
(Ese për kryefjalinë dhe fjalët–fregatë të njëmbëdhjetë mendjeve botërore letrare, nga antikiteti deri sot)
Shkruan: Ismail Syla
Në vend të hyrjes
Vepër klasike është ajo krijimtari që i mbijeton kohëve jo sepse është e gjatë, por sepse është e ndërtuar siç ndërtohet një mjet që nuk fundoset: me peshë të saktë, me thelb të përzgjedhur, me ekuilibër të brendshëm. Klasikja nuk është “gjithçka”, por është “mjaftueshëm” – aq sa të mbajë botën njerëzore pa u bërë enciklopedi.
Këtu lind metafora e fregatës (shih në fund shënimin sqarues). Nëse Varka e Noas mban gjithçka të gjallë: botën bimore, shtazore e njerëzore – është totaliteti – fregata, përkundrazi, nuk synon ta bartë botën, por ta çajë detin. Ajo mban vetëm të domosdoshmen: timonin, kapitenin, busullën, armën, barotin, bukën dhe fare pak ekuipazh. Asgjë tepër. Asgjë mangu.
E gjithë bota materiale nuk mund të hyjë në art. Në art hyn drama njerëzore: frika, lavdia, ligji, faji, dashuria, kujtesa, rrënimi, shpresa dhe vdekja. Dhe për shkak se mendja jonë nuk i mban dot të gjitha faqet e një kryevepre, ne bëjmë një veprim tjetër: nxjerrim prej saj “kryefjalinë”- fjalinë bosht që e mban veprën, si kocka që mban trupin.
Kryefjalia në këtë ese nuk është fjali gramatikore: është aksioma e një bote letrare.
Fjala–fregatë është përkthimi praktik i asaj aksiome: forma e ngjeshur e kuptimit që mund të udhëtojë nëpër shekuj.
Konkluzioni si fjala “Përfundimtare”, nuk është ultima verba (fjala e fundit) universale, por sintezë imja, individuale, pa pretendim të gjykimit eskatologjik.
Dhe tani: le t’i hipim në fregata të reja, veç e veç, njëmbëdhjetë gjeni, ku secili prej tyre vjen bashkë me “ekuipazhin” e vet – me personazhet dhe me ligjin e brendshëm të fjalës së tyre.
1) FREGATA E HOMERIT
Homeri qëndron në origjinë sepse fjala e tij nuk kërkon ta ndryshojë jetën, por ta mbajë atë në këmbë përballë vdekjes. Prandaj lavdia (kleos) nuk është zbukurim, por mënyra si vdekja merr formë dhe emër. Akili e di se do të vdesë dhe pikërisht kjo dije e bën zgjedhjen e tij tragjikisht të kthjellët: më parë jetë të shkurtër me emër, se jetë të gjatë pa gjurmë.
Tek “Odisea” peshorja e zhvendos Uliksin nga fusha e betejës drejt tryezës së shtëpisë. Ndonëse ka famë, ka mendje, ai nuk është i plotë pa kthimin në Itakë. Uliksi mund të fitojë botë, por mbetet i paplotë pa kthim në vatër.
Fjala–fregatë: e rëndë, e qartë, e pamëshirshme. Nuk negocion me realitetin, por e këndon (rrëfen) atë.
Kryefjalia: Njeriu i vdekshëm kërkon lavdi dhe kthim (Akili, Uliksi).
Përfundimtare: Homeri nuk e shpik heroin. Ai shpik mënyrën si vdekja bëhet biografi.
2) FREGATA E ESKILIT
Tek Eskili fjala nuk është këngë: është dekret. Tragjedia e tij nuk kërkon të na zbulojë psiken; kërkon të rivendosë rendin. “Orestia” është mekanika e gjakut që s’mbyllet dot me hakmarrje: gjaku sjell gjak, derisa një instancë mbi gjakun, ligji, ta presë ciklin. Tek “Agamemnon” fitorja e padrejtë shfaqet si borxh fatal. Teprimi (hybris) e grish ekuilibrin ndëshkues (nemesis-in). Ndërsa te “Prometeu i mbërthyer” pushteti hyjnor nuk është absolu. Drejtësia është më lart se froni.
Fjala–fregatë: lapidare, e rreptë, juridike. Fjalia e Eskilit tingëllon si çekan gjyqtari. Vulos.
Kryefjalia: Krimi e thërret ndëshkimin derisa ligji ta mbyllë zinxhirin e gjakut.
Përfundimtare: Eskili është dramaturgu që e shndërron dhimbjen në institucion.
3) FREGATA E DANTES
Dante e di ku shkon. Te ai fjala ka destinacion moral. “Komedia Hyjnore” është një fjali e gjatë me tri sintaksa të mëdha: Ferri, Purgatori, Parajsa. Ferri është logjika e lirisë së keqpërdorur. Dënimi nuk bie nga rastësia, por nga zgjedhja. Purgatori është redaktim, ndërsa dhimbja si ripërpunim i shpirtit. Parajsa është fjalia e përkryer: kuptimi bëhet dritë, dhe drita bëhet rend.
Fjala–fregatë: e orientuar, me busull, me port të caktuar. Nuk lëkundet sepse e njeh pikëmbërritjen.
Kryefjalia: Shpirti humb, pastrohet dhe riorientohet derisa dashuria të hyjë në kursin e duhur, rendin e saj.
Përfundimtare: Dante nuk e shpëton njeriun nga errësira, por e bën errësirën të lexueshme si hartë.
4) FREGATA E SHEKSPIRIT
Te Shekspiri fjala nuk vjen nga lart, por ajo buron nga brenda. Ajo nuk urdhëron si ligj, s’udhëzon si teologji, s’këndon si epikë, por qenien e çan në dysh. Hamleti është mendim që e nxit veprimin, Makbethi është ambicie që e prish ndërgjegjen, kurse Otello është identitet i pasigurt që e shndërron xhelozinë në fat. Drama shekspiriane nuk është vetëm ngjarje, por edhe autopsi e vetes.
Fjala–fregatë: e bukur, e ngarkuar, por edhe e lëkundur. Është klasike sepse mban stuhinë në brendësi.
Kryefjalia: Njeriu është i ndarë dysh brenda vetvetes dhe prej kësaj çarjeje lind drama.
Përfundimtare: te Shekspiri, tragjedia nis në çastin kur fjala e humb besimin e vetvetes.
5) FREGATA E CERVANTESIT
Cervantes-i e shpik romanin modern duke e çuar të vërtetën në dialog me kundër-zërin e saj. Doh kishoti në njërën anë sheh mullinj si gjigantë – gabim faktik, por, nga ana tjetër ai mbron të vërteta etike: drejtësinë, nderin dhe dashurinë. Don Kishoti gabon në botë, por fiton në kuptim.
Nga ana tjetër, Sanço Pança e tokëzon botën, kurse Don Kishoti atë e ngre. Pikërisht këtu lind dinjiteti: të mos e heqësh dorë nga ideali edhe kur e vërteta të rrëzon dhe të tallë.
Fjala–fregatë: fjala te Servantesi ka dy timonë, lundron mes ëndrrës dhe tokës, pushon në truallin e ironisë dhe dhembshurisë.
Kryefjalia: Dinjiteti lind nga përplasja e ideales me realen. Njeriu rrëzohet, por nuk heq dorë nga kuptimi, racionalja.
Përfundimtare: Cervantes na mëson se e qeshura (komikja) mund të jetë mënyra më e ndershme për ta ruajtur seriozitetin.
6) FREGATA E GËTES
Goethe e beson jetën si proces formimi. Te “Fausti”, njeriu gabon për aq kohë sa kërkon, por kërkimi s’është faj, është forcë motorike lëvizëse, spiritus movens. Kuptimi i jetës nuk zbret si urdhër, por rritet si gjeth. Te “Verteri”, ndjenja pa ekuilibër me botën shndërrohet në vete-shkatërrim: jo pse ndjenja është e ulët, por ngaqë izolimi e bën absolute.
Fjala–fregatë: e balancuar, e gjatë në frymë, e ndërtuar për udhëtime, jo për betejë.
Kryefjalia: Njeriu bëhet vetvetja duke u formuar në përplasje e bashkëjetesë me botën, jo duke ikur prej saj.
Përfundimtare: Gëte e shpëton shpirtin jo me qiell, por me rritje, si të ishte shpirti një kopsht i disiplinuar.
7) FREGATA E TOLSTOIT
Tolstoi e zbret njeriun nga retorika te toka. Te “Lufta dhe Paqja” historia nuk drejtohet nga heronjtë, por nga jeta e padukshme e të zakonshmëve; madhështia e rreme zbulohet si dekor. Te “Ana Karenina” pasioni pa rrënjë shkatërron harmoninë e jetës reale. Te “Vdekja e Ivan Iliçit” vdekja e çmonton suksesin si skenografi, duke e lënë të zhveshur pyetje si është jetuar jeta.
Fjala–fregatë: e ngadaltë, e rëndë, e mbushur me realitet: nuk është fishek, është gur.
Kryefjalia: Kuptimi gjendet te jeta e thjeshtë dhe e ndershme, jo te lavdia, ideja apo pushteti.
Përfundimtare: Tolstoi e rrëzon heroizmin duke e kthyer atë në punë të heshtur dhe në mëshirë pa publik.
8) FREGATA E XHEJMS XHOJSIT (J. JOYCE)
Te Xh, Xhojs ideja e një boshti qendror shembet. “Uliksi” ndjek një ditë, por dita nuk është rrëfim linear: është shumësi zërash, stilesh, ndërprerjesh, rrjedhash. Aty gjuha nuk shërben vetëm për të treguar. Ajo ndodh. Prandaj “kryefjalia” te Joyce është pikërisht mohimi i kryefjalisë,, sepse mendja nukka një qendër të qetë.
Fjala–fregatë: jo një anije, por flota të tëra janë në qarkullim. Secila fjali është mjet i vogël në det kaotik.
Kryefjalia: Jeta nuk ka kryefjali. Vetëdija është flotë fjalish pa komandë qendrore.
Përfundimtare: Xhojs e bën romanin të sillet si tru: jo si rrugë, por si trafik.
9) FREGATA E BORGES-IT
Borges e ngre botën në nivel të mekanizmit intelektual. “Biblioteka e Babelit” e kthen universin në kërkim pa qendër: kuptimi lind nga etja, jo nga gjetja. “Alefi” tregon totalitetin si pamje që s’mund të zotërohet. “Tlön…” e bën idenë të bëhet materie. Filozofia merr formë bote. “Pierre Menard…” e zhvendos kuptimin tek akti i leximit: koha e bën lexuesin bashkautor.
Fjala–fregatë: minimale në masë, maksimale në ngarkesë. Një paragraf mban një univers.
Kryefjalia: Realiteti prodhohet nga gjuha, kujtesa dhe format e mendimit, jo vetëm nga faktet.
Përfundimtare: Borges ta heq tokën nën këmbë me një fjali, pastaj të bind se toka ishte gjithmonë metaforë.
10) FREGATA E MARKESIT (G. G. MÁRQUEZ)
Te Márquez koha s’ecën drejt, por rrotullohet. Në “Njëqind vjet vetmi” Makondo lind, lulëzon, bie dhe harron pse ra. Kështu, dënimi nuk është tragjedia, por harresa e tij. Te “Dashuria në kohë kolere” dashuria s’e ndal kohën, por atë e bën të durueshme. Te “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” faji bëhet kolektiv: e vërteta dihet, por nuk veprohet. Pasiviteti, si tillë, bëhet bashkëfajësi.
Fjala–fregatë: e mbushur me breza, me legjenda, me fakte që sillet si mrekulli duke lundruar në rreth.
Kryefjalia: Historia përsëritet derisa kujtesa të pranohet, ndërsa vetmia është ndëshkimi që vjen prej harresës.
Përfundimtare: Markesi e shndërron kujtesën në klimë: ose merr frymë në të, ose mbytesh pa e kuptuar.
11) FREGATA E SALMAN RUSHDIE-së
Te Rushdie kuptimi nuk është bosht, po fushë beteje. “Fëmijët e Mesnatës” e rrëfen historinë si trup i copëzuar: kombi lind i thyer, identiteti bëhet mozaik. “Vargjet Satanike” e kthejnë imagjinatën në rrezik real: fjala s’është vetëm estetikë, por sfidë ndaj absolutes. Te “Turpi” shtypja e së vërtetës prodhon monstruozitet moral: censura dhe dhuna bëhen barazim i brendshëm.
Fjala–fregatë: e mbingarkuar me mite, humor, histori, lundron në ujëra të minuara.
Kryefjalia: Liria e rrëfimit dhe shumësi i të vërtetave janë kushti i identitetit modern.
Përfundimtare: Rushdie nuk e kërkon paqen e kuptimit. Ai e kërkon të drejtën për të mos e mbyllur kuptimin.
Shënim përmbyllës: emra dhe përkufizime (të pastruara)
Nëse Homeri është kënga, Eskili ligji, atëherë Dante është sintaksa morale e botës, teleologjia morale e shpirtit. Nëse Shekspiri është konflikti i brendshëm si spiritus movens, Cervantes është ironia si dinjitet i botës reale, kurse Gëte formimi organik i qenies. Derisa Tolstoi është e vërteta e jetës së thjeshtë, Xhojsi është shpërbërje e qendrës, rrjedhë e vetëdijes. Nëse te Borges realiteti është si produkt i mendimit dhe gjuhës, kujtesa ciklike e historisë është kryefjalia e Markesit. E, në fund magjia e prozës së Salman Rushdie-s është pluraliteti i rrezikuar dhe liria e rrëfimit.
Shënim sqarues
Jorge Luis Borges në shkrimin e tij diskursiv “Kabala” e shpjegon prejardhjen e fjalës klasik përmes fjalës, class, që ka kuptim të skuadrës, klasës, si dhe të fregatës, anijes së shpejtë luftarake. Fregata dhe vepra klasike kanë ngjashmëri në bazë të asaj që përmbajnë dhe përfshijnë brenda trupit të tyre.
Fregata nuk është anije e stërmadhe, nuk është Varkë e Noas, që përmban gjithë botën brenda saj. Është anije që ka një kapiten të shkathët, barot dhe armë esenciale. Gjithçka elementare, të domosdoshme, por jo të tepërt.
Kryeveprat botërore kanë vëllime. volum faqesh, këngësh, kapitujsh, akte, vargje, strofa etj. Nuk mund t’i kemi në kokë të gjitha fjalët, përshkrimet, dialogët, me një fjalë të gjitha tekstet e tyre, si rezultat i kufizimit të kapacitetit të mendjes njerëzore.
Por një gjë mund të bëhet. Nga fregata e tyre shkarkojmë esenca, duke krijuar fregatë të re. Në fregatën e re, për shembull, vendosim bashkë autorin, Homerin me personazhet, Akilin dhe Uliksin. Pastaj Cervantesin me Don Kishotin dhe Sanço Pançën, e kështu me radhë deri te Xhojs dhe Leopold Bloom.
Prishtinë, 9 janar 2026
ObserverKult
Lexo edhe:






