Ish-kryehetuesi: Mehmet Shehun e vrau me dorën e vet Kadri Hazbiu/ Në dhomën e ekzekutimit ishin 5 persona

qemal lame

Qemal Lame, ish-kryehetues i Shqipërisë që nga viti 1982, ka dhënë së fundmi një intervistë në News 24, gjatë së cilës ai ngre pretendimin se Mehmet Shehu është vrarë. Pra, ish-kryeministri i Shqipërisë u likuidua fizikisht në natën e 17 dhjetorit të vitit 1981, për të vijuar më pas me procesin politik që iu ngrit duke e shpallur të vetëvrarë në kushte të krizës nervore.

Arsyeja pas kësaj “tabloje sinoptike” do të ishte përfshirja dhe implikimi i thellë i Shehut në detyra agjenturore me synim rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Vrasje apo vetëvrasje?

Pyetja nuk ka marrë ende përgjigje pavarësisht sesa ekspertë kanë folur dhe sesa emisione janë realizuar. Në një dëshmi të vetën, apo më mirë analizë logjike, ish-mjeku Isuf Kalo ka deklaruar se Shehu vrau veten dhe kjo mbështetet nga karakteri i tij por edhe logjika se me vetëdaljen nga skena ai negocoi me Enver Hoxhën dhe familjen e vet.

Mirëpo vetëvrasja në kodin e PPSh-së do të thoshte largim nga përgjegjësia dhe përgënjeshtrim i besimit te partia, duke e zbuluar marrëdhënien brenda saj si një lojë pushteti me ligje xhungle. Këtë Shehu duhet ta dinte mirë ndaj cila ka qenë llogaria e tij? Vetë ky mister dhe këmbëngulja për të zbardhur këtë episod dëshmon sesa pak e njohim ne mekanizmin e regjimit të shkuar, mënyrën e të menduarit të lidershipit të tij dhe për pasojë pak kuptojmë edhe nga zhvillimet e tanishme.

“E reja” e Lames është se akuza për vrasje ka një dozë të madhe guximi: sipas tij nuk është bërë ekspertimi i personit, as i gjakut që është gjetur, nuk është hetuar mekanizmi dhe dinamika e ngjarjes, u nis procesi për komplot pa procedim penal për këtë akuzë, nuk është bërë ekspertimi kaligrafik i shkrimit në letër ndërkohë që personat e parë që kanë qenë në vendngjarje, përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, kanë dekalruar fillimisht se bëhet fjalë për vrasje. Lame pretendon se ekipi i ekzekutimit ka qenë Enver Hoxha urdhërues, Ramiz Alia dhe Hekuran Isai ekzekutues dhe planit dhe administrues të procedurës ndërkohë që më befasuesja: Kadri Hazbiu, ministër i Brendshëm për një kohë të gjatë, ka kryer qitjen.

Në intervistën e dhënë Lame thotë se i vetmi ekspert që vazhdon të mbështesë variantin e vetëvrasjes është ai kriminalistik, dhe ky është Estref Myftari, ndërkohë që sipas tij, nga analiza e të gjitha të dhënave bëhet fjalë se në dhomën e ekzekutimit kanë qenë pesë persona.

Dy oficerë që kanë ushtruar dhunë ndaj Shehut, të cilin e kanë mbajtur në këmbë, një zyrtar shumë i lartë i Ministrisë së Brendshme që nuk arriti dot të kryente qitjen nga frika, Kadri Hazbiu që kreu ekzekutimin dhe një mjek që ka bërë shtrirjen e kadavrës në krevat. Ky mjek sipas Lames ka marrë më pas dhe pas ndryshimit të regjimit detyra shumë të larta. Ngjan në një skenë filmi.

Tema elaborohet në një libër të Lames që titullohet në mënyrë kuptimplotë “Përjetësimi i pushtetit”, që mesa duket sugjeron se lufta e klaneve brenda PPSh-së përcaktoi rrjedhën e pushtetit në Shqipëri pas ndryshimeve të pritshme politike që do të vinin.

Kjo është një tezë që gjen mirë vend në shpjegimet sempliste të atyre ngjarjeve që do të ndodhnin, por që në të vërtetë nuk i qëndron një analize historike serioze. Sepse është shumë e vështirë të ndërtosh një akuzë të këtij niveli pa patur prova bindëse, por vetëm mbi deduksionet post.

Mbi këtë propozim të Lames ne do të duhet p.sh ta lexojmë dëshminë e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë për lajmin e vetëvrasjes si një njoftim për zbatimin e urdhërit që Alia ka bërë te Hoxha një ditë më pas. Me Kadri Hazbiun që kryen aktin për të blerë jetën e vet, në një shfaqje naiviteti politik të rrallë, ndërkohë që e gjitha kjo luhet vetëm për karrierën e Ramiz Alisë.

Nëse është kështu atëherë burgosjet e Alisë dhe Nexhmije Hoxhës i shpëtojnë këtij parashikimi dhe detyrimeve që rrjedhin nga bashkëpunimi në këtë krim i cili bën përjashtim edhe brenda vetë dialektikës së dikaturës së Hoxhës: ky është i vetmi akt në të cilin shpjegimi me grup armiqësor nuk funksionon. Është e pamundur që të bindësh një shoqëri të tërë se numri dy ka qenë agjent për kaq kohë dhe të të besojë.

Likujdimi i Shehut kumbon dhe kumton një luftë pushteti, ndaj edhe u shpenzua aq energji për ta justifikuar atë edhe me një libër si Titistët.

Dhe që është e tillë këtë mund ta shpjegojë edhe fakti se ende sot ka një fill dallimi mes zyrtarëve apo njerëzve me pozitë të asaj kohe kur vjen puna mes dy figurave: Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Një fill që reflekton tensionin e marrëdhënies së tyre, por edhe përpjekjen për të veçuar kontributet e njërit dhe të tjetrit në suazën e shtetit shqiptar të kohës.

Por edhe vendin që zënë te nacionalizmi intelektual shqiptar. Është kjo një arsye që tema të tilla duhen prekur nga historianë profesionistë dhe me dokumente për të mos mbetur viktimë të spekullimeve apo sugjestionimit që vazhdon të ushtrojë mekanizmi policor i Diktaturës në imagjinatën e shumëkujt. /(Respublica)

ObserverKult


Visar ZHITI

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: DITËLINDJA IME NË QELI

Poezi nga Visar Zhiti:

Është dita e dytë e dimrit
dhe unë kam ditëlindjen.
Jam fare i vetëm, aq më keq i arrestuar.
Tani sa m’u zhdukën fantazma e një tavoline
dhe fantazmat e kitarave
me shishe vere ndër duar.

Kurse urimet
“U bëfsha 100 vjeç”, me një nuse”,
“lumturi” e të tjera
para syve më lëkunden
si një tufë me kordele të zeza.

Mbusha 27 vjeç,
në këtë moshë vdiq dhe Migjeni.
(Poezia është prostituta që më denoncoi
tek policët)
Qelia, si një vagon absurd treni,
rrokulliset,
rrokulliset.

E ja mbeti gjallë, por ç’fat është për mua
kur dhe krahët paqësorë të zogjve
do më duken si teh thike.
Më kapën se paskam patur mendime të ndaluara,
se paskam shkruar gjëra hermetike.

Por më hermetikisht më mbyllën këta
që na qënkërkan për mendimin e lirë, patjetër.
Koka poshtë më ra
si një abazhur i lodhur
me llampën të djegur.
Ç’të bëj? I lutem të më shpëtojë vjershës:
Ti qofsh Shën Mëria
e unë qofsha prej teje i bekuar!
Ja, unë pranova të mbush 100 vjeç,
por me kë kam për t’u martuar?
Me Ana Frankun natyrish!
Ajo është e dashuria ime
që do më presë me malli.
Me ato pak rreze që ranë në qeli rastësisht
do thur
kurorën e do t’ia vë mbi ballë.

Ana Franku
mbi gjoksin tim ka për t’u shplodhur
e lumtur do qajë, e brengosur do qeshë.
Po, po, kështu ka për të ndodhur
se jo më kot u bëra
(pas vdekjes) 27 vjeç

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


VISAR ZHITI: VETËM, AS ME VETEN TIME

Më pëlqen të eci në thellësi të natës
vetëm, as me veten time.
Të jem erë, pa erën
që thyen urtësira pemësh
si njerëz prej gjethesh.

Të jem në rrugë, pa rrugën
që e shkelin të tjerët me këmbë.
Të iki larg, po pa largësinë.
Afër jush të jem
dhe pa qenë afër.

ObserverKult