U njohën nëpërmjet rrjetit.
Ai ishte belbacak dhe kishte një pamje të tmerrshme prej neandertali: kokë të madhe, ballë të shëmtuar, sy tejet të ndarë, të rrumbullt dhe të kuq, dhëmbë lepuri që të mundonin sytë, një gojë si shpellë e hapur, trup të shtrembër dhe plëndës të dalë.
Nga Diego Munoz Valenzuela
Ajo kishte trupin e një kukulle të shkarraveshur, domethënë, ishte sakate nga qafa deri te këmbët, ama mesazhet në kompjuter i përcillte me një zë të ëmbël e të bukur, të qetë dhe të qartë, që nuk kishte të bënte aspak me atë vetë.
Qe një dashuri me këmbim të parë të mesazheve: flisnin për harmoninë e universit dhe për vuajtjet e tokësorëve, për nevojën e perandorisë së bukurisë dhe për ambiciet e poshtra të shkaktarëve të luftërave, për shpirtmadhësinë e mundimshme të shpirtit human që bie ndesh me shpirtvogëlsinë e pak njerëzve.
Lexonin me mosbesim replikat, ku hasnin një vështrim ekuivalent të botës, jo të njëllojtë, të ngjashëm, por të pasur nga historia dhe perceptimet e ndryshme. Gjatë muajve u shmangën të flisnin për vetveten dhe akoma më pak për mundësinë e një takimi në një vend real dhe jo virtual.
Një ditë, ai i dërgoi foton e digjitalizuar të një bukuroshi. Ajo ia ktheu me postimin e një imazhi të një balerine.
Ai i shkroi vargje të zjarrta dashurie, të cilat ajo i lexoi me kënaqësi të madhe. Ajo i dërgoi këngë me zërin e saj dhe ai, kur i dëgjoi ato melodi të mrekullueshme, tejet i emocionuar, qau.
Ai, me qejf, i tregonte hollësi nga jeta e vet e trazuar shoqërore, duke u tallur, gjithë zgjuarsi, me mediokrit.
Asnjeri nga të dy nuk propozoi kurrë për t’u takuar diku, në këtë botë reale.
Ishte një dashuri e vërtetë, jo virtuale, si gjithë dashuritë që na ndodhin zakonisht në këtë botë, që e quajmë reale.
(Nga spanjishtja në shqip: Bajram Karabolli)
ObserverKult
———
Lexo edhe:
NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR KRIJIMIN E RRJETIT BIBLIOTEKAR TË KOSOVËS