
Ontologjia e sakrificës historike
Nga Ismail Syla
Dy ngjarje nyje
Historia nuk është vetëm rrjedhë faktesh, por strukturë e përjetimit të tyre. Pikërisht në këtë strukturë, disa ngjarje zhduken në rrjedhën e kohës, ndërsa disa të tjera bëhen nyje të rënda të kujtesës kolektive. Flijimi kolektiv është një nga këto nyje. Ai shfaqet atëherë kur sakrifica nuk përjetohet më si humbje individuale, por si përvojë e një bashkësie të tërë që përballet me kufirin e ekzistencës së vet historike. Flijimi kolektiv prodhon një ndryshim të thellë në mënyrën se si përjetohet koha historike. Kur sakrifica është individuale, ajo mbetet episod. Kur bëhet kolektive, ajo krijon një prerje të kohës, një moment në të cilin e kaluara dhe e ardhmja lidhen në një pikë të vetme tragjike. Sakrifica nuk është më vetëm fund i jetës së disa njerëzve. Ajo bëhet kusht i vazhdimit të historisë.
Historia e Kosovës e njeh këtë përvojë në forma të ndryshme, por në historinë më të re, dy prej tyre përbëjnë strukturat më të rënda të tragjikes kombëtare: heroizmi i familjes Jashari (1998) dhe martirizimi kolektiv i popullatës civile shqiptare në masakrat e kryera nga regjimi serb (1998/99).
Heroizmi i familjes Jashari, arketip i flijimit kolektiv
Në historinë e rezistencës shqiptare, heroizmi i familjes Jashari përfaqëson një nga format më të plota të flijimit kolektiv. Sakrifica e tillë nuk është vetëm akt i një luftëtari apo i një grupi rezistuesish, por shndërrohet në një figurë familjare të tragjikes historike. Në qendër të kësaj strukture qëndron treshja themelore: Shaban Jashari, babai, dhe bijtë Hamëz dhe Adem Jashari, figura qendrore të kësaj rezistence. Kjo treshe krijon një konfigurim që rrallë shfaqet në histori: bashkimin e origjinës, vazhdimësisë dhe aktit historik. Babai përfaqëson rrënjën e kujtesës dhe të traditës, bijtë përfaqësojnë transformimin dhe vënien e asaj tradite në veprim. Kur ata bien së bashku edhe me 17 anëtarë tjerë të familjes, historia nuk përjeton vetëm humbjen e njëzet jetëve, por lindjen e një figure të re simbolike: familjen si trup të rezistencës. Pra, në rrethimin e Prekazit, ranë bashkë burra gra, fëmijë, vajza dhe djem të rinj të familjes. Në këtë bashkërënie shumë unike, sakrifica kalon nga heroizmi individual në një formë më të rrallë dhe më të rëndë: flijimin e dy të tretave të familjes.
Kjo ngjarje shihet edhe si transformim i hapësirës së përditshme në hapësirë historike. Shtëpia, që në përvojën njerëzore është vend i jetës dhe i vazhdimësisë, shndërrohet në vend të rezistencës dhe të flijimit. Kështu, hapësira private bëhet hapësirë kolektive e historisë.
Heroizmi i Jasharëve krijon një përjetim të ri të kohës historike. Pas kësaj ngjarjeje, lufta në Kosovë nuk mund të përjetohej më si konflikt i largët apo si mundësi politike. Ajo bëhet detyrim ekzistencial i një populli. Prandaj, sakrifica e familjes Jashari mbi historinë tonë e vendos një peshë tepër të rëndë, duke u bërë simbol ku bashkohen heroizmi, tragjikja dhe themelimi i një kohe të re historike.
Masakrat serbe në Kosovë, martirizim kolektiv i civilëve
Nëse heroizmi i familjes Jashari përfaqëson flijimin kolektiv të rezistencës, atëherë masakrat ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë përfaqësojnë formën më të errët të tragjikes historike: martirizimin kolektiv. Sakrifica nuk është zgjedhje e vetëdijshme për liri, por pasojë e dhunës së ushtruar mbi njerëz të pafajshëm. Viktimat janë civilë: gra, fëmijë, pleq, njerëz të paarmatosur. Kjo e ndryshon rrënjësisht natyrën e tragjikes. Masakrat nuk janë vetëm krime të luftës, por përpjekje programatike për të ndërprerë vazhdimësinë historike të një populli. Duke goditur civilët, dhuna synon të shkatërrojë trupin fizik të komunitetit, nukleusin themelor të tij: familjen, kujtesën dhe të ardhmen.
Megjithatë, historia shpesh prodhon një paradoks të tragjikes. Sa më shumë që dhuna përpiqet ta zhdukë një popull nga historia, aq më shumë sakrifica e viktimave bëhet pjesë e kujtesës së tij kolektive. Viktimat civile bëhen martirë të një përvoje historike. Si të tilla, masakrat krijojnë një përjetim të thellë të pafuqisë dhe të dhimbjes kolektive. Ndryshe nga luftëtarët, civilët nuk bien në betejë, por në hapësirën e jetës së përditshme: në shtëpitë e tyre, në fshatra, në rrugë të zakonshme. Kjo e bën tragjiken edhe më të rëndë, ngaqë ajo ndodh aty ku jeta duhet të ishte më e mbrojtur. Kujtesa kolektive nuk i ruan këto ngjarje vetëm si tragjedi. Ajo i ruan si dëshmi të qëndrueshmërisë historike. Prandaj martirizimi kolektiv i civilëve bëhet një nga themelet morale mbi të cilat ndërtohet kuptimi i lirisë.
Flijimi kolektiv, metaforë themeluese e kujtesës historike
Heroizmi i familjes Jashari dhe martirizimi i civilëve shqiptarë në Kosovë përfaqësojnë dy dimensione të kësaj përvoje: njëra është sakrificë e vetëdijshme për liri, tjetra është dhunë e ushtruar mbi pafajësinë. Por, në të dy rastet, historia prodhon të njëjtin rezultat: flijimi kolektiv bëhet metaforë themeluese e kujtesës. Kjo është arsyeja pse kujtesa historike nuk i ruan këto ngjarje si episode të veçuara. Ajo i ruan si struktura të përbashkëta të tragjikes, në të cilat një popull përballet me provat më të rënda të ekzistencës së tij. Flijimi kolektiv nuk është vetëm shenjë e dhimbjes historike. Ai është edhe shenjë e qëndrueshmërisë. Çdo herë që historia është përpjekur ta ndërpresë vazhdimësinë e një populli përmes dhunës, kujtesa e sakrificës ka krijuar një formë të re të ekzistencës së tij. Në horizontin e historisë shqiptare, flijimi kolektiv mbetet një nga aktet më të rënda të tragjikes, ku dhimbja, heroizmi dhe vazhdimësia historike bashkohen në një pikë të vetme kuptimore.
ObserverKult
Lexo edhe:






