Ismail Syla: Dy zanafillat

(Ontologjia e krijimit dhe ajo e kujtesës)

Ese nga Ismail Syla

“Dhe Perëndia tha: ‘U bëftë dritë!’ dhe drita u bë” (Zanafilla 1:3).
“Dhe Perëndia kujtoi Noen…” (Zanafilla 8:1).

Zanafilla e parë

Fjalia e parë e Biblës është ajo e narratorit: “Në fillim Perëndia krijoi qiellin dhe tokën…” (Zanafilla 1:1). Që në krye të herës shfaqen dy përmasa të botës, ajo e larta, hyjnorja dhe bota tokësore, njerëzorja. Pastaj pason fjalia e dytë : “Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave, (Zanafilla 1:2), e cila bën shpjegime plotësuese për formën e tokës, që në fazën fillestare të krijimit ishte sterile, fare e populluar. E, gjëja më metafizike, forma më e pastër e idesë absolute në shfaqjen e radhës është Fryma e Perëndisë, që fluturon mbi sipërfaqen e ujërave. Deri këtu përvijohen katër përmasa të njohura të botës: qielli, toka, fryma e perëndisë dhe ujërat.

Por fjalia më tronditëse është e treta: “Pastaj Perëndia tha: ‘U bëftë drita!’. Dhe drita u bë.” (Zanafilla, 1:3). Në këtë fjali për herë të parë Zoti shqipton tinguj fjale  me zë, përmes ligjëratës së drejtpërdrejtë. Është kjo një fjali e mënyrës urdhërore: “Bëhu dritë!” Dhe ajo bëhet.

Më tej, zëri, fjala, logosi krijon botën materiale, e cila pothuajse kompletohet për gjashtë ditë. Ky është momenti kur Fjala bëhet botë, në të cilën zbrazëtia e tokës, sipërfaqja e ujërave dhe greminat ndriçohen. Kështu. krijimi nuk është më vetëm akt hyjnor, por lindje e ndërgjegjes së universit për ekzistencën e vet.

Në Zanafillën e Parë, bota lind edhe nga fjala, jo vetëm nga materia, por nga tingulli që çan kaosin dhe bëhet materie . “Dhe Zoti tha…” e gjithësia e padukshme çanësohet (përkufizohet) në një rregull të parë. Kjo është Zanafilla e Logos-it: e fjalës si urdhër, si arkitekturë e padukshme e botës. Drita nuk prodhohet, por urdhërohet. Dhe kur drita shfaqet, ajo nuk është thjesht ndriçim; është vetë fillimi i mendimit, mundësia e vërejtjes së dallimit, kapërcimi i natës metafizike.

Kështu, në kuptimin simbolik dhe metaforik njëkohësisht, drita bëhet përmasa e pestë biblike. Përmasa universale më thelbësore e botës – ndriçim krijues.

Përmbytja

Derisa në fillim të Zanafillës fjala është energji që sjell rend nga kaosi, më pas vjen njeriu, qenia që e njeh dhe përdorë fjalën, por edhe e thyen. Krijesa që merr frymë hyjnore ecën mbi tokë lëndore. Një ditë ndodh dëbimi i Adamit dhe Evës nga Edeni. Lindin brezat e parë, fillon  zhvillimi i njerëzimit dhe rritja e së keqes.  Bota e ndërtuar nga fjala rrezikohet nga prishja morale e njeriut. Ndodh  krisja: njeriu bëhet shkak i përmbytjes. Dhe Zoti merr vendim për përmbytje. I veçuari për mirë nga Ai, Noa, ndërton (v)arkën, strehon kafshët dhe bimët në të dhe fillon përmbytja (Zanafilla, 7).

Koha e përmbytjes, 150 ditët e varkës, është koha e pezullimit. Koha që nuk prodhon histori. Koha kur botës i merret zëri. Por, Zanafilla e Parë nuk përfundon në katastrofë totale, në zhbërje, asgjësim. Gjen strehë në varkën e Noas, që ishte njeri i drejtë.

Zanafilla e Dytë

Pas heshtjes së gjatë dhe kaosit ujor, sipas narratorit biblik shfaqet kujtesa e Zotit. “ Edhe Perëndia kujtoi Noenë, e gjithë shtëzëtë, e gjithë bagëtitë që ishinë bashkë me atë nd’arkë (Krijimi 8:1, sipas përkthimit të K. Kristoforidhit). Kështu, nga ky çast fillon Zanafilla e Dytë, thënë kushtimisht –Zanafilla e Noas. Pra, midis pohimit hyjnor “tha” dhe ndërmendjes “kujtoi” ndodh drama e historisë njerëzore. Nuk ka shprehje më të bukur dhe më të qëlluar në gjuhën shqipe se sa shprehja Zanafillë, për gjenezën, krijimin (sipas K. Kristoforidhit). Zënie fill, pikë e nisjes, fill që ftillohet diçka, që niset, rritet dhe zhvillohet.    

Me kujtesën e tij, kuptohet që Zoti nuk e harroi njeriun, por e harroi versionin e e devijuar, të cilin e ndëshkoi me zhdukje. Në këtë dritë, përmbytja është edhe një rit i vdekjes dhe rilindjes. Është zhytja në ujërat e kaosit për t’u pastruar nga papastërtia e ekzistencës së rreme. Si në traditën e mistereve antike, njeriu duhet të “vdesë” për të rilindur.

Pra, Zanafilla e Dytë nuk është një fillim i ri nga asgjëja, por një rifillim pas dështimit të njeriut. Përmbytja nuk është thjesht një katastrofë natyrore, por një akt ontologjik, një pastrim kozmik, një ristart  metafizik. Kur njeriu e tejkalon masën e së keqes, vetë krijimi bëhet peng i mëkatit të tij. Varka e Noas lundron si një kujtesë që nuk fundoset. Ajo është njeriu që mban brenda të ardhmen, ndërsa jashtë mbytej e shkuara. Pra, Zoti nuk harron, por kujton – dhe në këtë kujtesë hyjnore, gjykon dhe zgjedh.

Bota e Zanafillës së Dytë duke qenë e mbështetur mbi kujtesën fiton lirinë, jo lirinë absolute, por atë liri që ka kaluar përmes dënimit dhe që e kupton peshën e mëkatit. Pra, të jesh i kujtuar nga Zoti do të thotë të ekzistosh sërish. I formatuar ashtu je i denjë për vazhdimësi.

Nëse në Zanafillën e Parë, fjala lind materien; në të Dytën, kujtesa lind ndërgjegjen. Në të parën, Zoti krijon me fjalë (akt i rendit) në të dytën, rikrijon me kujtesë (akt i mëshirës). Kështu, njeriu, i dalë fillimisht balta dhe fryma, tashmë del, zbret nga uji i përmbytjes. Uji,  substanca e dyfishtë e botës, është gjëja më konstante që ndryshon funksion.  Pra,  uji i parë është ontologjik, i dyti etik.

Arka – simbol i kujtesës

Arka e Noas nuk është thjesht një anije – ajo është një kapsulë kujtese. Një arkiv. Një enë e shenjtë që ruan esencën e krijimit, gjënë e paprekur nga mëkati. Në një univers që shkatërrohet, varka është i vetmi vend ku rendi ruhet. Është tempulli lëvizës që përmban ADN-në e botës së re. Arka, si e tillë, është anti-kaosi, kujtesë e trupëzuar e rendit të parë, besëlidhja që noton mbi ujërat e shkatërrimit.

Nga këndvështrimi metaforik, Arka është edhe mendja e njeriut të pastër – ajo që mbetet e ndriçuar kur gjithçka rreth saj errësohet. Në këtë kontekst, Noa është prototipi i njeriut të drejtë, të ndershëm, që ruan urtinë, që kupton shenjat dhe lëviz sipas vullnetit të padukshëm. Ai nuk udhëheq Arken – ai udhëhiqet prej saj. Noa nuk e shpëton botën. E shpëton kujtesën e botës. Pra, në Zanafillën e Parë Zoti krijon specie, në të dytën, Noa i ruan ato.

Korbi, pëllumbi dhe dega e ullirit

Në krijimin e parë, jeta fillon nga fjala. Në krijimin e dytë, jeta fillon nga shenja. Edhe korbi, edhe pëllumbi edhe dega e ullirit janë shenja paralajmëruese. Shpendin e parë që Noa e lëshon në kërkim të tokës është korbi, shpendi që ushqehet me të vdekur. Kjo është prova e parë: a ka ende mbeturina të botës së mëkatit. A është toka ende e pushtuar nga vdekja. Korbi nuk kthehet, sepse ai gjen vend në errësirën e botës së shkatërruar. Korbi është hija e njeriut, instinkti i trashëgimisë së vjetër. Korbi është simbol i ujit të errët, ndërsa pëllumbi simbol i tokës së gjetur. Dega e ullirit është nyja lidhëse mes tokës dhe frymës. Korbi dhe pëllumbi janë dy shpirtra të botës së vjetër: Korbi, kërkon mbetjet e së shkuarës, pëllumbi kërkon të ardhmen.

Shpendi i dytë që e lëshon në fluturim Noa është pëllumbi. Herën e parë kur dërgohet, ai nuk gjen askund të pushojë. Dhe kthehet. Ky kthim është shenja se njeriu nuk është ende gati për tokën e re. Pëllumbi është fryma, shpirti i qetë, kërkimi i së mirës. Vetë kthimi i tij është një mësim: ndërgjegjja nuk lind menjëherë, por kërkon vend ku të pushojë. Kur dërgohet për herë të dytë, ai gjen vend, pra bota ka kaluar nga kaosi në një urdhër të ri. Pëllumbi është fryma që kërkon vend për të pushuar. Është ndërgjegjja që kërkon tokë morale. Kur kthehet me degën e ullirit, nuk sjell vetëm gjetjen e tokës, por shenjën e parë të paqes midis kujtesës dhe krijimit.

Ulliri biblik nuk është vetëm simbol i paqes. Është pemë e dritës, pemë e vajit, e shenjtërimit. Dega që pëllumbi sjell nuk është vetëm shenjë se toka ka dalë mbi ujë. Ajo është shenjë se Zanafilla e Dytë ka ardhur, se ndërgjegjja është ringjallur, dhe “mëkati” mund të mbijetojë, por tashmë është i përballueshëm, i njohur, dhe i falur.

Dalja në tokë – rindërtimi i simbolit

Kur përmbytja mbaron dhe toka rishfaqet, starton Zanafilla e Dyzë. Por kjo nuk është thjesht kthimi në pikën zero,  është një rikonstruksion i ndërgjegjshëm i jetës. Në shenjë të kësaj fryme Noa ndërton altarin, veprim ky që e lidh realitetin e ri me burimin e tij hyjnor. Është shenja se krijimi nuk do të jetë më spontan, por do të kërkojë përkushtim, lidhje dhe përulësi.

Pra, në këtë akt të dytë, nuk jemi më në fillimin e kohës, por në palcën e kujtimit. Toka e re nuk është një tjetër planet,, por hapësira ku njeriu kupton. Dhe kur pëllumbi kthehet me degën e ullirit, nuk sjell thjesht shenjën e tokës, por e sjell shenjtërimin e faljes.

Harku i ylberit

Në Zanafillën 9:12–17, harku në re është hedhja e nënshkrimit nga dora e Zotit për besëlidhjen në ardhje. Derisa në krijimin e parë, nuk ka nevojë për shenjë, sepse krijimi flet vetë, rifillimi ka nevojë për kujtesë. Ylberi është marrëdhënia e parë e vizualizuar midis njeriut dhe Zotit, jo fjalë, por ravijëzim i hartës së fatit. Është përforcim i idesë që botën nuk e mban vetëm substanca fizike por edhe kontrata moral ,- Besëlidhja.

Në vend të mbylljes

Dy Zanafillat nuk janë histori të ndara, por dy pole të një spirale që tërheqin njëra tjetrën. Nëse përmbytja ishte harresa e moralit të origjinës, kujtesa është rikrijimi i saj mbi themele më të thella. Në Zanafillën e Parë njeriu del nga balta. Në të dytën, njeriu del nga uji i shkatërrimit. Krijimi i parë është i pafajësisë. Krijimi i dytë është i ndërgjegjes. Njeriu i parë frymon. Njeriu i dytë kujton. Bota e parë fillimisht është e pastër. Bota e dytë është e falur. Përfundimisht Ndërgjegjja është  Zanafilla e Dytë e njeriut.

Prishtinë, 11 nëntor 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL SYLA: GJUHA E RËNIES