Irma Libohova: Te ballkoni i shkollës “Jeronim De Rada” u bëra VIP, këndova këngën e nënës

bella ciao irma libohva

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Irma Libohova, e ka kënduar këngën e saj të parë duke marrë dhe duartrokitjet e para nga ballkoni i shkollës nëntëvjeçare të kryeqytetit, “Jeronim de Rada”.

E pranishme në ceremoninë e përurimit të shkollës, tashmë me mjedise moderne,  Irma Libohova, një nga zërat më të mrekullueshëm të muzikës shqiptare, ish-nxënëse në këtë shkollë, përcolli emocione dhe inkurajoi të rinjtë për këtë investim, që krijon më shumë mundësi për ta t’i përkushtohen mësimit.

Duke marrë fjalën e emocionuar, Libohova tha se, “unë jam mësuar që nëpërmjet zërit t’i shpreh emocionet e mia dhe e kam të vështirë të flas, por do flas me shumë dëshirë, pasi mësuesi është një mit i pathyeshëm për mua”.

Ajo përmendi shkurtimisht disa emra të cilët janë themeli i formimit të saj.

“Me shumë dashuri dua të kujtoj mësueset e gjuhës, Lajlën, Filloretën, mësuese Athinanë, me shumë dashuri përmend mësuesit e muzikës, mësues Shaban Marën, Leonorën, mësuesen e kimisë dhe të fizikës, Verën, profesorët e punës me dru të punës me metal, Abdurramanin dhe profesor Selimin, të fiskulturës Isufin, mësuesen kujdestare Ana Treskën të frengjiishtes Shpresa, Lina dhe për të gjithë këta një puthje të madhe dhe përqafime”- tha Libohova duke dëshmuar se nuk ka harruar asnjë prej mësuesve të parë.

Ajo tregoi se nga ballkoni i kësaj shkolle mori emrin VIP.

“Këtu kam kënduar për herë të parë këngën e nënës dhe për ne mësuesi ka qenë edhe nënë. Kënga që kam kënduar këtu dhe kam marrë duartrokitjet e para, është emocion i paharruar për mua”- tha Libohova, duke improvizuar fragmente nga kënga./ATSH

https://www.facebook.com/watch/?ref=external&v=351381656238775