Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i dha së fundi Ismail Kadaresë, romancierit dhe poetit më të njohur ndërkombëtarisht të Shqipërisë, dekoratën “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
Shkrimtari i shumë kryeveprave priti në shtëpinë e tij agjencinë e lajmeve AFP.
Kadareja, i cili u vu në shënjestër të policisë sekrete, e përshkroi jetën nën regjimin e mëparshëm si “ferr”.
“Ferri i komunizmit, si çdo ferr tjetër, ishte mbytës në kuptimin më të keq të fjalës.”
Por letërsia e transformoi atë në një forcë jete, një forcë që të ndihmonte të mbijetoje, të mbaje kokën lart dhe të fitoje mbi diktaturën”. Kështu tha Kadare për agjencinë franceze të lajmeve AFP në një intervistë.
Për AFP ai tha se letërsia është “dashuria e tij e madhe dhe e vetme”.
“Ajo i ka dhënë kuptim jetës sime, më ka dhënë kurajë për të rezistuar, lumturi dhe shpresë për të kapërcyer gjithçka”, tha ai.
-Çfarë është letërsia për ju, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë që ka jetuar e ka shkruar edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste?
Të shkruaje në diktaturë ka qenë e vështirë, thuajse e pamundur. E pamundur të shkruaje siç dëshiroje të shkruaje. Ja përse unë i jam mirënjohës letërsisë: Letërsia më dha mundësinë të kapërceja të pamundurën.
Ferri komunist, si çdo ferr tjetër është mbytës në kuptimin më të keq të fjalës.
Por, letërsia arrin ta transformojë atë në një forcë jetë, në një forcë mbi të cilën mbështetësh për të mbijetuar, për të mundur me kokën lart çdo gjë.
Unë kam qenë gjithmonë besnik i letërsisë, kam respektuar çdo herë veç urdhërat e saj, kam qenë thellësisht i lidhur me të, ajo ka qenë qëllimi i jetës sime, qëllimi absolut i jetës sime që ka bërë të mundur të kapërcej çdo vështirësi.
Kur arti mbijeton, ky është një triumf, një fitore. Dhe siç thotë Kundera: “Arti nuk triumfon kurrë kokëulur”!
Letërsia më ka dhënë çdo gjë që kam, më ka dhënë kuptimin e jetës, më ka dhënë guximin të luftoj, të kem shpresë, të ndjej gëzim, të kapërcej çdo gjë: Kjo është letërsia!
-A është letërsia dashuria më e madhe e jetës suaj?
Letërsia është dashuria ime më e madhe, e vetmja, më e madhe se çdo gjë. Letërsia është gjithçka për mua, jeta ime, jeta e të tjerëve, jeta e të gjithëve.
Letërsia jeton paralelisht me botën, ecën me të, në krah të saj.
Ajo më ka dhënë gjithçka unë kam sot, ajo ka qenë dhe është kuptimi i jetës, ajo më ka dhënë kurajon për të qëndruar, shpirtin, frymën, lumturinë e shpresën. Gjithçka e bukur për mua është letërsia!
E mbaj me vete kudo, shkruaj gjithë kohën, hedh shënime, shkruaj tregime, kam projekte për të botuar dorëshkrime, por disa prej tyre duhet ti rishoh.
Çdo botim është për mua si një rilindje, kështu ka qenë gjithmonë. Letërsia është e ngjashme me ëndrrat. Letërsia ushqen shpirtin.
-A jeni i trishtuar që nuk e keni marrë ende çmimin Nobel të Letërsisë? Ju edhe këtë vit ishit një nga pak kandidatët e përzgjedhur?
Çmimi Nobel është një nder që bota i bën artit dhe unë jam i nderuar që shumë herë kam qenë i përzgjedhur si kandidat për këtë çmim gjë që sigurisht më prek dhe sigurisht më lumturon.
I vlerësoj shumë librat e mi, i nderoj shumë librat e mi, jo vetëm si autor, por sepse ato i përkasin letërsisë shqipe. Ato janë pasuri, pjesë e të gjithëve.
Një shkrimtar për t’u ndjerë krenar dëshiron veç të kontribuojë në këtë pasuri.
Vepra ime është ajo e popullit tim, është letërsia shqipe dhe ajo nuk më takon mua, ajo i takon shpirtit njerëzor, gjithë njerëzve të këtij vendi.
Shqipëria është një nga vendet më besnike të Europës dhe ashtu do të mbetet përherë dhe Franca është një nder vendet që ka vlerësuar letërsinë time e ky është padyshim një nder për mua.
Ne jemi bij të artit, ne i shërbejmë artit.
E për gjithçka unë kam bërë i jam mirënjohës artit. Forcës krijuese të tij. Ashtu si arti edhe shkrimtari nuk ka kurrë moshë. /AFP/panorama.al
ObserverKult
Lexo edhe:
PSE ISMAIL KADARE E LA PARISIN DHE U KTHYE NË SHQIPËRI? (VIDEO)
Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, ka vendosur ta lërë Parisin, ku ka jetuar dhe punuar për dekada, për t’u vendosur në Shqipëri.
I pyetur nëse i sheh sot shqiptarët më të mirë, shkrimtari përgjigjet: “Disa herë besoj se jemi, disa herë jo. Por koha do ta tregojë”.
Ai ka treguar edhe pse e ka marrë vendimin për t’u rikthyer në atdhe
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
SUETON ZHUGRI: DUKE TË PARË
Poezi nga Sueton Zhugri
Duke të parë në sy,
nganjëherë shoh yje që bien
ndonjëherë çarçaf yjesh ta mbulon shikimin
dhe herë të tjera e gjithë Udha e Qumështit
vertikalisht si në sy macesh
më thith brenda teje.
Këtu unë jam në kënd habije prej bufi.
E vështroj prenë time, ose ndoshta është ajo
që sheh nga preja e saj.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult