Këngëtari i talentuar shqiptar, Ermal Meta, sot mbush 26 vjeç.
Meta, i cili jeton dhe vepron suksesshëm në Itali, ka treguar rrugëtimin e jetës së tij plot mundim për të arritur deri këtu.
Ermal Meta ka triumfuar edhe në “San Remo”, duke fituar vendin e parë me këngën “Non mi avete fatto niente”, në duet me këngëtarin Fabrizio Moro.
Më poshtë rrëfimi i Ermal Metës.
Sot mbush 26 vjeç. Isha gjallë kur linda, isha 13 vjeç dhe më 16 qershor 1994 humba jetën që kisha për të jetuar, një tjetër. Kalova detin dhe vura këmbët në një tokë të huaj. Itali e quanin, quhet akoma kështu. Nuk dija asgjë, por dalëngadalë fillova ta vështroj e më pas ta shoh. Më pas e lashë të më shihte. Nuk ishte dashuri me shikim të parë, por diçka për t’u ndërtuar me lodhje, durim, betejë e më në fund paqe.
Tani jemi totalisht në simbiozë edhe pse ndonjëherë më bën që ta humbas durimin. Ndodh kur shoh disa që nuk u është dashur të lodhen që të duheshin nga ajo, ta trajtonin sikur të ishte një vend më i bukur ose më i mirë në të cilin të jetosh, kur arroganca quhet forcë, kur harrojmë se nuk do të jemi këtu përgjithmonë, ndërsa ajo po. Do të na shohë duke kaluar dhe duke lënë gjurmë pak a shumë të thella. Ajo nuk zemërohet, buzëqesh, dhe po të shohësh mirë, ndonjëherë, në atë buzëqeshje ka zemërim.
Kur gaboj i them ” hë pra jam i ri, jam vetëm 26 vjeç”, duke shpresuar që t’ia hedh, por ajo e di që kam bërë me hile, ia ka thënë toka ime e origjinës që gjendet përballë. Ajo tokë ishte një nënë shumë e varfër dhe shumë e dëshpëruar për t’u kujdesur për të gjithë bijtë e saj, kështu disa prej tyre i dërgoi tek motra e saj, përballë. Thellë në det duart e tyre janë të kapura si ato të gjigantëve të shtrirë dhe ne njerëz të vegjël besojmë se i përkasim botëve të ndryshme vetëm se nuk e shohim me sytë tanë këtë bashkim. Nuk e vëmë re se flasim të njëjtën gjuhë kur duam, kur gëzojmë, edhe kur nervozohemi, kur qeshim, kur përqafohemi, dhe që flasim gjuhë të ndryshme vetëm kur komunikojmë. Buzëqesh kur mendoj atë ditë, kujtoj se dridhesha pa pushim, sikur të bënte ftohtë. Kisha ndjesinë se po shkoja shumë larg. Nëse do të mund ta takoja atë fëmijë për pak sekonda do t’i thoja: ” ej, mos u shqetëso, vetëm po shkon tek shtëpia e tezes tënde që do të të trajtojë si fëmijën e saj./java