Ismail Syla: Shtegu, monopati, shtegtari

Ontologjia tokësore e rrugës së parë

Nga Ismail Syla

Përkufizimi i shtegut si gjurmë e njeriut që i përsërit hapat e vet, nuk di se cilës fushë i përket më shumë, asaj semantike, figurative letrare, apo filozofike teorike. I takoi njërës ose tjetrës më shumë a më pak, kjo fjalë ka potencë të madhe interpretimi.

Prejardhja dhe tingullimi estetik

Fjala “shteg”, konsiderohet shprehje e mirëfilltë autoktone e leksikut të shqipes, me rrënjë të vjetra popullore. Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe nis me kuptimin për fjalën kosovare “shtek”, thyerje e gardhit, për të dhënë edhe gjendje tjera gjerësisht. Shtegu është rrugicë e ngushtë që të çon diku përmes fushës, malit, pyllit. Mund të përdoret nga njerëz, kafshë, por mund ta ketë hapur edhe erozioni i kohës.

Ka rrugë që i krijon këmba, dhe ka rrugë që të zgjedhin ato ty.Shtegu i takon të parave: është hapi i parë i njeriut në dhe, është bari që përkulet dhe ngrihet pas çdo kalimi. Një vijë e butë që e formon jeta e zakonshme: delet, bariu, fëmijët që zbresin në krua, gratë që mbajnë ujë, plaku që kërkon hijen e pasdites. Shtegu është një rrugë që nuk ka autor; është vetë natyra që mëson të ecë si njeriu.

Ngarkesa kulturore poetike: Fjala “shteg” ka tingëllim të butë, tokësor, është e lidhur me natyrën. Përçon qetësi, stinë, diell, bagëti, pyje. Metaforikisht: një shans, një udhë e hapur, një kalim mes pengesave. Gjendet në tregime popullore, këngë, epos, rrëfenja malësorësh. Ka ngrohtësi dhe një lloj butësie idilike. Bashkë me të e ndien barin, ujin, qetësinë.

Për nga shtrirja shtegu është më horizontal, më natyror, më tokësor, si një brazdë njerëzore e krijuar nga hapat e shumtë. Për nga toni është fjalë e butë, popullore, e prejardhur nga toka. Shtegu përfill ritmin e jetës, ecjen, kthimin, harresën, përsëritjen.

Krahas fjalës “shteg” përdoret edhe fjala sinonimike “monopat”, me prejardhje nga greqishtja e re – monopath – rrugë e vetme, sipas gjuhëtarit Gustav Mayer. Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe i jepet kuptimi edhe si dhiare, shteg i dhive. Në kulturën përkthyese të Tiranës gjen përdorim të gjerë. Si fjalë e huazuar, tingëllon më urbane, më “teknike” ose më “poetike-lindore” në kontekstet moderne.

Ndërsa monopati i takon një bote tjetër. Nuk është i lindur, por i ngulitur. Ai shfaqet si një vijë e vetme që pret malet, një rrugë e ngushtë që nuk e di nëse të çon apo të kthen. Ka një askezë brenda tij, një qetësi shumë të lartë, thuajse të ftohtë. Monopati është si një fjalë që nuk u pëshpërit në odë, por u soll nga një udhëtar i largët, një murgu që s’iu beson rrugëve të gjera. Ai i përket atyre hapave që kërkojnë kuptimin, jo strehën. Shtegu është fytyra e përulur e rrugës. Monopati është profili i saj i mprehtë.

Ngarkesa kulturore poetike: Tingëllon si fjalë ambienti prej hartash të vjetra, udhëtimesh asketike, peizazheve bizantine. Ka një elegancë të thatë lineare dhe shpesh përdoret në letërsi moderne për të krijuar atmosferë të veçantë. Si metaforë ngërthen vetminë dhe individualitetin e rrugës. Fjalë që i jep tekstit efekt meditativ. Në hartimet hermetike monopat jep një atmosferë të vetmisë së kulturuar. Është fjalë e hollë, e vetmuar, e mprehtë. I ngjan një vije të vetme që pret peizazhin. Monopati toleron ritmin e brendshëm, tjetërsimin, kërkimin, heshtjen që nuk ndahet. Monopati ka qëndrim vertikal, hije asketike, ton meditativ.

Derisa shtegu e di se është i të shumtëve, monopati e di se është i vetëm. Midis shtegut dhe monopatit qëndron njeriu: herë duke ecur në shtegun që të qetëson, herë në monopatin që të trazon.

Shtegu dhe gjurma e ndriçuar

Shtegu si gjurmë e njeriut që vendos të përsërisë hapat e vet në pamje të parë, tingëllon si një përshkrim i thjeshtë i një akti fizik, ecja mbi një rrugë të shkelur më parë. Një shteg është më shumë marrëdhënie sesa rrugë. Ai nuk të përket ty, as ti atij. Ai krijohet si veprim i ndërsjellë në çdo hap. Por në thelbin e saj kjo ecje fsheh një të vërtetë filozofike: të ecurit nuk është gjithmonë kërkim për të panjohurën, por shpesh një akt rikthimi, një zgjedhje e vetëdijshme për t’u përballur me veten, me kujtimin, me gabimin, me rrënjën.

Pra, shtegu është kufiri minimal midis qëllimit dhe lëvizjes: nuk të premton mbërritje, por të jep drejtim. Shtegu nuk garanton gjetje, por parakupton kërkim.

Një gjurmë, përtej kuptimit fizik, është shenjë e pranisë së diçka-je që ka kaluar mbi të. Njeriu, duke ecur në një drejtim të caktuar, nuk lë vetëm shenja në tokë, por ai lë shenja edhe në kujtesë, në marrëdhënie me botën, në komunikim gjuhësor, në vetë qenien e tij.

Hapat e kthyer në këtë kuptim, nuk janë thjesht nostalgji, por një ritual vetëdijeje. Shtegu si i tillë tashmë është më pak një vend dhe më shumë një proces kujtese. Ai lind vetëm kur vetëdija zgjedh të rikthehet, jo si turisti që vjen përsëri në një vend të njohur, por si kërkimtari i heshtur, por kureshtar që kthehet në rrënjë për të kuptuar mësimin që s’e kishte kuptuar kur ishte i ri.

Përsëritja e hapave nuk kuptohet si ritual mekanik, as si veprim thjesht imitues, por si akt krijues. Shtegu i përsëritur nuk është një rrugë e konsumuar, por një rrugë e shenjtëruar nga ndërgjegjja. Si kuptim i tillë shtegu është një rresht i shkruar nga hapat tanë. Si në një tekst ezoterik, leximi i gjurmës kërkon kujdes, përqendrim, dhe një sy të tretë, që shikon përtej pamjes së parë.

Çdo kthim në shteg është një shkallë më e lartë e interpretimit. Herën e parë ecet për të arritur diku (veprimi) Herën e dytë, për të kuptuar pse deshe të arrije tek objektiv (zgjimi). Ndërsa herën e tretë, për të kuptuar kush ishte ai që ecte në shteg (i ndërgjegjësuari).

T’i kthesh hapat përsëri në shteg do të thotë të pranosh veten në të gjitha shtresat: edhe si ai që nuk e kuptoi, edhe si ai që heshti, edhe si ai që tani e di më mirë. Vetëm kështu gjurma merr formën e shtegut të ndriçuar.

Shtegtari, subjekti që shpik veten në ecje

Nëse shtegu është ontologjia e rrugës së parë, shtegtarë është ai që shpik veten në ecje. Në këtë kuptim, shtegu është gjurmë e vullnetit njerëzor që nuk kërkon të sundojë hapësirën, por vetëm të kalojë nëpër të.

Shtegtari nuk është udhëtar i zakonshëm. Udhëtari shkon prej A në B, kurse shtegtari lëviz prej vetes së djeshme te vetja e sotme. Semantikisht, shtegtari është njeriu që ndërton identitet përmes lëvizjes: një identitet i çliruar nga mandati i vendqëndrimit.

Shtegtari nuk ka territor, po drejtim, nuk ka shtëpi por kthim, e kthimi i tij nuk është rikthim fizik, por kthim i njohjes. Shtegtari është dëshmia se njeriu është bërë për rrugë, jo për mure.

Shënim

Përpos në tokë, një shteg të veçantë në qiell e hapin zogjtë shtegtarë, që si temë nuk ka kompozim të mirëfilltë organik me fjalën shteg, të trajtuar më lart në formë eseistike filozofike dhe semantike letrare.

Zogjtë shtegtarë janë metafora më e pastër e një inteligjence që ecën pa hartë, por kurrë pa horizont. Ata nuk kanë shteg në tokë, por në qiell. Këtu ndodh kthesa semantike: Te njeriu, shtegu krijohet nga hapat poshtë. Te zogjtë, nga vija e hollë lart, një rrugë që nuk e lë gjurmën në dhe, por në kujtesën tonë optike.

Kjo vijë e hollë qielli, që shfaqet vetëm kur një tufë mërgojnë, është monopati i qiellit: një rrugë që nuk mund të shkelet, por mund të ndiqet. Një rrugë që nuk luhet nga barërat, por nga yjet.

Zogjtë shtegtarë e njohin stinën jo nga kalendari, por nga graviteti i brendshëm i lirisë. Lëvizja e tyre është ligj, por ligj i brendshëm, një urdhër që vjen nga ritmi i botës dhe pulsi i tyre.

Shtegtari jeton mes dy urdhrave të lëvizjes: shtegut të tokës (i butë, i prekshëm, i lindur nga përsëritja) dhe monopatit të qiellit (i padukshëm, i mprehtë, i lindur nga synimi). Shtegtari, në këtë kuadër, është krijesa që ndien të dyja peshën e dheut nën këmbë dhe thirrjen e qiellit mbi supe. Ai ecën si njeri dhe ëndërron si zog.

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL SYLA: TOKA E PAPËRLYER