Ismail Kadare: Nata e Sfinksit

josif papgjoni - kadare enver hoxha

Të gjithë e dinë se gjithkush dridhet frike prej meje. Po, ndoshta, askujt s’i shkon nëpër mend se si dridhem unë vetë. Ashtu si ata, nga frika.
Kur tisi i parë i muzgut e terratis fushëtirën, nis edhe ankthi im.
Çdo hije kalimtari që duket larg, çdo hije tjetër e shkaktuar prej territ, prej ndriçimit të hënës apo prej ndonjë gjallese, nis e më kall datën.
Dyshimi i mallkuar se mos ajo hije është njeriu që po vjen drejt meje me atë pyetjen fatale, që unë s’do t’i përgjigjem dot, më mpin krejt.
Nuk e mendoja kurrë se tmerri që do t’u shkaktoja njerëzve do të më shpërblehej me të njëjtën monedhë. Veç, mund ta them, pa e tepruar, se tmerri që provoj unë është shumë më i madh e sfilitës, sesa i tyre. Sado e pabesueshme të tingëlloj kjo, për fat të keq, është e vërtetë. Ndërsa llahtara e tyre është e përqendruar mbi qenien time, ankthin tim mund ta shkaktojë cilido prej tyre. Dhe nuk ka gjë më të lebetitshme se ankthi me burim të panjohur, që s’di se nga vjen e prej kujt.
Njerëzit më quajnë “sfinks”. Domethënë, mbytës, asfiksues. Ata besojnë vërtet se, duke mos qenë në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve të mia, mbyten prej meje. Në të vërtetë, unë u bëj pyetje fare të rëndomta, por ata kaq shumë janë të lemerisur qysh më parë nga ato ç’kanë dëgjuar për mua, saqë ngatërrohen me vetveten, u merret fryma, u bie të fikët.
Kuptohet se as vjen puna që edhe ata të më bëjnë pyetje mua, ashtu siç ka qenë parashikuar në marrëveshjen tonë të parë, kur më pranuan si sfinks. Ky ishte në të vërtetë edhe thelbi i marrëveshjes: unë do të kisha të drejtën t’i ndëshkoja ata, në rast se nuk do t’u përgjigjeshin pyetjeve të mia, por, nga ana tjetër, ata gjithashtu do të kishin të drejtën të më pyesnin dhe të më ndëshkonin në rast mospërgjigjeje. Merret me mend se kjo e fundit dalëngadalë u la mënjanë (hakmarrja ime për ata që guxuan të belbëzonin diçka, që mund të ishte ndoshta trajta fillestare e pyetjes së ardhshme, e bëri punën ) dhe kështu mbeti vetëm e drejta ime për të pyetur e për të ndëshkuar.
Po lënia mënjanë s’do të thotë harresë. Unë e di fare mirë se diku, gojë më gojë kalon, ndonëse i zbehtë, kujtimi i marrëveshjes sonë të parë dhe, pavarësisht se gjer më sot askush nuk e ka vënë atë në zbatim, ideja e saj jeton te njerëzit. Dhe, kur jeton ideja, herët ose vonë prit frytet e saj.
Këto të gjitha më shkojnë ndër mend, sidomos kur afron mbrëmja. Sado që përpiqem ta heq mendjen, nuk rri dot pa përfytyruar njeriun e parë që do të kapërcente frikën e vet për të ma bërë i pari pyetjen. Cilado qoftë ajo, unë qysh tani e ndiej se do ta humb aq shumë toruan, saqë s’do të jem në gjendje të përgjigjem. Dhe ky do të jetë fillimi i tatëpjetës.
Rrënimi im ndoshta s’do të vijë përnjëherë, rrufe në të kthjellët, po ky është një ngushëllim i vogël. Rrënimi i ngadalshëm është më i pashpresi. Murmurima do të kalojë gojë më gojë, më keq se një tërmet ajo do të gërryejë themelet e mia. Më vonë, kur kjo histori do të kujtohet nga brezat e ardhshëm njerëzorë, ka mundësi që periudha e gjatë e rrënimit tim të përmblidhet brenda pak çastesh, ashtu siç është e prirur t’i dendësojë shpesh ndodhitë mendja njerëzore. Të them të drejtën, unë do të parapëlqeja rroposjen e beftë, në krahasim me torturën e ngadaltë, shumëvjeçare, po kjo, ashtu si shumë gjëra të tjera, s’varet nga unë.
Hijet e muzgut sa venë dendësohen. Bashkë me të ftohtin e natës ndiej ankthin gjithaq të ftohtë të më kaplojë krejt. Është ankthi që unë e krijova vetë, duke kujtuar se, sa më shumë t’i shtyp njerëzit me të, aq më tepër do të çlirohem prej tij. Po fati deshi që të ndodhte e kundërta.|
 
6 shkurt 1986

Përgatiti: ObserverKult