Ish-drejtori i RTSH-së: Si e transmetova rrëzimin e shtatores së Enverit edhe përkundër urdhrit të Ramiz Alisë

Urdhëri i Ramiz Alisë
Enver Hoxha


Urdhri i Ramiz Alisë: Të mos transmetohet kronika! Ne do ta vendosim prapë monumentin e Enverit në shesh.


Ky kishte qenë urdhri i Ramiz Alisë ditën e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, në qendër të Tiranës. Ish-drejtori i Televizionit Shqiptar në atë kohë, Virgjil Kule, kohë më parë në “Forumet” e Universitetit Europian të Tiranës, nën moderimin e pedagoges dhe shefes së Departamentit të Komunikimit, prof.as.dr. Belina Budinit, ka rrëfyer disa “sekrete” nga ajo ditë.

Virgjil Kule ka rrëfyer për fillimet e tij në gazetari si u bë drejtor i RTSH-së, si u transmetua varrimi i Enver Hoxhës dhe rrëzimi i monumentit të tij…

Kule nuk kishte rrëfyer më parë se çfarë ndodhi atë ditë, si u siguruan pamjet e rrëzimit të shtatores. Si u realizua kronika, deri në shfaqjen e saj, pavarësisht kërcënimeve të Ramiz Alisë.

Në takim, Virgjil Kule ka rrëfyer për fillimet e tij në gazetari si u bë drejtor i RTSH-së, si u transmetua varrimi i Enver Hoxhës dhe rrëzimi i monumentit të tij, transmeton “na ishte dikur”.

SI HYRI NË GAZETARI

“Kam qenë nxënës nga ata që merrnin 10-ta në të gjitha lëndët dhe një ditë të bukur dikush më thotë hajde bëj një provë në televizionin eksperimental, se ke zë të mirë. Shkova, bëra një provë dhe mbeta aty.

Fillova si spiker kur isha 17 vjeç. Kisha vështirësitë e para, por edhe spektatori ishte i pakët. Ishin a nuk ishin 20-30 televizorë në Tiranë, transmetohej 3 herë në javë. Jepeshin 2 herë lajme, ndonjë film, ndonjë koncert.

Ishte një kohë e mirë, kur bëhej stërvitje heshtazi, jo në sy të publikut. Mbarova gjimnazin dhe shkova në fakultet. Të gjithë thoshin që ky duhet të shkojë për mjekë- si, inxhinieri, por papritur unë them që do të shkoj në gazetari.

Gazetaria nuk ishte ndonjë degë shumë e preferuar asokohe. Ishte 3 vjet dhe ideja ishte që aty shkojnë ata që nuk ia dalin dot shkollës. Vazhdova 3 vjet shkollë, ndërsa vazhdoja si spiker në televizion dhe caktohem redaktor për problemet ndërkombëtare.

Vazhdoja ndërkohë edhe si spiker, për një kohë të gjatë. Diku u bëra shef redaksie dhe kjo më dha mundësi që të shëtisja në botë, pasi siguronim filmat, dokumentarët, me ato sikletet tona”.


RRËZIMI I MONUMENTIT TË ENVERIT, FLET VIRGJIL KULE

Dita e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës ka qenë pa dyshim një nga momentet më të vështira për të. Edhe pse ishin 6 grupe xhirimi në terren, askush nuk kishte marrë pamjen e rrëzimit. Ja si e rrëfen atë moment Virgjil Kule:

“Kur u mor vesh që diçka po ndodhte në shesh, nisa 6 grupe xhirimi që të kishim materiale. Kur ndodhi, e morëm vesh me radio, pasi kishim aty njerëz të Policisë dhe të Sigurimit. Po prisnim të vinin materialet dhe të vendosnim se ç’do bënim.

Meqë s’po dukej njeri, s’mu durua dhe dola në korridor. Duke bërë muhabet, vjen grupi i parë dhe më thotë: Nuk e morëm dot, ishte rrëmujë e madhe. Erdhi grupi i dytë dhe tha: kemi zvarritjet.., rënien s’e morëm dot. Erdhi i treti, i katërti, i pesti, i gjashti, asnjë nuk e kishte marrë dot. Kishin marrë pasngjarjet, por jo ngjarjen. Shumë gjëra më shkonin në mendje në atë moment.

Aty isha unë, duhet të bëja diçka, duhet ta transmetonim, aq më tepër që në atë kohë flitej për transparencë, depolitizim, objektivitet…

Isha shumë në merak, sepse unë mendova që ka marrë fund, që do të ndërrohej sistemi dhe sa herë që të ishte përvjetori i kësaj ngjarjeje do të kujtohesha unë. Ky mendim mu bë si obsesion. U thashë të përgatisnin ç’të mundnin me ato që kishim.

Kur vjen një operator, Fatmir Çepaj, ai s’ishte nisur për atje, por për një ekspozitë të arteve figurative, që do të hapej në Pallatin e Kulturës. Meqë ekspozita nuk ishte hapur, ai shkoi te kafja lart dhe duke ndenjur atje, nxori një aparat me film dhe me dorë të dridhur e ka marrë atë.

Pamjet nuk janë shumë të pastra, por për mua ajo ishte një xhevahir. Kur ia pashë në dorë, që e kishte mbështjellë me letër të zezë që të mos ekspozohej filmi, e çuam në laborator, u la, e çuam në telekinema, e bashkuam me pjesën tjetër dhe doli kronika.

U qetësova disi. Isha me grupin e djemve dhe vajzave që u morën me këtë punë, po pinim një cigare, kur bie telefoni dhe më thonë që më kërkonte shoku Ramiz.

Më tha: -Na e hodhën Enverin. -Po, i thashë, ç’të bësh… -Po ju, keni bërë kronikë… -Po e kemi bërë, shyqyr që i gjetëm pamjet… -Si shyqyr, ne do ta vëmë prapë, kështu që nuk do ta transmetosh. -Po si bëhet kjo punë, tashmë ajo ndodhi, ka marrë fund, e ka marrë vesh gjithë dynjaja. -Po ne do ta vëmë prapë . -Kur të vihet do të bëjmë një kronikë tjetër, të mrekullueshme.

Toni i zërit filloi të ngrihej avash-avash, deri te “sabotator”, “tradhtar” etj… Ai fliste dhe mua më kujtohej ajo që sa herë të vinte përvjetori, do kujtohesha unë si budalla.

Me kërcënime u mbyll telefoni, por kronika u dha në orën 18:00. Ajo punë mbaroi, ne bëmë detyrën. Televizioni Shqiptar bëri detyrën e vet, për aq sa i takonte asaj periudhe.

Më pas dhashë dorëheqjen, pasi pata kërcënime nga të gjitha palët. Kërcënime, që shkuan deri në banalitete. Fillova në një sektor reklamash. Më pas në RTSH erdhën ca njerëz që ia vunë syrin atij sektori, pasi kishte para dhe të parin që hoqën isha unë”, tha Virgjil Kule.

ObserverKult

Lexo edhe:

RAMIZ ALIA I SHKRUANTE MEHMET SHEHUT: NUK FILLOHET PAS MOSHËS 50-VJEÇARE…