Ismail Syla: Ontologjia e pluhurit

Ese për një të reshur të re

Nga Ismail Syla

Përkufizimi leksikografik

Përbërja themelorePluhuri është koalicion mbetjesh të imëta nga dheu i thërrmuar, penj të fijezuar tekstili, rrjepje lëkure, grimca metali dhe të mbetura nga ndrydhja e çdo gjëje materiale me madhësi që fillon sa atomi e shkon deri te madhësia qelizës së degjeneruar. Pluhuri është materiali më i përzier pikërisht për faktin se është fundi i çdo materiali. Ai është produkt i fërkimit, i plakjes, i thërrmimit të formës nën peshën e përdorimit. Çdo gjë që ekziston në një periudhë kohore mjaftueshëm të gjatë, prodhon pluhur, duke dëshmuar se koha kalon përmes materies. Në kuptimin lëndor pluhuri nuk ka formë, është kaotik, lëndë në qarkullim.  Ai bie përditë mbi çdo gjë jo si aksident, por si regjim.

Përkufizimi metafizik

Pluhuri nuk qëndron në këmbë, por as nuk zhduket. Është i lehtë për t’u zhvendosur dhe i vështirë për t’u mënjanuar Nuk reziston me forcë, por me përsëritje. Në metafizikën e tij pluhuri është materia e pas-ndodhjes. Shfaqet aty ku energjia është tërhequr. Nuk ka nevojë për shkak dramatik dhe i mjafton rënia e vëmendjes ndaj tij. Aty ku njeriu pushon së investuari, pluhuri fillon të grumbullohet. Në këtë kuptim, ai është shenja më e saktë e harresës aktive, jo e harresës si mungesë, por si lodhje.

Përkufizimi klimatik

Është mangësi e çdo teksti shkollor për dukuritë e natyrës që pluhurin nuk e trajton si të reshur. Ai duhet renditur diku përtej shiut, breshrit, borës dhe llohës. Pluhuri është reshja më origjinale sepse nuk vjen nga qielli, por nga vetë bota që lodhet nga përdorimi. Nuk vjen nga lart, por nga konsumimi i poshtëm i botës. Është besnik  ndaj tokës aq sa forca e ajrit e ia tërheq gravitacionit. Ndryshe nga shiu, që bie diku e diku jo, ndryshe nga zjarri, që shkatërron në mënyrë diskriminuese, ndryshe nga drita, që gjërat i thekson dhe i dallon – pluhuri mbulon gjithçka.

Pluhuri dhe teknika

Fshesat e lashta dhe pompat aspiratore nuk e luftojnë, po vetëm sa e shtyjnë përkohësisht drejt harresës. Pluhuri pastrohet jo pse është i panevojshëm, por se është shumë i sinqertë. Dhe megjithatë ai kthehet, sepse burimi i tij nuk është hapësira, por vetë përdorimi. Çdo lëvizje prodhon pluhur. Pluhuri mbulon makinat jo për t’i ndalur, por për t’ua kujtuar atyre se lëvizja nuk është e përhershme. Mbi tjegulla dhe pullaze rri e vepron si shtresë kohe e jo si papastërti. Ai nuk shkatërron menjëherë, por ngadalë e ndryshon raportin me sendet. Ajo që kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme fillon të duket e lodhshme, ndërkaq ajo që braktiset, fillon t’i ngjajë të vërtetës. Në këtë kuptim, pluhuri nuk është armik i pastërtisë, por provë e kohës.

Pafajësia e pluhurit

Pluhuri nuk kundërshton asnjë rend natyror, shoqëror dhe politik. Nuk rrëzon me dhunë, nuk djeg me zjarr nuk shpërthen si kryengritje. Ai vepron përmes akumulimit minimal. Metafizika e tij nuk është e dhunshme, por e pashmangshme. Ai është elementi më demokratik i universit sepse nuk ka kritere. Dhe pikërisht sepse nuk ka kritere, ai nuk prodhon padrejtësi. Asnjë sistem shoqëror nuk e mori seriozisht pluhurin, e mu për arsye, të gjitha kanë dështuar në filozofinë e barazisë (egalitarizmit). Sistemi që kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme për të mbetur i dukshëm, është i përkohshëm. Pluhuri është prova materiale e kësaj përkohshmërie.

Përkufizimi sociologjik

Feudalizmi e mbrojti hierarkinë si rend hyjnor, por pluhuri nuk e respektoi fare fisnikërinë. Ai mbuloi kështjellën dhe kasollen me të njëjtën heshtje. Kapitalizmi e shndërroi pabarazinë në mekanizëm efikas, por pluhuri e zhvlerësoi akumulimin: një pasuri që nuk përdoret bëhet thjesht sipërfaqe e mbuluar me pluhur. Socializmi kërkoi barazi përmes rregullimit, por pluhuri e tejkaloi ligjin: ai barazoi pa dekret. Komunizmi, si kulm utopik i barazisë, dështoi pikërisht aty ku ishte më ambiciozi. Ai e konceptoi barazinë si projekt historik, si gjendje që duhej prodhuar, ruajtur dhe mbrojtur nga njeriu i ri. Por kjo nismë ishte një keq-llogaritje ontologjike: çdo gjendje që kërkon ruajtjen e pozicionit të vetvetes është e përkohshme dhe mbetet utopi, sepse nuk e mori në konsideratë një fakt elementar – lodhjen e historisë. Një fabrikë e braktisur është më komuniste se çdo shtet ideologjik, sepse aty nuk ka më as proletarë, as borgjezë, po vetëm makineri të barazuara nga heshtja dhe pluhuri.

Pushtimi i pluhurit

Pluhuri rri mbi objekte të shenjta dhe mbi mbeturina me të njëjtën indiferencë të përhershme. Në hapësirat e brendshme, pluhuri vazhdon ta zhveshë barazinë nga çdo përfillje klasore dhe nga çdo ideologji. Pluhuri hyn në ingranazhe, në tastiera, në memorandume, në objekte kujtese dhe në arkiva. Ai ulet mbi libra, mbi dokumente, Nuk dallon mes tekstit që pretendon përjetësi dhe sendit që pranon përdorim të kufizuar, midis “Biblës” dhe faturës së energjisë elektrike, sepse pluhuri është metafizika e barazimit pa kokërr morali.

Përfundim

Pluhuri nuk është fundi i botës. Është administrimi i saj i heshtur. Ai nuk trashëgon asgjë, sepse nuk ka nevojë. Ai vetëm qëndron, derisa gjithçka tjetër të lodhet nga pretendimi për të marrë kuptim. Dhe ndoshta këtu qëndron forca e tij më e errët: pluhuri nuk ka qëllim, por ka drejtim. Ai lëviz gjithmonë drejt nivelimit. Për dallim nga uji që i rri besnik relievit, pluhurin e tundon edhe trandja më e lehtë e ajrit. Aty ku forma kërkon të qëndrojë, ai e konsumon. Aty ku kuptimi kërkon të ruhet, ai e mbulon, jo për ta shkatërruar, por për ta kthyer në gjendje fillestare.

Shënim:

Nëse teksteve gjeografike u parapëlqehet që pluhurin ta përfillin si reshje atmosferike, të gjitha librat e teorisë marksiste duhet ta përmirësojnë parullën universale në krye të faqeve. Jo më “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni”, por, “Proletarë të të gjitha vendeve, pluhuri ju bashkon.”

Prishtinë, 21 dhjetor 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL SYLA: UDHA PËRBALLË RRUGËS