Ish-burgu i Prishtinës së shpejti shndërrohet në muze

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pritur në takim konstituiv anëtarët e grupit punues për shndërrim në muze të ish-burgut të Prishtinës.

Në takim ministrja Vlora Dumoshi u shpreh e lumtur që në mandatin e saj si ministre ish-burgu i Prishtinës filloi procedurat e shndërrimit në muze.

“Burgu i Prishtinës ishte vendi ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht, prandaj shndërrimi i tij në muze është i domosdoshëm për kujtesën tonë kolektive dhe për njohjen e kontributit të shumë njerëzve në Kosovë”, ka thënë Dumoshi.

Ajo ka theksuar se trashëgimia kulturore e shpirtërore dhe ruajtja e kujtesës kolektive janë prioritet kyç i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndërtesa në të ardhmen do të menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.

Gjatë takimit anëtarët e grupit punues thanë se do të angazhohen maksimalisht gjithmonë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, si dhe aspektin shoqëror dhe historik të saj.

Grupi punues me vendim të ministres ka këtë përbërje:

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses;
Ndërkaq në rolin e anëtarëve:
Profesor Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë;
Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së;
Xhavit Loshaj, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë;
Hydajet Hyseni, Kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politik të Kosovës;
Meriman Braha, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës;
Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe
Dr. Hagji Ademi, Instituti i Historisë dhe
Ajshe Kamberi, MPB.