Ismail Lulani, piktori shqiptar i vlerave origjinale

18 vite nga vdekja e Lulanit, një ndër emrat e rëndësishëm të traditës shqiptare të pikturës.

Një penel që diti të zgjonte në çdo stinë e në çdo trajtesë, kumtimin e epshit të ngjyrave dhe të mëkonte me një muzikalitet dehës poetikën shprehëse të subjektit. Kohështrirja në veprimtarinë krijuese dhe gjeografia e sfidës, dëshmuan tek ai një piketë të rëndësishme të artit vizual shqiptar.

Llojshmëria e punëve dhe trajtesa e veçojnë Ismail Lulanin, duke e pozicionuar në një kreshtë të lartë të asaj që për ne është jo vetëm matshmëria e të epërmes ku ai e çoi shpirtin e tij koloristik dhe skaliti ligjërimin joshës, për edhe detyresë mirënjohjeje për testamentin që la.


Ismail Lulani lindi më 1933 në Tuz, Mal të Zi. Në moshën 9 vjeçare së bashku me familje vendoset në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1967 mbaron Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë monumentale, puna e tij e diplomës “Ded Gjo Luli me trima”, u vlerësua mjaft nga kritika e kohës. Emërohet dhe punon si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vendoset me dëshirën e tij në qytetit e Shkodrës ku punon si profesor në Liceun artistik të këtij qyteti deri sa del si piktor në krijimtari të lirë. Ai ishte një ndër themeluesit e degës së arteve vizive (në shkollën e mesme artistike ‘Prek Jakova’) në qytetin e Shkodrës. Ai ishte anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ismail Lulani është një ndër piktorët më origjinalë e më të fuqishëm në historinë e artit shqiptar, ai ishte një piktor shumë aktiv në krijimtarinë e tij, eksploroi me mjeshtri në të gjitha gjinitë e pikturës, si kompozim, peizash, portret e natyra të qeta. Pikturat e tij shquhen për forcën dhe lojërat magjike të ngjyrës, për vizatimin ekspresiv dhe mjetet shprehëse, transmeton ‘konica.al’.

E gjithë krijimtaria e tij shfaqet nga realja te fantastikja, nga realistja te modernia, nga ajo që jeton në atë që ndjen dhe deri në atë që kujton… Ndaj me të drejtë thuhet: “Në pikturën shqiptare, artisti Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë…” Gjithashtu me të drejtë thuhet: “Ismail Lulani, ishte dhe mbeti ndër emrat e rëndësishëm të traditës e bashkohores shqiptare të pikturës. Një penel që diti të zgjonte në çdo stinë e në çdo trajtesë, kumtimin e epshit të ngjyrave dhe të mëkonte me një muzikalitet dehës poetikën shprehëse të subjektit. Kohështrirja në veprimtarinë krijuese dhe gjeografia e sfidës, dëshmuan tek ai një piketë të rëndësishme të artit vizual shqiptar. Llojshmëria e punëve dhe trajtesa e veçojnë Ismail Lulanin, duke e pozicionuar në një kreshtë të lartë të asaj që për ne është jo vetëm matshmëria e së epërmes ku ai e çoi shpirtin e tij koloristik dhe skaliti ligjërimin joshës, por edhe detyresë mirënjohjeje për testamentin që la.

Për meritat e tij, ai është nderuar me çmime dhe tituj të kalibrit të lartë:

Në vitin 1999, në Bienialen e Romës për Artet Vizive, merr çmimin e dytë dhe medalja e argjendtë, me tablonë “Ikja në Egjipt”.

Në vitin 1979, i jepet titulli “Piktor i Merituar”
Në vitin 1989, i jepet titulli i lartë “Piktor i Popullit”
I është akorduar titulli “Naim Frashëri i klasit të Parë”

Pas vdekjes, në 70-vjetorin e lindjes iu akordua titulli “Krenaria e Shkodrës”, çmim që iu dorëzua bashkëshortes së artistit.

Ai mori pjesë në të gjitha ekspozitat lokale që u zhvilluan në qytetin e Shkodrës, si dhe ato kombëtare që u zhvilluan në Tiranë, rreth 20 punime të tij ndodhen në arkivat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe shumë të tjera, pronë e galerive e muzeumeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Lulani, ka ekspozuar në shumë vende, si: Romë (Itali), Paris (Francë), Linz (Austri), Neë York, Boston (USA), Toronto (Canada), Athin (Greqi), Pekin, Shangai (Kinë), Irlande, Rumani, Belgjike, Beograd(Serbi), Podgoric, Cetinj, Tivar, Ulqin (Montenegro), Prishtinë (Kosovë), Aleksandri (Egjipt), Turqi , Tunizi, Hungari, duke marrë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm në Francë, Austri, Itali, USA, Gjermani, etj.

Vdiq më 6 tetor të 2002, duke mbetur një nga emrat më të respektuar të Shkodrës dhe ata më të shquarit e historisë së artit shqiptar.