Mund të kesh mbi kokë peshën e një mali të tërë, por publiku pret të argëtohet, sepse para tij nuk duhet të duken as vështirësitë, as hallet e problemet që, në fund të fundit, edhe artistët nuk i kanë më pak se të tjerët.
Por ja që edhe për këta të fundit është e vështirë ta mbajnë gjithmonë veten të fortë për disa rregulla të pashkruara të profesionit të tyre. Është e vështirë, e lodhshme dhe e dhimbshme, derisa ndonjë ditë, edhe ata vendosin ta lënë veten të jenë ‘njerëz prej mishi’.
Një rast të tillë të dhimshëm ka kaluar edhe balerina Isida Mollaymeri, e cila, e ftuar sot në “Pushime on Top”, ndau me publikun disa momente që nuk harrohen lehtë.
Mes të tjerave, Isida tregoi edhe për vuajtjen më të madhe që ka kaluar në skenë.
“Ne edhe në skenë nuk i shfaqim kurrë vuajtjet, i mbajmë gjithmonë pas skene. Në skenë ndoshta nuk është ndonjë vuajtje, sepse gjërat kalojnë. Janë gjëra që ndodhin, ne jemi njerëz të gjallë. Por, për shembull, nëse ndodh ndonjë fatkeqësi, edhe ti je i detyruar të dalësh në skenë.
Mua më ka ndodhur. Ne e kemi si ligj, gjithçka që ndodh, ti duhet të dalësh në shfaqe, sidomos kur nuk ke zëvendësues.
Unë humba një mikeshë, ka qenë ‘Traviata’. Nuk kam pasur zëvendësuese dhe gjatë gjithë kohës kur kërceja, qaja. Publiku është ngritur në këmbë, sepse e kishte marrë vesh. Ka qenë një nga ditët më të vështira të jetës sime”./balkanweb