reklamë

Ismail Syla: Gjashtë gjendje të paprekshme 

Koha e triadës dyfishe 

Nga Ismail Syla

HESHTJA – fjala që refuzon të zvogëlohet

Nga këndvështrimi metafizik, heshtja është mungesë e fjalës, ndërsa në artin hermetik është fjalë që nuk pranon të bëhet tingull, sepse do ta zvogëlonte. Heshtja është mbingarkesë kuptimi, lind kur fjala është e vogël për barrën. Kur përvoja është më e gjerë se gjuha, heshtja bëhet zgjedhje, jo pamundësi. Në heshtje, gjërat flasin pa zë. Një plagë hesht, por thotë më shumë se një rrëfim. Një shikim hesht, por hap botë. Heshtja është gjuha e asaj që nuk pranon përkthim, është mënyra si qenia mbron veten nga reduktimi. Shpesh fjala pushon, që e vërteta të mos humbasë. Prandaj heshtja nuk është boshllëk, por dinjitet i kuptimit. 

ËNDRRA – vërteta pa barrë

Ëndrra është realitet pa përgjegjësi. Ajo ndodh brenda njeriut, por nuk i bindet ligjeve të tij. Në ëndërr, koha nuk rrjedh, por përdridhet, hapësira nuk zgjatet, por paloset. Subjekti nuk mbetet një, por shpërndahet. Hermetikisht, ëndrra është vendi ku shpirti provon forma që trupi nuk guxon t’i mbajë. Aty njeriu bëhet shumë, bëhet tjetër, bëhet i pamundur. Ëndrra është laboratori i qenies, ku identiteti eksperimenton pa pasoja. Ëndrra nuk kërkon koherencë, sepse nuk e synon botën, po thellësinë. Nuk është gënjeshtër, ngaqë nuk pretendon të jetë fakt. Ëndrra është e vërteta e lirë nga barra e provës. Në këtë kuptim, ëndrra është metafizika më intime: ajo ndodh pa dëshmitarë, por ndryshon më shumë se çdo ngjarje, ngaqë tregon jo çfarë jemi, por çfarë mund të ishim pa frikë.

PRITJA – koha që rri në këmbë

Pritja është qëndrim pa zotërim. Ajo nuk ecën drejt së ardhmes, por e mban derën hapur. Pritja nuk e thërret atë që vjen, mjaft që nuk e pengon. Sipas një mendjeje hermetike, pritja është koha që rri në këmbë. Koha që refuzon të shtrihet në të kaluarën apo të hidhet në të ardhmen. Është e tashmja e zgjatur në gjendje gatishmërie. Në pritje, njeriu nuk bëhet mur, as udhë, bëhet hapje – derë. Ai nuk e di çfarë do të vijë, por pranon të jetë vendi ku mund të hyjë e ardhmja. Pritja është besim se diçka do të ndodhë, se ndodhja ka kuptim edhe kur nuk kontrollohet. Prandaj pritja është një formë e heshtur besimi.

TERRI – paraforma e botës

Terri nuk është mungesë, por gjendje para-përkufizuese. Ai nuk i shkatërron sendet duke i lënë në mundësi. Kur drita ikën, forma shpërbëhet, por qenia nuk zhduket, por kthehet në pritje. Në terr, syri humb pushtetin, dhe mendja pushon së komanduari. Kjo është arsyeja pse terri frikëson: jo pse nuk sheh, po ngaqë nuk kontrollon. Terri e heq botën si hartë dhe e kthen si det, është para-emërimi i gjithçkaje. Para se diçka të quhet, ajo duhet të ketë qenë në terr. Emri lind nga errësira, ashtu si fjala lind nga heshtja. Terri është barku i formës. Prandaj terri nuk është fundi i shikimit, por fillimi i një shikimi tjetër: atij që nuk kërkon figura, por gjendje thellësie. Në terr, njeriu nuk ecën – dorëzohet.

HIJA – metafizika e pranisë pa fytyrë

Hija është prova më e thjeshtë se diçka ekziston pa pasur nevojë të shihet. Ajo lind kur drita has një trup, por nuk e pushton dot. Në këtë kuptim, hija është marrëveshja e parë mes qenies dhe mos-qenies: një shenjë pa substancë, një trup pa mish. Për botëkuptimin metafizik hija është kujtesa e dritës mbi një gjësend. Ajo ka formën e asaj që e ka lindur, jo thelbin . Prandaj hija nuk gënjen, por as nuk thotë të vërtetën e plotë. Dëshmon pa rrëfyer dhe është gjurmë e pranishme e një burimi që nuk është më aty. Njeriu, para se të mësojë të flasë, mëson të ketë hije. Hija është mënyra e parë se si qenia pranon që mund të jetë e dukshme pa u zbuluar. Ajo mëson për ekzistencën pa ekspozim, praninë pa zë, të qenit pa pretendim. Në hijen e vet, njeriu sheh veten të reduktuar në konturë dhe e kupton se forma e tij e vërtetë nuk mbaron në mish.

KUFIRI- paqja e formave

Kufiri duket si ndarje, por në thelb është marrëveshje. Ai nuk thotë “ndalu”, po sikur thotë: “Deri këtu”. Kufiri i jep secilës gjë hapësirën e vet për të qenë. Hermetikisht, kufiri nuk ndan, por bashkon duke ndalur. Është vendi ku dy botë bien dakord të mos e pushtojnë njëra-tjetrën. Pa kufij, gjithçka do të ishte gjithçka dhe asgjë nuk do të kishte formë. Kufiri është paqja e formave, sepse aty përplasen dëshirat për zgjerim dhe nevoja për qëndrueshmëri. Kufiri i shpëton sendet nga shpërbërja, është etika e qenies: mënyra si ekzistenca mëson të mos e hajë veten.

Prishtinë, 9 janar 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Ismail Syla: Taravoli, gruaja, njerka dhe vjehrra