Shkrimtari i njohur Ismail Kadare u vlerësua me titullin “Kalorës i Madh i Urdhrit të Pleiadës, i Frankofonisë dhe i Dialogut midis Kulturave” nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë.
Ky titull iu dorëzua bashkëshortes së tij, Helena Kadare e cila u shpreh e lumtur për këtë moment kaq të rëndësishëm.
“Zonja dhe zotërinj të frankofonisë, jam shumë e nderuar që ndodhem këtu mes jush. Vij këtu në vend të bashkëshortit tim Ismail Kadare që në këtë moment është i lodhur. Ne të dy së bashku jemi izoluar në breg të detit për shkak të pandemisë dhe kjo gjendje nuk e lejoi të vinte sot këtu”.
“Ai do të ishte shumë i lumtur po të ishte sot këtu në një moment kaq të rëndësishëm. Faleminderit dhe nga ana ime për këtë dekoratë, për këtë nder që i bëni ju Ismail Kadaresë”, tha Helena Kadare.
Asambleja Rajonale e Frankofonisë për Evropën u mblodh sot në sallën e Kuvendit të Shqipërisë ku të pranishëm ishin dhe kryetarja Lindita Nikolla, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj si dhe zv. ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Megi Fino./shqiptarja.com
—————————————————-
LEXO EDHE: ISMAIL KADARE: CA PIKA SHIU…
Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.
Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.
Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq:
“Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç”.
Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.
1976