat e veta mendon se kënga të jetojë gjatë dhe të jetë gjithpërfshirëse. E mendoj se kam këngë që publiku e dinë tekstin fjalë për fjalë. E nëse unë harroj ata ma kujtojnë. ‘Kënga për vajzat’, pastaj ‘Kënga e mësuesit’… ’Jam ende e vogël’…(nisë e këndon), ka shumë vite që e kam kënduar, por që besoj se do të jetojë, dëgjohet gjatë. Pastaj kënga ‘Martesa jonë’, e kam kënduar në një kompeticion ndërsa vazhdon të këndohet e dëgjohet. Besoj që është një këngë që do të mbahet në mend gjatë. Është bukur kur këngëtarit, artistit i mbetet kënga, ia këndojnë publiku. Jo vetëm këngëtarit, por edhe tekstshkruesve, pra të gjithë komponentëve të këngës.
Përveç këngës, energjisë në skenë, jeni njohur gjithmonë edhe për shijen e veçantë në veshje. Sa ka qenë e vështirë më herët se ndoshta sot është më kollaj, apo jo, që në çdo paraqitje ju të dukeni bukur dhe me stil?
Irma Libohova: Të paraqitesh bukur është krejt ndjesi personale. Stili është personalitet, është përfaqësues i personit që e ka këtë stil, nuk është se jam unë që e vlerësoj këtë stil. Janë njerëzit që e vlerësojnë këtë stil. Në qoftë se stili, modeli im i pëlqen dikujt, kam kënaqësinë ta shpërndaj (qesh).
Ajo që bëj kujdes me këtë stilin tim, është sensi i masës. Më besoni një fije e hollë e ndan budallallëkun nga ajo që është e duhura, serioze. Bëj kujdes shumë për këtë ekulibër. Në koncerte, kompetecione pa mendimin e stilistit nuk do të kisha preferuar kurrë të dalë. Nuk jam e fushës, nuk jam kompetente për të veshur Irmën unë në një kompeticion, apo skenë. Pra, aty fjala e stilistit është përfundimtare. Nuk bëj me kokën time ç’t’më dojë qejfi. Në jetën time të përditshme eksploroj. Gjithë kërkojmë të dukemi bukur, por duhet të jemi të kujdesshëm. ‘Të kujdesshëm’ e kam fjalën më të dashur. Që të mos bëjmë gabime. Të dukurit bukur, të paraqitesh bukur është krejt personale. Nëse dikujt i pëlqen modeli im, mund të shikojë në rrjetet sociale, të më pyesë dhe jap info për çdo veshje time. Po të them përsëri e kam kënaqësi.
Ishit pjesëmarrëse e pothuajse të gjitha edicioneve të Festivalit të RTSH-së, më herët, po ashtu edhe e festivaleve tjera. Si ka qenë eksperienca, raporti juaj me to. Si i shihni sot festivalet, a mendoni se e kanë ‘peshën’ e njëjtë?
Irma Libohova: Festivalet i kam parë si një vend ku unë jam rritur profesionalisht. Kam qenë shumë e re veç 18 vjeçe ku kam kënduar në skenën e festivaleve, ku jam përballur me emra shumë të njohur si Vaçe Zela e të tjerë. Ka qenë shumë e rëndësishme për mua. Ajo egoja për të qenë në maje dhe në krye të klasifikimit tek unë ka qenë shumë e fortë. Kompozitorët që më zgjedhnin mua sigurisht që shihnin diçka. Unë kam dashur të jem në krye, kam pasur pikësynim e kur kam pasur këtë kam dashur këngë të bukura. Kam pasur fat, kam marrë çmime të dyta, të treta. Këngë që kanë kaluar kufijtë, këngë që janë dëgjuar rreth e përqark. Kam dëgjuar që edhe Kosova do të bëj festivalin e vet. Më ka pëlqyer kjo, duhet të ketë. Gjithë kapitalin artistik që e ka Kosova, pse mos të ketë Festival. Jam kurioze se si do të jetë. Do ta ndjek me ëndje kur të nisë.
Keni menduar kohën kur do të thoni ‘Mjaft me muzikë’ do ta shijoj kohën, jetën, apo se keni menduar fare këtë pjesë?
Irma Libohova: Shumë shpesh bëj autoironi me veten. Në këtë autoironi ka edhe diçka të vërtetë. E kam një përgjigje klishe, përderisa ta kem videon dhe audion janë dy kritere të rëndësishme, nuk gjej arsye të ndalem. Por arsyeja kryesore që do të më bënte të ndalesha do të ishte truri. Derisa truri të jetë funksional, aktiv, nuk kam pse të ndaloj.
Ju këndoni shumë shpesh edhe në Kosovë, tash së fundmi keni kënduar në Gjakovë…, si është publiku këtu kur këndoni ju. A dallon publiku i Kosovës dhe Shqipërisë, sipas jush?
Irma Libohova: Kam ardhur shumë herët të këndoja në Kosovë kur asnjë shqiptar nga Shqipëria, sikurse as i Kosovës që e kanë pasur ëndërr Shqipërinë, nuk kanë arritur të vinë. E pata fatin ta vizitoja Kosovën që në vitet e ’90-ta. Kur kujtoj atë ndjesi time, them a jam në një realitet apo ëndërr. Të përjetosh një ëndërr, me këngë e valle, por fakti që unë isha në atë vend, dukej një çudi si erdha unë. Pra, emocionet e forta të publikut të Kosovës i kam prekur që në vitet e ’90-ta. Këndonin në një restaurant ‘Breta’, nga ata që kanë ndjekur muzikën, dhe mbrëmjet që kemi bërë aty, sot hotel Victory. Mbrëmjet aty si harroj kurrë. Kam vazhduar më pas, kam qenë pjesë e gëzimeve familjare.
Ka diçka në këtë pyetje. Nuk mund të ndaj publikun e Kosovës dhe Shqipërisë. Janë njësoj, nuk mundem, nuk egziston ndasi. Për mua janë njësoj. Më kanë dhënë emocione të forta, i falenderoj pa fund. Nuk jam vetëm unë që kam dhënë emocione por edhe kam marrë emocione nga ata.
Kam një këndvështrim shumë atdhetar, po kështu jam unë dhe kështu dua ta shohë gjithmonë publikun e Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjithmonë jam e ‘updatuar’ me Kosovën, për çdo ngjarje. Nuk do të doja ta mendoja si mund të jenë të ndarë. Ju dua, shqiptarë kudo ku jetoni!
Si është marrëdhënia juaj me rrjetet sociale?
Irma Libohova: Janë bërë të frikshme në fakt rrjetet sociale. Thjesht të rrisim kujdesin në shkallën sipërore të sjelljes tënde me to. Përgjithësisht në rrjetet sociale shfaqem unë kjo që jam.
Sjelljen e bëj të mirë sepse kështu jam e edukuar, i përgjigjem njerëzve mirë, kur e shoh të arsyeshme nuk përgjigjem. Intervistat për mua kanë filluar të jenë më të pakta, kjo sepse po të hyni në profilin tim mund t’i shihni të gjitha gjërat, risitë për punën time. Nuk shitem dikush tjetër kur nuk jam, nuk bëj një surrat që se kam.
Marrëdhënia me rrjetet sociale… gjithmonë e kam veç një fjalë… në ekuilibër.
Cilën tematikë e përzgjedhni më me dëshirë për ta kënduar dhe pse?
Irma Libohova: Në lidhje me tematikat që kam kënduar ose preferoj, besoj që artisti nuk duhet të jetë selektiv. Duhet të rroki të gjitha tematikat e të gjitha ngjyrave që ka jeta. Artisti orienton problematika. Atë që bën një këngë nuk e bën politika me vite. Artisti në gjithë karrierën duhet të përfshijë gjithë temat shoqërore, dashurinë, jetën, për kafshët…Bota është e madhe dhe ka problematika të shumta dhe mund t’i këndosh..
Unë kam kënduar një këngë për taket apo shtikllat…por edhe problematika, siç është divorci…Pra për divorcin dhe pasojat që i bartin fëmijët e pafajshëm..
Pastaj një tjetër që është lansuar jo shumë vonë, kënga ‘Mam’ bashkëpunim me reperin nga Gjakova, Ylldrit Jakupaj. Kemi pasur të dy një qasje shumë të fortë me këto fjalë. Unë si mam, pra që jam nënë dhe ai si djalë i ri që e ka ngritur nënën, institucionin më të fuqishëm në këtë botë që na edukon…duke parë gjithë budallallëqet në televizion e media, të prindërve dhe anasjelltas. Na ka ardhur si shtysë për ta bërë këtë këngë.
Diçka të re, ndonjë projekt të ri a presim nga ju. Nëse po, a mund të na shpalosni detajet?
Irma Libohova: Projekti më i ri që kam në duar është kënga që ma ka bërë Ilir Berani. Ilirin e dua shumë, ka hite, këngë të bukura, janë një çift simpatik me Gilin.
Kënga quhet ‘Lapidari i dashurisë’, një këngë që të bën të qash ( gjithmonë qeshim, gëzohemi, s’ka asgjë të keqe të qajmë ndonjëherë, qesh.) Këngë shumë e bukur, baladë. Titulli është metaforë për një dashuri që ka mbaruar. Kënga ka mbaruar vetëm pret ‘dritën e gjelbër’ për videoklip.
Kam edhe dy këngë tjera, ‘Pianecja jote’ dhe një tjetër që presin punë për më tutje, pra ende janë në proces. Për këtë të fundit nuk kemi ardhur ende të titulli. Besoj këngët që po vijnë janë shumë të bukura. /ObserverKult
Lexo edhe:
ARTISTËT NGA 7 SHTETE KËNDOJNË BASHKË “BELLA CIAO”, IRMA LIBOHOVA MES TYRE (VIDEO)
Ishte koha kur Covidi pushtoi botën dhe të gjithë ishim në karantinë. “Bella Ciao” u dëgjua sërish.
Shtatë artistë nga e gjithë bota, secili në karantinë në shtëpinë e tij, nën drejtimin e kantautorit napoletan Tommaso Primo, kishin vendosur të risjellin këngën e famshme popullore. E gjitha në produksionin e Giuseppe Spinelli , i cili ka dhënë dhe kontributin artistik bashkë me Antonio Esposito dhe Stella Manfredi.
Një version i fuqishëm dhe pasionant si thirrje për ndërgjegjësim.
Ishte një ftesë plot shpresë që shumë shpejt do të këndojmë të gjithë së bashku.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult