Kur komunizmi shfrytëzonte gjendjen e rëndë psikike të njerëzve: Inxhinieri dënoi veten, dëshmia e kolegut

Foto ilustrim

Nga: Dr. Hazbi M. Shehu

Në fillim të vitit 1974, u dënua inxhinieri-gjeolog, Nuredin Skrapari, nga sektori i Naftës, me 15 vjet burg, me akuzën për agjitacion e propagandë. Nga mbarimi i këtij viti, një grup i përbërë prej inxhinierësh gjeologë, drejtues të Institutit Gjeologjik të Kërkimeve për Naftë e Gaz, etj., u dënuan me akuzat si “sabotatorë dhe armiq”.

Konkretisht ata ishin: Koço Plaku, Milto Gjikopulli, me pushkatim; Beqir Alia (drejtor i Institutit), Protoko Murataj, Th. Nasto, Dhimitër Stefa, Lipe Nashi (drejtor i përgjithshëm), etj., me 23 deri 25 vjet.

Disa muaj më vonë, K. Rama u dënua me 15 vjet burg me të njëjtin motivacion si sabotator dhe armik; sepse nuk ishte dakord me planifikimin e metrazhit të puseve të kërkimit për naftë të miratuar nga udhëheqja e partisë; ndërsa shokët e grupit të tij, u përjashtuan nga instituti dhe i dërguan të punonin si punëtorë të thjeshtë.

Në vitin 1986, nga ana e Sigurimit të Shtetit, u “zbulua” dhe u akuzuan një grup tjetër “sabotatorësh dhe armiqsh”, përsëri në Institutin Gjeologjik. Ky grup përbëhej nga Petraq Xhaxhka (drejtor i Institutit), Enriko Veizi (N/drejtor), ing. gjeolog M. Arapi, ing. Gjeofizik P. Sadushi, etj., dhe u dënuan me 23 deri 25 vjet burg politik

Këtu po paraqes disa nga faktet e jetuara, sepse kam punuar gjithë jetën në këtë Institut; nga themelimi e deri në mbylljen e tij, nga viti 1965 deri në 2005-ën. Këta kolegë, përveç izolimit nga familja, shoqëria dhe puna, i nënshtroheshin dhe torturave trupore dhe mendore në burg.

Me ardhjen e demokracisë, inxhinierët e pafajshëm dolën nga burgu. Tani ata ishin të lirë, por të shkatërruar fizikisht dhe moralisht. Sot shumica e tyre nuk ndodhen në mes nesh.

Në burg ata ndjenin një vuajtje edhe më të tmerrshme se ajo e goditjeve fizike: kujtimi i familjeve, sidomos i fëmijëve të vegjël të lënë në mëshirën e fatit, gërryente dhe e rëndonte shumë ndërgjegjen e brëndshme të tyre.

Askush nuk guxonte t’i ndihmonte këto familje, sepse do të quheshin armiq. Çfarë faj kishin fëmijët e vegjël në lulëzim, të mbeteshin rrugëve, pa ushqim, pa shkollë dhe pa të ardhme?!

Ngacmimi i ndjenjave shpirtërore, si rrjedhojë i vuajtjeve familjare, e kryesisht i fëmijëve mund ta transformojë trurin nga gjendja normale në fazën e çmendurisë.

Frazat e përdorura nga hetuesit “pranoni fajet tuaja, që familjet të mos preken”, ishin shumë më të forta, më therrëse dhe më ngacmuese sesa goditjet me shkop mbi trupin e tyre.

Dashuria e djalit për një vajzë ose “vice-versa” edhe mund të shuhet një dite; ndërsa dashuria e prindërve për fëmijët nuk vdes.

Vetëm kur të pushojë së rrahuri zemra e prindërit, atëhere nuk do të dëgjohen më fjalët e ëmbla për fëmijët. Sikur të besohej tek një jetë pas vdekjes, me siguri ajo dashuri do t’i ringjallte prindërit.

Edhe kur kolegët e mi që ndodheshin në burg, firmosnin fajet e pa kryera; thëniet e hetuesve “tani familjet tuaja jetojnë në kushte normale”, e ngacmonin më shumë trurin e tyre. Kjo vinte sepse ata nuk u besonin fjalëve të hetuesve.

Të gjithë intelektualët, ing. që u burgosën, nuk kaluan në vetvrasje, si gjatë kohës në burg, as kur dolën nga burgu. Kjo tregon për forcën e tyre shpirtërore të lartë dhe optimiste.

Ata luftuan të bashkuar në burg, me shpresën, për të fituar mbi padrejtësitë. Si rrjedhojë fituan të drejtat, për të jetuar të lirë në demokraci.

Kolegu im, ing. Tomi Kristo, megjithëse i lirë në shoqëri, vuante shpirtërisht. Atë e detyroi regjimi diktatorial, që duke shfrytëzuar gjendjen psikike të tij momentale, të firmoste një material të përpunuar nga hetuesia, për të dënuar kolegët.

Kjo ishte në kundërshtim me ndërgjegjen e Tomit. Menjëherë pas këtij veprimi, ai filloi të diskutonte me ndërgjegjen e tij: “Pse e bëra?! A jam unë njeri me të vërtetë”?!

Llogjika në gjëndje normale i thoshte: “Nuk ke qenë në gjendje të mirë mendore; në atë çast nuk ekzistoje si njeri i vërtetë?!” Gradualisht, ndërgjegja e pastër e ndershmërisë, godiste me gjithë fuqinë e saj, trurin e Tomit.

Në kushte kur truri i punonte normalisht, ai vendosi që para se t’i dorëzohej fundit fatal, të kryente detyrat e tij njerëzore. Nisur nga ndërgjegja e lartë dhe e paarritshme, i kërkoi të fejuarës, ta fali, duke i thenë: “E dashur, të dua dhe do të dua përgjithmonë, sepse ti je pastërtia e ndërgjegjes më të lartë. Je bukuria e një jete të vërtetë, të ndershme, të cilën unë nuk e meritoj.

Po të kërkoj të më dënosh si njeri, jo i denjë për ty. Ti je trëndafili më i bukur që unë zgjodha në kopshtin e luleve, por detyrohem ta prish fejesën tonë. Këtë e bëj sepse nuk dua dhe nuk më pëlqen që djalli të bashkëjetojë me një engjëll si ti.

Lamtumirë dhe të uroj fat në jetë!” Ajo duke qarë i thotë: “Tomi çfarë po thua!? Unë vetëm me ty e kam lidhur jetën.” Por Tomi e përqafoi dhe u largua.

Pranverat do të vijnë njëra pas tjetrës dhe lulet do të çelin, por njerëz si Tomi Kristo, për mos thënë nuk ka, rrallë do të vijnë. Goditjet e ndërgjegjes, si rrjedhojë e vuajtjeve shpirtërore shkaktojnë sëmundje të rrezikshme, që nga ndonjëherë të çojnë dhe në vetëvrasje. Rastin e firmosjes nga Tomi të materialit për të dënuar kolegët, unë e shpjegoj me gjendjen jo normale mendore momentale të tij!

Unë i dënoj vetëvrasjet, se ato shprehin dobësi, humbjen e optimizmit për jetën. Jetën ta ka dhenë tjetër kush dhe ti je i detyruar të jetosh; pavarësisht nga vështirësitë. Vetëvrasjen e kolegut dhe mikut tim Tomi Kristo, e konsideroj therrori, sepse shpreh gjendjen shpirtërore dhe ndershmërinë e një njeriu të vërtetë, ideal.

Inxhinierët-gjeologë të Institutit Gjeologjik të Naftës u burgosën si sabotatorë dhe armiq. A qëndrojnë këto akuza?!

Sabotimi në projektimin e puseve për kërkimin dhe zbulimin e vendburimeve të naftës dhe gazit nga kolegët e mi të burgosur, ishte i pamundur sepse:

Në grupin për projektimin e puseve zgjidheshin specialistët më të aftë në profesion dhe me përvojë. Ky grup punonte për një kohë të gjatë në mbledhjen dhe përgatitjen e materialit gjeologo-gjeofizik. Pas një studimi të thellë dhe diskutimi në grupin e punës, nxirreshin konkluzionet për perspektivën e rajonit. Kur rajoni konsiderohej perspektivë; zgjidhej vendi i përshtatshëm për projektimin e pusit dhe thellësia përkatëse. Ky konkluzion i grupit do të diskutohej në kabinetin e projektimit. Nëse kabineti e aprovonte propozimin e grupit të punës; atëhere materiali kalonte për diskutim dhe aprovim në Këshillin Shkencor të Institutit.

Pas aprovimit nga Këshilli Shkencor, materiali dërgohej për diskutim në Këshillin Shkencor të Ministrisë. Kur materiali aprovohej nga Ministria, fillonte shpimi i pusit. Pra, dhe sikur Koço Plaku, Milto Gjikopulli, etj., të projektonin puse me qëllim sabotimi, nuk do ta lejonin specialistët e tjerë të Kabinetit, Këshillit Shkencor të Institutit, dhe të Ministrisë. Pra sabotimi ka qenë i pamundur. Këtë e kuptonte dhe udhëheqja e lartë e Partisë; prandaj ata, në mënyrë që ta besonte populli, dënuan jo vetëm autorët, por dhe drejtuesit e Institutit dhe të Ministrisë, duke i akuzuar si “grup armiqësor”.

Jo vetëm unë, por të gjithë punonjësit e Institutit Gjeologjik e dinë mire, se ata nuk ishin armiq. Lipe Nashi, Beqir Alia, Protoko Murataj, Th. Nasto, etj., ishin komunistë dhe familjet e tyre të lidhura ngushtë me Partinë që në fillim. Nga qëndrimi i tyre në punë dhe shoqëri, dukej qartë vendosmëria në mbrojtje të regjimit komunist.

Ishin njerëz të kulturuar dhe të edukuar.

Ata ishin jo vetëm specialistë të aftë, por dhe të apasionuar pas profesionit të gjeologut dhe gjeofizikut. Si mundet një njeri i dashuruar me profesionin e tij, ta denegrojë, ta poshtërojë zanatin e vetë?!

Unë kam qënë bashkautor me ta në punë, në terren, në përpunimin e materialit dhe në projektimin e puseve. Ata diskutonin me llogjikë të fortë prej specialisti, duke analizuar të gjithë faktorët pozitivë dhe negativë të materialit për projektimin e puseve.

Ata punuan me devotshmëri dhe ndershmëri në detyrën dhe ishin për projektimin e puseve që lidheshin me djersën e popullit.

Ata janë bashkautorë në zbulimet e vendburimeve të naftës dhe gazit që po shfrytëzohen sot.

Të gjithë punonjësit e Institutit Gjeologjik, por dhe ata që kanë punuar në sektorin e naftës, janë të bindur se inxhinierët e burgosur, kanë punuar me pasion dhe ndershmëri dhe nuk kanë sabotuar.

Shënim: Qeveria Shqiptare po vendos shitjen e nëntokës për vendburimet e naftës dhe të gazit. Këta që drejtojnë sot nuk kanë punuar asnjë ditë në sektorin e naftës. Ata duhet të zbatojnë Kushtetutën e Shqipërisë. Zbulimi i vendburimeve të naftës dhe gazit, ka kërkuar djersë dhe gjak nga inxhinierët dhe shkencëtarët e Institutit Gjeologjik. Nëntoka dhe gjithë toka shqiptare i përket vetëm kombit dhe popullit Shqiptar.

Ata që firmosin për të shitur pasurinë e Kombit dhe të popullit Shqiptar, do të përgjigjen para tij një ditë. /Memorie.al

——————

Lexo edhe:

Si u dha lajmi që ndërroi jetë Mehmet Shehu, pse Blloku “ziente” nga brenda…

ObserverKult